Kohën të cilën gjykata ua ka dhënë në dispozicion, për t’u përgatitur para se të fillojnë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve, e konsideruan jo të mjaftueshme avokatët e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, Lluka Mishetiq dhe Aidan Ellis. Në seancën e fundit para pushimeve verore, Mishetiqi tha se mbrojtja nuk po e merr trajtimin e njëjtë si prokuroria
Ankesa lidhur me kohën që ua ka dhënë gjykata për të përgatitur paraqitjen e provave të tyre kanë shprehur avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, dhe ai i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, në çështjen gjyqësore ku të akuzuar janë edhe Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Avokati Mishetiq tha se që nga janari deri në korrik kishin përshtypje se paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve do të fillonin nga mesi i tetorit, pasi këtë kërkesë nuk e kishte kundërshtuar trupi gjykues.
Por në korrik tha se u mor vendim dhe atyre u është thënë që do t’i kenë vetëm dy javë në dispozicion, pa përfshirë pushimin veror, nga koha kur Gjykata do të marrë vendim lidhur me kërkesën sipas rregullit 130, që përcakton kërkesën për rrëzimin e disa akuzave apo aktakuzës në tërësi.
Këtë vendim trupi gjykues e mori më 16 korrik.
“Trupi gjykues e ka ulur kohën për përgatitjen e mbrojtjes nga 10 javë në dy dhe kjo ka krijuar shumë barrë të shtuar dhe vështirësi për mua dhe ekipin tim, i cili ka vazhduar dhe vazhdon të punojë nga 12 orë në ditë, në mënyrë që të mundohet t’i respektojë afatet përkatëse”, ka thënë avokati Mishetiq.
Edhe avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, iu bashkëngjit ankesës së mbrojtjes së Thaçit.
“Ne nuk jemi gati t’i parashtrojmë provat për klientin tonë deri më 25 gusht”, ka thënë avokati Ellis.
Për vendimin e korrikut, që obligon mbrojtjen të fillojë paraqitjen e çështjes më 25 gusht, Mishetiq tha se nuk i është mundësia as që avokatët të ofrojnë parashtrimet e tyre.
Tha se këtë trajtim nuk e ka pasur Zyra e Prokurorit.
“Ne nuk jemi në dijeni në qoftë se trupi gjykues ose gjykatësi i procedurës paraprake e ka trajtuar ndonjëherë ZPS-në në një mënyrë të tillë, që ka vendosur afate për nxjerrën e dokumenteve ose fillimin e provave të ZPS-së, pa ia dhënë asaj mundësinë që të dëgjohet”, ka thënë Mishetiq.
Gjyqtari Guenawl Mettraux tha se mbrojtja ka pasur kohë të fillojë përgatitjet për paraqitjen e provave qysh prej prillit, kur prokuroria ka përfunduar me çështjen e saj.
E sa u përket planeve për thirrjen e dëshmitarëve, Mishetiqi theksoi se deri tani i kanë bërë përgatitjet për tre dëshmitarë, por plani është t’i thërrasin edhe 9 të tjerë.
“Ne synojmë t’i thërrasim 12 dëshmitarë, prej të cilëve 11 presin që të japin dëshminë e tyre në sallën e gjyqit. Megjithatë deri tani jemi të gatshëm t’i konfirmojmë vetëm 3 dëshmitarë”, ka thënë Mishetiq.
Ndërsa avokati Ellis tha se ka planifikuar që si prova t’i paraqesë dëshmitë e pesë dëshmitarëve, por jo të gjithë do të thirren në gjykatore.
Kjo ishte seanca e fundit para pushimeve verore. Punën Specialja do ta rifillojë në mes të gushtit.