Përfaqësues të Vetëvendosjes dhe të Partisë Demokratike në KQZ kanë kërkuar zgjatjen e afatit për akreditimin e vëzhguesve nga subjektet politike, i cili përfundon më 15 janar. Por kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se koha për akreditim përcaktohet me ligj dhe se nuk mund të zgjatet. E në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja akreditoi 2.274 vëzhgues, prej të cilëve 1.725 nga Lidhja Demokratike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së hënës ka akredituar 2.274 vëzhgues nga 4 parti për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
95 nga ta janë të Partisë Demokratike, 1.725 të Lidhjes Demokratike, 234 të koalicionit Vakat, kurse 220 të “Demoktratska Stranka”.
Përfaqësues të Vetëvendosjes dhe të PDK-së në KQZ, kërkuan zgjatjen e afatit për akreditim, i cili përfundon pas dy ditësh.
“Në qoftë se ka mundësi që të zgjatet afati apo të u jepet një mundësi partive politike për të bërë plotësime brenda vëzhguesve unë jam darkord. E di që ligji i përcakton afatet edhe për subjektet politike edhe për organizatat joqeveritare, por ta keni parasysh çështjen e sfidimit”, ka thënë anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.
Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit, kjo do të përbënte shkelje të ligjit.
“Përkundër të gjitha mendimeve të juaja, mendoj që është shkelje e ligjit nëse e shkurtojmë afatin siç e përcakton ligji vetë. Në realitet e shkurtojmë këtë 25 ditshin siç e kërkon ligji dhe kjo është dispozitë ligjore dhe nuk është rregull e KQZ-së. Unë nuk mund ta përkrah, ju e keni të drejtën e votës”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së.
E Sami Kurteshi, anëtar i komisionit nga Vetëvendosje, tha se ligji bën edhe të shkelet në këtë rast.
Edhe
Mbi 16 mijë e 500 vëzhgues të akredituar për zgjedhjet e 7 qershorit
“Në këtë rast nuk po kërkojmë, unë së paku, kërkesa ime nuk përmbante ndonjë element të diskriminimit ndaj një subjekti. E dyta, po mund të shkelet ligji por kjo shkelje e ligjit nuk e diskriminon askënd”, tha Kurteshi.
Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara përfundon më 15 janar, për organizata joqeveritare vendore më 25 të këtij muaji, derisa për media më 4 shkurt.