LAJMET E MBRËMJES

BE: Për heqjen e masave vendosin vendet anëtare, jo Qeveria në Kosovë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë të enjten se për heqjen e masave të vendosura kundër Kosovës do të vendosin vendet anëtare të bllokut evropian dhe jo politikanët në Kosovë, teksa i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili ka kërkuar që këto masa ndëshkuese ndaj vendit të hiqen. 

Kurti ka thënë të enjten se Qeveria që ai e udhëheq i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese. Por Stano ka theksuar se masat Kosovës i janë vendosur për disa arsye.

“Kur i kemi vendosur masat, kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe se mund të hiqen. Por, për këtë vendosin vendet anëtare të BE-së, e jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk ishin vendosur vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin se a do të hiqen masat dhe kur? A do të hiqen të gjitha apo pjesërisht?”, ka thënë Stano.

Kryeministri Kurti ka theksuar se javën e shkuar BE-ja ka miratuar Planin e Rritjes ekonomike, në vlerë prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, i cili një ndër synimet ka edhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit në bllok.

“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, ka thënë ai gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian. 

E sipas Stanos, vendimi për heqjen e mundshme të masave ndaj Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë në të gjithë BE-në.

“Ka masa që janë vendosur ndaj Kosovës për arsye specifike. Kur shtetet anëtare vendosin ta bëjnë këtë dhe arsyet nuk ekzistojnë më, ata do të vendosin të heqin masat përsëri, gradualisht ose tërësisht. Por, nuk lidhet vetëm me një incident apo një ngjarje”, ka shtuar ai.

Në mbledhjen e Këshillit ministror për integrim evropian, Kurti ka folur edhe për aspiratat e Kosovës që të bëhet anëtare e BE-së, tek ka shtuar se Prishtina zyrtare është e gatshme që të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në bllok.

“Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje, andaj Agjenda e Reformave Evropiane në Qeverinë tonë, që nga fillimi i mandatit, është trajtuar me shumë seriozitet”, ka deklaruar Kurti.

Komisioni Evropian (KE) i pati vendosur masa ndëshkuese Kosovës një vit më parë, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Masat e vendosura nga BE-ja përfshinin suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Është suspenduar gjithashtu edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin nëpërmjet Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova ka mbetur jashtë granteve që BE-ja i ka miratuar në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE kanë thënë se shumica e shteteve dërguese të bllokut janë në favor të heqjes së të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së.

Më 15 dhjetor të vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.