LAJMET E MBRËMJES

Aksion në veri për të zbardhur vrasjen e doganierit të EULEX-it

Prokuroria Speciale ka zhvilluar aksion në nëntë lokacione në veri dhe ka konfiskuar armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Në kuadër të aksionit në bashkëpunim me policinë, janë intervistuar shtatë persona të cilët janë liruar në procedurë të rregullt në kuadër të hetimit për vrasjen e doganierit të EULEX-it, Audrius Senavicius më 2013. Aksioni është përgëzuar nga misioni i BE-së e është kritikuar në Beograd

Prokuroria Speciale ka realizuar të dielën aksion në disa lokacione në veri në kuadër të hetimit për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it Audrius Senavicius, më 2013 në Komunën e Zveçanit.

Aksioni i kryer në Zveçan e Zubin-Potok, për veprat penale “rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, është mbyllur me arrestimin shtatë të dyshuarve dhe me sekuestrim të armëve.

“Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa, gjatë zbatimit të urdhrit për bastisje, si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale sikurse: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme etj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Bastisjet janë kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe siç ka njoftuar prokuroria kanë pasur për qëllim verifikimin e informatave dhe identifikimin e mundshëm të provave relevante për vrasjen e pjesëtarit lituanez të EULEX-it.

Aksioni është përgëzuar nga misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit. 

“EULEX-i përgëzon organet e Kosovës për sundimin e ligjit për përpjekjet e tyre për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Mezi presim të shohim një proces të drejtë e rigoroz ligjor që mund ta ndriçojë vrasjen mizore të një punëtori të pafajshëm të paqes”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për KOHË-n. 

Edhe për këtë aksion, kanë reaguar zyrtarë serbë në Kosovë dhe në Serbi. E kanë cilësuar si “vazhdim i shtypjes së serbëve”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në reagimin e saj ka thënë se aksioni është hakmarrje e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për siç ka thënë, “fitoren e Listës Serbe në komunat me shumicë serbe”. 

Kjo zyrë ka premtuar edhe se do t’i mbështesë të dyshuarit, teksa ka pretenduar për frikësim të serbëve. 

“Rrethimi policor dhe frikësimi i serbëve zgjati për disa orë, dhe gjatë këtij aksioni brutal, forcat speciale të Kurtit thyen dyert e shtëpive serbe, duke kryer kontrolle dhe bastisje, dhe duke ndaluar në mënyrë arbitrare bashkatdhetarët tanë. Atyre do t'u ofrohet ndihmë ligjore, dhe ne gjithashtu do t'i informojmë përfaqësuesit ndërkombëtarë për zbatimin e tyre”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë se “arrestimet brutale të serbëve” në Zubin Potok dhe Zveçan, janë pjesë e një fushate “të terrorit të organizuar” nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kundër serbëve.

Edhe kjo parti akuzoi autoritetet kosovare për “hakmarrje politike ndaj popullit serbë në veri, pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet e fundit”.

“Duke pasur parasysh rundin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale dhe krizën në Prishtinë, i bëjmë thirrje popullit tonë të qëndrojë i qetë dhe i bashkuar, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Asnjë veprim frikësues nuk do të thyejë shpirtin e popullit serb apo vendosmërinë tonë për të mbetur në vatrat tona shekullore, dhe na takon neve të ruajmë njëri-tjetrin dhe paqen që na nevojitet aq shumë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Doganieri i EULEX-it, Audrius Senavicius, është qëlluar në Ballaban të Zveçanit më 19 shtator 2013 në orët e para të mëngjesit dhe vdiq gjatë trajtimit spitalor.

Ai është vrarë në një pritë, teksa ishin sulmuar dy vetura të EULEX-it, që po ktheheshin nga pika kufitare me Serbinë në Jarinjë për në jug të Mitrovicës.

Në sulm ishin plagosur edhe dy pjesëtarë të tjerë të EULEX-it.

Atëbotë, një ekip i përzier i hetuesve të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës kishin kryer hetime.

EULEX-i ka ofruar në vazhdimësi shpërblim monetar për këdo që jep informata rreth vrasjes së Senaviciusit.

Për herë të fundit, sivjet në 12-vjetorin e vrasjes, ka ofruar 82,000 euro për një informatë të tillë.