LAJMET E MBRËMJES

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për sulmin terrorist ndaj KKZ-ve në veri

Katër të akuzuarit për sulmin terrorist të dhjetorit të 2022-s ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar. Prokuroria i ngarkon ata për sulm ndaj rendit kushtetues dhe institucioneve, pasi me anë të mjeteve shpërthyese u përpoqën t’i detyronin institucionet që të zmbrapseshin nga organizimi i zgjedhjeve komunale në veri

Milun Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq, Dejan Pantiq e Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e sulmit terrorist, të kryer në Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, dhjetorin e vitit 2022.

Në seancën fillestare për rastin në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, prokurori special, Afrim Shefkiu, ka thënë se me hedhjen e dy granatave të dorës dhe të dy shok-bombave të akuzuarit kanë bërë përpjekje të frikësonin popullatën dhe institucionet për t’i zmbrapsur nga organizimi i zgjedhjeve komunale në veri, pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Në orën 14 e 19 minuta, në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, në rrugën ‘Kollashinska’, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës dhe të padrejtë detyrimit të organit publik, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të pamundësuar zgjedhjet lokale, si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike të Republikës së Kosovës...Këta të pandehur dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shokbomba në drejtim të zyrës së lartpërmendur”, ka thënë Shefkiu.
Mes provave që Prokuroria i përmend në aktakuzë figuron fotografia të cilën e pati publikuar Milenkoviqi bashkë me udhëzimin se si të veprohet me të po qe se bie në duar të Policisë së Kosovës.

“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë. Çojeni në ajër dhe në rast se duhet vritmëni edhe mua. Vetëm mos i lini të më çojnë të gjallë”, shkruan në aktakuzë të ketë thënë Milenkoviqi.
Prokuroria në aktakuzë i përmend të akuzuarit edhe si pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe të “Mbrojtjes Civile”, organizata këto që Qeveria i shpalli terroriste në qershorin e vitit të shkuar.

Pasi të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm, gjyqtari Valon Kurtaj i njoftoi ata se i kanë 30 ditë kohë për të kundërshtuar provat dhe aktakuzën.

Bazuar në aktakuzë, Prokuroria ka mbledhur prova materiale, përfshirë fotografi, video-incizime, si dhe veprime inkriminuese të të pandehurve në biseda në aplikacionin Viber. Të akuzuarit i kanë mohuar pretendimet e Prokurorisë si gjatë fazës së hetimeve ashtu edhe pas ngritjes së aktakuzës.

Sulmet në KKZ-të në veri u bënë pasi serbët në këtë pjesë dhanë dorëheqje nga të gjitha institucionet, lokale e qendrore, përfshirë edhe kryetarët e komunave.

Më pas u caktua data e zgjedhjeve të reja për dhjetor dhe gjatë përgatitjeve ndodhën sulmet.

Zgjedhjet nuk u mbajtën në atë termin, por në prillin e vitit 2023, ku edhe kësaj here nuk morën pjesë qytetarët dhe partitë politike serbe.