LAJMET E MBRËMJES

BE-ja dhe Ambasada Britanike i bëjnë thirrje KPK-së të mos pengojë reformën në drejtësi

Pas shkarkimit të u.d. së kryeprokurorit Besim Kelmendi dhe vendimit për ta refuzuar raportin e komisionit zgjedhor për një anëtar të ri, Zyra e BE-së dhe Ambasada Britanike në Kosovë i kanë kërkuar Këshillit Prokurorial ta respektojnë ligjshmërinë. Ndaj veprimeve të fundit të KPK-së ka reaguar edhe zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, i cili ka deklaruar se ditët në vijim mund të ketë vendime tjera të kundërligjshme

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje sërish Këshillit Prokurorial të Kosovës për sigurim të ligjshmërisë së vendimeve. Thirrja u bë në takimin urgjent që patën përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë me Këshillin Prokurorial.

“Në një takim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të tij që ta zbatojnë bashkërisht dhe në mënyrë të plotë reformën në KPK, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Sundimi i ligjit është parakusht për anëtarësim në BE”, thuhet komunikatën e Zyrës së BE-së. 

Edhe vetë ambasadori Aivo Orav ia pati dhënë paralajmërimin KPK-së të mos ndërmerrte veprime që pengojnë reformën në drejtësi, siç është shkarkimi i u.d. i kryeprokurorit Besim Kelmendi. E respektim të proceseve ligjore KPK-së i ka kërkuar edhe Ambasada Britanike në Kosovë, që e bëri të ditur qëndrimin e saj në një përgjigje për KOHËN. 

“Zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës janë sprovë madhore e aftësisë së Kosovës për të ruajtur reputacionin e saj si një vend ku respektohet sundimi i ligjit dhe ku publiku mund të ketë besim në integritetin e institucioneve të tyre të drejtësisë. I inkurajojmë të gjitha palët të respektojnë proceset ligjore, të përmbahen nga sulmet personale dhe të veprojnë në interes të integritetit gjyqësor”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike. 

Organizatat e shoqërisë civile e kanë quajtur të kundërligjshëm shkarkimin e Kelmendit. 

Edhe zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorolli, vendimet e fundit të KPK-së i ka cilësuar si të kundërligjshme. Sipas tij, ato kanë për synim ruajtjen e privilegjeve koorporatiste që e kanë udhëhequr këtë sistem tash e sa vjet. 

“Kjo reformë nuk është për të ruajtur privilegje, por për të dhënë drejtësi... Gjithçka që po ndodh në Këshill Prokurorial aktualisht e me gjithë këto që do t’i përcillni ju medialisht ditëve të fundit është  pasojë e dorës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe e bashkëpunëtorëve tanë ndërkombëtarë për reformën në Këshillin Prokurorial. Andaj ju në ditët në vijim sigurisht do të shihni edhe gjëra të tjera të cilat janë kryesisht joligjore që ndodhin aty pikërisht që privilegjet kjo organizatë korporatiste, sidomos struktura, aktuale që përbën Këshillin Prokurorial të Kosovës do t’i humbë këto privilegje dhe mundësinë që ata ende ta mbajnë peng reformën në drejtësi”, tha Qorolli në një video-adresim që e ka shpërndarë në Facebook. 

Kryesuesi Ardian Hajdaraj, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, si dhe anëtarët Jetish Maloku, Ariana Shakovci dhe Milot Krasniqi, e shkarkuan Besim Kelmendin në mbledhjen e 20 nëntorit dhe e zëvendësuan atë me Agron Qalajn. Pesë anëtarë të tjerë, përfshirë Kelmendin, atë ditë u larguan nga mbledhja. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit. Ndërkaq në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt të hënën, Qalaj qëndroi në sallë duke e mundësuar praninë e shumicës në KPK. 

Në mbledhjen e 1 dhjetorit u refuzua raporti zgjedhor për zgjedhjen e prokurores Elza Bajrami-Kastratin si anëtare e re e KPK-së. Rezultatet zgjedhore të 1 nëntorit e kanë nxjerrë fituese Elza Bajramin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që fitoi ndaj kundërkandidates Merita Kurtishi-Gakës, së cilës i është rrëzuar ankesa për parregullsi në KPK, meqë pesë vota ishin për dhe pesë kundër.

Në prag të shkarkimit të tij, Besim Kelmendi pati deklaruar se esenca e këtij veprimi është të ndryshohet balanca e votave në Këshill, meqë në janar hyn në fuqi Ligji i ri për Këshillin Prokurorial që redukton numrin e anëtarëve. Këtë e ka mohuar si kryesuesi Hajdaraj, ashtu edhe kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj për të cilin Kelmendi tha se do që me çdo kusht të bëhet u.d. kryeprokuror. 

Besim Kelmendi e ka sfiduar në gjykatë vendimin e nxjerrë me pesë vota pro për shkarkimin e tij nga pozita e kryeprokurorit të Shtetit. Ai ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë - pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe vazhdimin e ushtrimit të pozitës deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative”. Në ankesën e dorëzuar në Themeloren në Prishtinë, Kelmendi ka pretenduar se akti i shkarkimit të cilin e ka nxjerrë KPK-ja përbën llojin më të rëndë të shkeljes së të drejtës administrative. Ai u shkarkua më 20 nëntor, një ditë pasi u mor në pyetje në cilësi të dëshmitarit për rastin e masakrës së Reçakut në Prokurorinë Speciale. 

Anëtarja e KPK-së, Jehona Grantolli e ka propozuar shkarkimin e Kelmendit pas raportimeve në një media lokale se ai ka bashkëpunuar gjatë vitit 1999 me një gjyqtare serbe në rastin e Masakrës së Reçakut. 
Kelmendi e ka mohuar bashkëpunimin në atë rast, ndërsa vendimin për shkarkimin e tij e ka konsideruar të paligjshëm, duke thënë se është marrë në mungesë kuorumi. 

Në linjë me të janë deklaruar edhe disa anëtarë të KPK-së, në mesin e tyre Visar Krasniqi. Sipas Krasniqit çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi është inekzistent. Krasniqi ka thënë se propozimi për shkarkimin e Kelmendit bazohet “në një energji të qartë të një puçi institucional”. 

Reagime kundër shkarkimit të Kelmendit kanë bërë edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe organizatat e shoqërisë civile duke e cilësuar atë si pengesë në zbatimin e reformës në sistemin prokurorial. 

KPK-ja ka 11 anëtarë, por njëri prej tyre, Jovo Radoviq, ka dhënë dorëheqje në vitin 2022 kur nga institucionet e Kosovës u tërhoqën serbët e angazhuar në polici, në prokurori, në gjyqësor dhe në administratën e sistemit të drejtësisë. Kërkesa e Radoviqit për dorëheqje nuk është shqyrtuar nga Këshilli Prokurorial.