LAJMET E MBRËMJES

Brenda 54 ditësh asfaltohet njëra nga urat në Ibër

Të hënën është asfaltuar njëra nga urat e ndërtuara mbi lumin Ibër që i lidh dy komunat, atë të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut. Ndërtimi i saj është bërë në një afat rekord prej 54 ditësh. Derisa po kryhej asfaltimi i urës, pranë saj ka pasur edhe prani të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. E qytetarët e kanë mirëpritur ndërtimin e saj.

Vetëm 54 ditë nga përurimi i punimeve, të hënën është asfaltuar njëra nga dy urat e parapara mbi lumin Ibër dhe rruga që e lidh qytetin e Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut.

Ura e paraparë për kalim të automjeteve dhe këmbësorëve me gjatësi prej 51 metra dhe gjerësi prej 10 metra, pritet të lëshohet për qarkullim nga 1 shtator.

Derisa punëtorët e kompanisë së kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës po e kryenin punën me intensitet, në të dyja anët e urës, krejt pranë tyre kanë qëndruar edhe patrulla të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Vendosja e tyre, sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, është bërë për sigurinë e punëtorëve.

“Në momentin që ka filluar në këtë vend puna, ne kemi sjellë policinë në këtë vend, pasi punëtorët duhet të kenë mundësi që të kryejnë punën e vet, pasi kanë qenë në vazhdimësi në pengim nga qytetarët të cilët kanë pas qejf me ardhë edhe me pa se çka po zhvillohet. Do të thotë, një është për arsye të sigurisë së vendpunishtës, që punëtorët të kryejnë punën ashtu siç dinë pa pengesa dhe e dyta ne kemi pasur raste kur na është hedhur më herët në veri mjet eksplodues, si të pompa në Zveçan dhe ne i kemi policët këtu për siguri që të mos ndodhë një situatë e ngjashme”, ka thënë Elshani.

Ndërtimi i kësaj rruge po bëhet në afat rekord dhe për këtë është mburrur edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Vetëm 54 ditë prej kur filluam. Sot po shtrohet asfalti në urë dhe rrugët që e lidhin urën në jug e në veri të Ibrit”, ka thënë Durmishi.

Por, Ministrisë së njëjtë, i është dashur më shumë se 1 vit për të ndërtuar një urë mbi Liqenin e Badovcit, e cila ka gjatësi prej 38 metrash dhe 7 metra e gjysmë e gjerë.

Ndërtimi i urës mbi Ibër është përcjellë me entuziazëm nga qytetarët shqiptarë.

Shumë nga ta të hënën po i vëzhgonin nga afër punimet.

“Unë jam një mërgimtar dhe na këtë urë e përjetojmë si një lidhëse mes dy komuniteteve, serbëve dhe shqiptarëve, edhe pse Kosova është e pandarë, unë vetëm e përgëzoj qeverinë që e ka marrë këtë hap. Ne e shohim shumë pozitive”, ka thënë Sakip Vojvoda, qytetar.

“Unë kam qenë grevist në Trepçë 1 javë ditë, edhe sot me këtë urë që po e shoh sikur kem qenë grevist në atë kohë e kemi luftuar..”, ka thënë një tjetër qytetar, Islam Brahimi.

“Po e bashkojmë vendin tonë, sot me i mbyllë sytë u kry për mua”, ka thënë Sadije Brahimi – qytetare.

Ndërtimi i dy urave mbi lumin Ibër, njëra për kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, e tjetra vetëm për kalimin e këmbësorëve, është bërë pas një memorandumi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave, asaj të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut. 

Vlera totale për ndërtimin e tyre është rreth 3 milionë euro.

Por, pak pas fillimit të punimeve, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për kontratën nën dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.

Projekti ishte përcjellë edhe me reagime nga ndërkombëtarët.