LAJMET E MBRËMJES

Afër parashkrimit, një nga dy veprat për të cilat akuzohen Sveçla, Zyba, Pacolli e Millaku

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje do të lirohen nga njëra prej dy veprave penale që u vihen në barrë për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. Vepra do ta mbërrijë afatin e vjetërsimit më 21 mars, teksa shqyrtimi fillestar për rastin që ndodhi rreth gjashtë vjet më parë nuk ka nisur as të martën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli dhe Salih Zyba, kanë dalë të martën para Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u përballur rreth përgjegjësisë penale për hedhje të gazit lotsjellës, rreth gjashtë vjet më parë në Kuvend.

Ata akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, si dhe për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Aktakuza ndaj tyre është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 korrik të 2019-s dhe përveç Sveçlës, Pacollit e Zybës ajo e përfshin edhe deputeten tjetër të LVV-së, Drita Millaku, mungesa e së cilës në gjykatore është përdorur si një prej arsyeve për shtyrjen e seancës së shqyrtimit fillestar për rastin.

Gjyqtari Sabit Sadikaj, pas hapjes së shqyrtimit fillestar dhe konstatimit të pranisë së palëve, ka thënë që në rast se Millaku nuk do të paraqitet në seancën e radhës, atëherë do ta përdorë mundësinë e gjykimit ndaras të të pandehurve.

“Do të presim përgjigje nga e pandehura Drita Millaku lidhur me gjendjen e saj shëndetësore dhe nëse prapë e njëjta nuk mund të paraqitet, procedura ndaj saj do të veçohet dhe do të vazhdojë procedura ndaj të pandehurve të tjerë”, ka thënë ai.

Edhe sikur Millaku të paraqitej në gjykatore, seanca nuk do të zhvillohej pasi që të akuzuarit nuk kanë angazhuar avokatë.

“Nuk keni mbrojtës, derisa mbrojtës parashihet për këtë vepër penale për të cilën akuzoheni. A angazhoni avokat apo duhet gjykata t’ua caktojë?”, ka pyetur gjyqtari Sadikaj.

Ministri i Brendshëm Sveçla, në përgjigjen e tij, ka theksuar se ai nuk ka nevojë për avokat. Përgjigje të njëjtë kanë dhënë edhe deputetët Zyba e Pacolli.

Por gjyqtari i ka informuar të pandehurit se mbrojtja është e obligueshme dhe se do të kërkojë që për ta të caktohen avokatë sipas detyrës zyrtare.

“Gjykata do ta njoftojë Odën e Avokatëve në mënyrë që për seancën e ardhshme t’iu caktohet avokat dhe të vazhdojmë me procedurën penale”, ka theksuar Sadikaj.

Seanca e radhës lidhur me rastin caktuar për datën 28 shkurt, më pak se një muaj përpara se një nga dy veprat për të cilat akuzohen zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje do të bjerë shkaku i vjetërsimit. Afati i parashkrimit absolut për veprën penale: “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” mbërrihet më 21 mars.

Vitin e kaluar është vjetruar edhe rasti penal kundër Sveçlës, kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, dhe 11 të tjerëve, për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.

Të dyja rastet lidhen me përfshirjen e këtyre zyrtarëve në veprime brenda e jashtë institucioneve, kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe kundër marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Në bazë të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), “Amnistimi i kriminalitetit përmes parashkrimit”, publikuar në dhjetor të 2023-s, ka edhe raste të tjera të politikanëve që rrezikojnë të parashkruhen sivjet në mungesë të vendimit të formës së prerë.

Sipas këtij raporti, ndjekje penale pritet t’u parashkruhet edhe deputetit të LVV-së, Valon Ramadani dhe atij të Partisë Demokratike (PDK), Xhavit Haliti.

Ramadanit pritet që akuza për veprën penale: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” t’i parashkruhet më 21 mars e deputetit Xhavit Haliti më 18 maj për veprën penale “sulm”.

Një prej rekomandimeve raporteve të IKD-së ishte që të shmangen zvarritjet e paarsyeshme të rasteve të politikanëve, që gjyqtarët t’i zbatojnë masat e paraqitjes e parapara me Kodin Penal në raste të mungesave në seanca pa arsyetim dhe që kryetarët e gjykatave ta marrin për bazë rastet me rrezik parashkrimi në atë mënyrë që të angazhohen që ato të mos parashkruhen.