LAJMET E MBRËMJES

Bislimi: Kosova kurrë s’ka pasur marrëveshje për Asociacionin me Serbinë

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka dhënë kritika për Bashkimin Evropian. Ai e akuzoi Brukselin zyrtar se në dialog ka anuar kah Serbia, duke ia akomoduar kërkesat, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për Asociacionin, ai tha se Kosova kurrë nuk ka pasur marrëveshje me Serbinë

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, i ka adresuar kritika të reja Bashkimit Evropian (BE) për anim kah Serbia në dialogun me Kosovën.

Ai, një në intervistë për Deutsche Wellen, theksoi se lehtësuesi i dialogut ka kërkuar përherë veprime nga Kosova për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, teksa shtoi që lista e obligimeve të papërmbushura e Serbisë është dyfish.

Kryenegociatori Bislimi tha po ashtu se në dialog se Serbia është konsideruar subjekti më i fortë ngase e ka marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Nuk ka asnjë lloj dyshimi nëse BE-ja ka qenë apo jo e anshme në këtë proces. Këtë nuk e kundërshton askush. BE-ja ka qenë e anshme në këtë proces dhe ka pasur preference të qarta për akomodimin e kërkesave të Serbisë për arsye se kanë besuar që arritja e një marrëveshjeje për normalizim është nëse i plotëson kërkesat e palës më të fortë në dialog”, ka thënë Bislimi.

Mes kërkesave që ai tha se iu akomoduan Serbisë e përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e për të cilin theksoi se nuk përmendet specifikisht në asnjërin nen të Marrëveshjes Bazë.

“Kosova nuk ka pasur kurrë marrëveshje për Asociacionin me Serbinë. Ka pasur një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila ka qenë një lloj marrëveshjeje transaksionale: Serbia ka kërkuar diçka, Kosova ka kërkuar diçka. Në këtë marrëveshje Serbia ka kërkuar: Asociacionin. Ka kërkuar një garanci të qeverisë së Kosovës që ushtria nuk do të shkojë në kufi në veri pa dakordim me KFOR-in. Dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka thënë Bislimi.

Ai tha se një pjesë e këtyre kërkesave Serbisë iu përmbushën edhe pa nënshkrimin e marrëveshjes, tek e potencoi letrën që ish-kryeministrit Hashim Thaçi ia pati drejtuar shefit të NATO-s për konfirmimin e gatishmërisë për të mos e dërguar ushtrinë në veri pa dakordim të KFOR-it.

“Ajo që unë nuk kuptoj është se si Bashkimi Evropian nuk i ka bërë kurrë presion Serbisë që ajo të dorëzojë të paktën 1 të 10-tën e produktit për të cilin është dakorduar në marrëveshjen e Brukselit, por insiston që ta marrë hisen e tretë të produktit të porositur ndërsa Kosova të mos marrë asgjë në këmbim”, ka theksuar kryenegociatori.

Kritikë Brukselit zyrtar Bislimi i shprehu edhe për heshtjen karshi shkeljes që Serbia ua bën të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.