LAJMET E MBRËMJES

Arrestohet personi që dyshohet se u përshkruante fëmijëve autikë ilaçe të kafshëve

Është arrestuar të martën Arianit Sllamniku, i cili dyshohet se përshkruante ilaçe të kafshëve për fëmijët me autizëm. Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Mes shumë reagimeve, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, ka thënë se ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve të mjaftueshme nga shteti

I dyshuari për përshkrim të ilaçeve për shërim të autizmit në këmbim të parave, Arianit Sllamniku, është ndaluar nga autoritetet për 48 orë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, ka thënë për KOHËN se Policia është autorizuar të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin. 

“Mund t’ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilin keni pyetur, ai është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse”, ka thënë Policia.

E pak para ndalimit të tij të martën, Sllamniku nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij Facebook, ka thënë se gjatë gjithë kohës ka punuar për ruajtjen e shëndetit publik, duke përmendur edhe protestat e tij kundër vaksinimit gjatë pandemisë COVID-19.

“Në 2021 kur të gjithë pritnin rendin për vaksinim në radhë, unë dola dhe protestova në emër të ruajtjes së shëndetit të të gjithëve nga vaksinat e patestuara! Edhe këto ditë si dikur me 2021, u quajta me fjalët më të rënda por heshta dhe prita e derisa prisja filluan të shtohen zërat që kanë gabuar se janë vaksinuar! Dmth të gjithë ata që më kanë shkruar në mbështetje dhe përkrahje morale, i falënderoj pa masë derisa të vaksinuarve me 2021 ju them se: I njëjti milet jeni. Sikur në 2021 po e përjetoj tani 2026... asgjë e re. Qershitë do t’i hani sikur pas gabimit tuaj më 2021, por shëndetin tuaj dhe të fëmijëve tuaj nuk do ta keni si më parë!”, ka shkruar Sllamniku
Policia ka kontrolluarvendin ku Sllamniku ushtronte veprimtarinë e tij. 

“Janë sekuestruar gjatë kontrollit dy armë zjarri të gjata (me leje përkatëse), dy armë zjarri të shkurtra (me leje përkatëse), sasi e municionit dhe disa karikatorë, medikamente të ndryshme, libra protokolli dhe pajisje elektronike, përfshirë shtëpisë kompjuteri, telefon dhe mikroçipa. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës, që ka thënë se në bastisje kanë qenë prezencë edhe inspektorë përkatës të Ministrisë së Shëndetësisë. 

Policia po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga Sllamniku dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, të paraqiten në ambientet e Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit.

Policia është edhe në proces të identifikimit dhe intervistimit të dëshmitarëve, respektivisht nënave të fëmijëve me autizëm, që në deklaratat për media kanë pretenduar se Sllamniku u ka përshkruar ilaçe për kafshë.

Për rastin ka reaguar edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, e cila e ka cilësuar këtë si fenomen alarmant.

“Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) shpreh shqetësim të thellë lidhur me raportimet e publikuara nga media për rastin në Gjilan, ku një individ dyshohet se ka ofruar ‘trajtime’ për autizëm, përfshirë përdorimin e substancave të destinuara për kafshë, duke i paraqitur ato si terapi shëruese për fëmijë”, thuhet në reagimin e tyre. 

Sipas kësaj shoqate, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve të mjaftueshme, të qasshme dhe të integruara për fëmijët me çrregullime të zhvillimit, përfshirë autizmin.
Për rastin ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve. 

“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagim.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, në reagimin e tij, ka thënë se përhapja e pretendimeve të pabazuara shkencërisht se autizmi mund të shërohet është e rrezikshme dhe mashtruese. 

“Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë”, thuhet mes tjerash në reagimin e KOMF-it

Autizmi është gjendje neurozhvillimore që ndikon në mënyrën se si një person komunikon, ndërvepron me të tjerët dhe e percepton botën.

Në faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku janë të listuara aktgjykimet nga viti 2016 e tutje, figurojnë shtatë raste për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike që kanë përfunduar me dënim.

Rasti më i freskët është ai i vitit 2023, kur një person që pretendonte se posedonte aftësi mbinatyrore për shërimin e sëmundjeve të rënda fizike e psikike është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe me 42 mijë euro gjobë.