Seanca e parë në rigjykimin e rastit “53-milionëshi” është ndërprerë pak çaste pasi nisi të mërkurën. Shkak u bë kërkesa e avokates së Eset Berishës për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, me arsyetimin se ajo nuk është treguar e paanshme. Rasti ku të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj dhe tre ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës ishte kthyer në rigjykim nga Apeli
Rigjykimi i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre ish-zyrtarëve të kësaj ministrie, në rastin e njohur si “53-milionëshi”, është ndërprerë sapo nisi seanca të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Shkak për ndërprerjen është bërë kërkesa e avokates Teutë Xhema, mbrojtëse e të akuzuarit Eset Berisha, për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, me arsyetimin se ajo nuk është e paanshme.
“Kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues për shkak të dyshimit për mungesë të paanshmërisë dhe theksojmë se kryetarja e trupit gjykues gjatë shqyrtimit paraprak duke ushtruar detyrën e kryetarit të trupit gjykues në lëndën PS4/22. Jo vetëm që nuk e ka zbatuar nenin 7, paragrafi 2 të KPPK, i cili e detyron që me ndërgjegje dhe përkushtim maksimal të vërtetojë faktet, provat fajësues si dhe ato shfajësuese, por në arsyetimin e vendimit e ka bërë shtrembërimin dhe manipulimin e provave personale dhe materiale”, ka thënë avokatja Xhema.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, kërkoi dy minuta pauzë për konsultime e pas kthimit e ndërpreu seancën.
“Trupi gjykues merr aktvendim: Ndërpritet seanca e sotme. Kërkesa e njëjtë do t’i dërgohet kryetares së gjykatës për vlerësim dhe shqyrtim”, ka kumtuar gjyqtarja Namani-Hajra.
Në këtë rast të akuzuar për korrupsion janë: Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Në janar të vitit 2024, Themelorja i shpalli fajtorë të akuzuarit dhe i dënoi në total me mbi 10 vjet burgim. Por, vendimi nuk është pranuar nga të dënuarit dhe avokatët e kanë apeluar atë.
Me pas Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim me arsyetimin se aktgjykimi nuk e mbështet bindshëm pretendimin se Lekaj dhe Berisha kanë injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”. Apeli ka vlerësuar se kompetencat e kësaj kompanie nuk ishin të specifikuara mjaftueshëm me kontratë.
“Hill International” ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës për 8.7 milionë euro për të mbikëqyrur projektin e autostradës “Arbën Xhaferri” dhe, sipas provave, asnjë pagesë nuk ishte bërë pa certifikimin e saj.
Megjithatë, sipas aktgjykimit të Themelores, Qeveria pati ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel & Enka” që ka kryer punimet në autostradë, pavarësisht se “Hill International” pati vlerësuar se duhej paguar vetëm 14 milionë euro si kompensim për vonesën në alokimin e buxhetit.