Pesë qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut pritën numër simbolik votuesish. Pjesa më e madhe e tyre ishin qytetarë shqiptarë me të drejtë vote. Përderisa pjesa dërmuese e serbëve iu bindën thirrjes nga Beogradi zyrtar për bojkotim të procesit, ata të paktë që zgjodhën të votojnë, hezituan të flasin për media e edhe të xhirohen
Numër simbolik votuesish frekuentoi pesë qendrat e votimit të hapura për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale e Mitrovicë të Veriut.
Pjesa më e madhe e qytetarëve serbë të kësaj komune iu bind thirrjes nga Beogradi për bojkotimin e procesit zgjedhor. E ata të paktë që votuan, hezituan të deklarohen për media e edhe të xhirohen.
Ndërkaq qytetarët shqiptarë që e ushtruan të drejtën për votë, shprehën optimizëm të matur për ndryshime.
“Tu e pa situatën që është, jo edhe aq e mirë, nuk presim shumë”, tha qytetari Selim Tahiri.
“Këto zgjedhje janë legjitime dhe duhet të mbahen patjetër, dhe i ftojë të gjithë qytetarët e komunës së veriut që të dalin që të votojnë”, tha qytetari Nazmi Ismajli.
“Procesi ka shkuar mirë. Nuk e di çka me të thanë, me kanë që ka rezultate mirë është. Nuk i jepi peshë asaj, unë menjëherë pas luftës jam ardh, nuk i kam dhënë rëndësi sa jam i sigurt”, tha qytetari Riza Dushi.
Ani se në zgjedhje nuk morën pjesë subjekte serbe, nëpër qendra të votimit, në cilësi të vëzhguesve ishin pjesëtarë të shoqërisë civile, me përkatësi serbe.
E kandidatët për kryetar komune nga radhët e subjekteve politike shqiptare, adresuan thirrje për daljen masive të qytetarëve në votim.
“Shprehi mundësinë nëpërmjet televizionet tuaja me i bo ftesë të gjithë qytetarëve të komunës veriore të Mitrovicës që të votojnë në numër sa më të madh me përkrah kandidatin, të cilën ata mendojnë që është më i miri”, tha Erden Atiq, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
“Qytetarët kanë shumë nevojë për institucione. Tash e sa muaj jemi si qytetarë tu hequr keq për institucione. Ka nevoja shumë për qytetarët edhe shpresoj që do të arrijmë shumë shpejt që të krijojmë këto institucione”, tha Betim Osmani, kandidat për kryetar i Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare.
“Shpresoj dhe bëjë thirrje te të gjithë banorët, tek të gjithë qytetarët me të drejtë vote me dalë me votua për kandidatin, për të cilin ata mendojnë që është më i miri për ta”, tha Taulant Kelmendi, kandidat për kryetar nga radhët e PDK-së.
Zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore u caktuan, pasi udhëheqësit e mëhershëm të tyre iu bashkuan vendimit të serbëve të veriut për t’i braktisur institucionet e Kosovës, shkaku i pakënaqësisë me vendimin e Qeverisë për konvertimin e targave ilegale serbe.