Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Arrestohen 34 të dyshuar për veprimtari të paligjshme, 29 dërgohen në mbajtje

Arrestime

Një aksion i gjerë policor kundër bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale, i shtrirë në disa rajone të vendit, ka rezultuar me dhjetëra arrestime dhe sekuestrime të konsiderueshme të parave, automjeteve dhe pajisjeve të dyshuara për përdorim në aktivitete të kundërligjshme

34 persona janë arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar të shtunën mbrëma dhe dielën në mëngjes nga Policia në rajonet e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt, si pjesë e hetimeve për veprimtari të kundërligjshme që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas njoftimit nga Policia, aksioni është realizuar në rreth 50 lokacione të ndryshme, duke përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për zhvillimin e këtyre aktiviteteve.

E me vendim të prokurorit, 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Në totalin e bastisjeve/kontrolleve dhe arrestimeve janë përfshirë edhe veprimet e ndërmarra policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione të ndryshme, 8 persona janë arrestuar dhe nga ta 4 janë dërguar në mbajtje. Këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe organizimit të aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, në Mitrovicë dhe Vushtrri, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të shtunën në mbrëmje janë sekuestruar 150 mijë euro. 

“Në të gjithë territorin e Kosovës, me të njëjtin përcaktim: luftimin e kriminalitetit pa kompromis.  Përveç aksionit anti-drogë në Pejë, mbrëmë u zhvillua edhe një aksion tjetër i madh i Policisë së Kosovës në dhjetëra lokacione të ndryshme në Mitrovicë dhe Vushtrri, me objekt veprimtari të dyshimta në lidhje me veprat penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Të përkushtuar për rend dhe ligj. Kudo”, ka shkruar Sveçla.

Policia dhe Prokuroria të shtunën në një aksion tjetër antidrogë në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës, kanë zbuluar dhe shkatërruar një laborator për prodhimin e narkotikëve të llojit kanabis sativa.

Autoritetet kanë bërë të ditur se një person është ndaluar për 48 orë, ndërsa bimët narkotike janë asgjësuar.