LAJMET E MBRËMJES

Çelen rrugët ajrore me Shqipërinë

Në një ceremoni të organizuar nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror është zyrtarizuar hapja e rrugëve ajrore me Shqipërinë. Zyrtarë shtetërorë e edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë folën për përfitime nga ky zhvillim, ndërkaq ministri Liburn Aliu nuk dha shpresa se shpejt mund të hapen rrugët ajrore edhe nga Mali i Zi

Zyrtarë shtetërorë e kanë vlerësuar historik momentin e hapjes së korridoreve ajrore me Shqipërinë.

Hapja zyrtare përmes pikave KUKAD dhe ARBËR u promovua të mërkurën në një ceremoni, në të cilën morën pjesë zyrtarë të Qeverisë, ambasadorë e përfaqësues të KFOR-it.

“Jemi mbledhur këtu në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror për të shënuar një moment historik, hapjen e korridoreve ajrore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti. “Koha e udhëtimit ulet për 8 deri në 12 minuta e reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit duke minimizuar kështu emetimin e dyoksidit të karbonit... Koha e shkurtuar e fluturimeve sjell edhe benefite për mërgatën tonë, rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletës, si dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës”.

Në ceremoninë e organizuar nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror zyrtarët folën për efekte të tjera që do të ketë hapja e këtyre portave të rrugëve ajrore.

“Ka vetëm fitues nga kjo, kështu që herën tjetër kur të shkoj ta vizitoj vajzën time në Vjenë do t’i kursej 20 minuta”, ka thënë Jorn Rhode, ambasador i Gjermanisë në Kosovë. “Janë plotësisht të planifikueshme për fluturim”.

Theksin tek efektet e ka vënë edhe Samir Bllacaku, drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

“Hapja e korridoreve ajrore rezulton në shkurtim të rrugës, rezulton në fluturim më të shkurtër, rezulton në shpenzime më të ulëta dhe më e rëndësishmja reduktimi i gazrave të dëmshme”, ka thënë bllacaku.
Në faqen ku publikohen informatat zyrtare aeronautike për Shqipëri, KUKAD dhe ARBËR ende prezantohen vetëm si pika e jo rrugë ajrore.

Për këtë çështje KOHA i ka pyetur edhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e edhe Autoritetin e Aviacionit të Shqipërisë, mirëpo nuk kanë ofruar përgjigje gjatë ditës.

Por ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, thotë se fluturimet janë plotësisht të zbatueshme.

E, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për trafik ajror me Malin e Zi, Aliu nuk ka dhënë shpresë se mund të hapen porta ajrore edhe nga ky shtet.

“Është sfiduese, mjaft sfiduese... Tash duhet të punojmë në implementimin e kësaj marrëveshjeje. Kemi natyrisht ndryshime politike në Malin e Zi dhe duhet që me autoritetet e reja në Malin e Zi, në koordinim me KFOR-in e me NATO-n, të mund t’i realizojmë ato marrëveshje”, ka thënë Aliu. “Vullneti i mirë ka qenë në qeverisjen e kaluar. Mendoj që edhe në këtë qeverisje do të jetë po ashtu vullneti i mirë”.

Marrëveshjen që nuk hapi rrugët ajrore e patën promovuar vitin e shkuar në Prishtinë edhe kryeministri Albin Kurti dhe tashmë ish-kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.