Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Asamblisti i LVV-së dhe katër persona të tjerë kapen duke trafikuar drogë në Shqipëri

Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes, është arrestuar në kryeqytetin e Shqipërisë bashkë me katër persona të tjerë, pasi iu gjetën 11 mijë e 300 tableta të dyshuara si drogë e rëndë, ekstazi. Pesha e drogës, që për destinim kishte bregdetin e frekuentuar, është mbi 5 kilogramë, ndërsa ka vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Arrestimi nxiti akuza të opozitës, ndërkaq Vetëvendosja e shkarkoi Mujecin nga anëtarësia dhe çdo funksion në parti.

Asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Besnik Mujeci, bashkë me katër persona të tjerë është arrestuar nga Policia e Shqipërisë, nën dyshimin për trafikim droge.

Zyrtari, që partia në pushtet synoi ta bënte aksionar të Stacionit të Autobusëve, në kryeqytet, u kap në flagrancë me një kosovar dhe tre shtetas të Shqipërisë, derisa ndodheshin në afërsi të stacionit të autobusëve në Tiranë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Policia e Shqipërisë bëri të ditur se atyre iu gjetën 11 mijë e 300 tableta të dyshuara si drogë e rëndë, ekstazi. Pesha e drogës, që për destinim kishte bregdetin e frekuentuar, është mbi 5 kilogramë, ndërsa ka vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

“Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht në bregdetin e Shqipërisë, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, ka theksuar drejtori i Policisë në Tiranë, Tonin Vocaj.

Sipas Policisë së Shqipërisë, droga trafikohej nga Kosova.

“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik, i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë”, ka theksuar Vocaj.

Pas arrestimit që ka ndodhur në Shqipëri, opozita në Kosovë ka fajësuar autoritetet për mosreagim ndaj njerëzve të lidhur me pushtetin.

“Një gjë po del të jetë e qartë: Në Kosovë, besnikët e Vetëvendosjes nuk zihen kurrë, sepse pushteti i mbron. Ata tregtojnë lirshëm dhe rriten e bëhen dilerë të mëdhenj, si ky asamblist, saqë i kalojnë edhe kufijtë”, ka deklaruar Leutrim R, shef i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se arrestimi i sotëm tregon se jorastësisht partia në pushtet synoi ta bënte Mujecin aksionar në Stacionin e Autobusëve.

“Nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asamblist - pikërisht këtë pra - si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, ka vlerësuar Abdixhiku.

Pas arrestimit, Vetëvendosja e ka përjashtuar nga partia asamblistin Mujeci.

“Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje! Lëvizja Vetëvendosje! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”, ka shkruar në Facebook, sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Alim Rama.

Asamblistit Mujeci dhe katër të arrestuarve të tjerë, përpos tabletave të ekstazisë, u janë sekuestruar edhe një sasi e lëndëve narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare.