Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Anketa e Bankës Botërore: Një e treta e gjyqtarëve besojnë se ka korrupsion në sistemin gjyqësor

Banka Botërore

Sipas një raporti të Bankës Botërore të prezantuar të enjten, gjyqtarët dhe prokurorët kanë vlerësimin shumë më pozitiv për punën e institucioneve ku punojnë sesa qytetarët për ta. Raporti gjithashtu evidenton se një e treta e gjyqtarëve të anketuar kanë deklaruar se besojnë se ka korrupsion në gjyqësor, perceptim ky i ndarë edhe nga 72 për qind e avokatëve dhe qytetarëve të përfshirë në anketë

Derisa 96 për qind e gjyqtarëve vlerësojnë se puna e gjyqësorit është cilësore, këtë mendim e ndajnë vetëm 62 për qind e qytetarëve, ka treguar një raporti i Bankës Botërore (BB), i prezantuar të enjten.
E në kontrast me vlerësimin e gjyqtarëve për punën e tyre, vetë ata – apo 34 për qind e tyre – kanë shprehur besimin se ka korrupsion në sistemin gjyqësor.

Sipas anëtarit të Këshillit Gjyqësor, Artan Abazi, ky perceptim më shumë pasqyron pikëpamje subjektive të vetë gjyqtarëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjyqtarët në përgjigjet e tyre mund të jenë edhe subjektivë. Siç tha edhe kryesuesi i KPK-së, deklarimi i gjyqtarëve që kanë deklaruar në anketë se ka rezultate pozitive në sistemin gjyqësor po përputhet plotësisht me rritjen e perceptimit të mirë dhe pozitiv të qytetarëve që kanë pasur përvojë me sistemin gjyqësor”, ka thënë Abazi.

Se ka korrupsion në sistemin gjyqësor besojnë edhe 72 për qind e avokatëve dhe 72 për qind e qytetarëve, thotë anketa e BB-së.

Po ashtu edhe prokurorët kanë vlerësuar punën e tyre. Anketa tregon se 94 për qind janë deklaruar pozitivisht për punën e prokurorisë, ndërsa vetëm 58 për qind e qytetarëve kanë ndarë të njëjtin vlerësim.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, ka thënë se raporti tregon nivel më të lartë besimi te qytetarët që kanë pasur përvojë të drejtpërdrejtë me institucionet e drejtësisë.

“Janë pikërisht ata qytetarë që kanë pasur punë me organet e drejtësisë, janë pikërisht ata që e kanë ngritur nivelin e besimit sepse kanë një besim shumë më të lartë në raport me ata që nuk kanë pasur fare të bëjnë me organet e drejtësisë që kanë një shkallë shumë më të ulët të besimit. Kjo tregon që provojnë të kenë çfarëdo rasti, qoftë në prokurori, qoftë në gjykatë e shohin që nuk është ashtu sikurse mendojnë të tjerët”, ka thënë Gashi.

Njësoj edhe te gjyqësori, sipas raportit, perceptim më pozitiv kanë qytetarët që kanë pasur punë me të.

E, sipas specialistit të sektorit publik në Bankën Botërore, Klaus Decker, perceptimi më pozitiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve për punën e tyre krahasuar me qytetarët, është fenomen i hasur edhe në shtetet e tjera.

“Kjo është diçka që nuk është specifike vetëm për Kosovën. E gjejmë në të gjashtë ekonomitë që mbulohen nga kjo anketë. Është gjithashtu në përputhje me përvojën nga anketat tjera, dhe, edhe nëse bëni një hap prapa, pavarësisht nga kjo anketë për drejtësinë, nëse dikush do të më pyeste ‘Oh Klaus, çfarë mendon për punën tënde’, unë gjithmonë do të jem më pozitiv sesa kur ta pyesësh një klient se sa i kënaqur është me punën që po bëj”, ka thënë Decker.

Raporti ka gjetur se besimi i përgjithshëm te gjyqësori ka shënuar rritje modeste që nga viti 2020, periudhë gjatë së cilës perceptimet për dukuritë negative, si korrupsioni dhe ndikimet politike, kanë pësuar rënie të përgjithshme.