LAJMET E MBRËMJES

Autoritetet u bëjnë thirrje serbëve të dalin në zgjedhje

Presidentja Vjosa Osmani dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u bënë thirrje qytetarëve serbë në veriun e Kosovë që të dielën ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë. Osmani u ofroi garancinë se për sigurinë e tyre do të përkujdesen autoritetet e Kosovës. Ndërkaq Sveçla theksoi se 23 prilli do të jetë ditë e çlirimit të tyre nga grupet që udhëhoqën nën diktatin e Beogradit

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar të gjithë qytetarët serbë në veri të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë të dielën dhe i ka siguruar se autoritetet në Kosovë do t’ua garantojnë sigurinë në ditën e zgjedhjeve.

Një ditë para procesit elektoral, Osmani nëpërmjet një komunikate për media ka shprehur mirëkuptim për qytetarët serbë që janë kërcënuar dhe janë ndier të kërcënuar ditëve të fundit, shkaku i thirrjeve nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në zgjedhje.

Atyre ua përçoi mesazhin që t’i refuzojnë ata që u shkojnë me kërcënime dhe shantazhe.

“Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diele, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’iu dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, me pjesëmarrjen në zgjedhje, serbët do të dërgojnë një mesazh të fortë për ata që, sipas saj, po frikësojnë edhe shtypin.

Krahas Osmanit, thirrje për refuzim të presionit dhe kërcënimeve nga Serbia e Lista Serbe ka shprehur të shtunën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, e kualifikoi të dielën si ditën kur qytetarët serbë të veriut do të çlirohen nga grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion iu kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”, ka shkruar Sveçla. “Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb, të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë, ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”.

Ai u ka bërë thirrje serbëve në veri që të dielën të dalin të votojnë “përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara”.

Procesi elektoral që të dielën do të zhvillohet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq është bojkotuar nga Lista Serbe. Eksponentë politikë në veri, që u përkasin partive të tjera politike, kanë theksuar se Lista Serbe, por edhe Beogradi zyrtar, kanë ndërmarrë fushatë kërcënimi e etiketimi, si ndaj kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhje, po ashtu edhe ndaj votuesve.

Në këto zgjedhje, komuniteti serb do të përfaqësohet vetëm me një kandidate, pas tërheqjes nga gara të mërkurën të Aleksandar Jabllanoviqit.