Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që sa më parë të organizohen zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dhe krahas kësaj, të formohet edhe një ekip profesionistësh për ta hartuar draftstatutin e Asociacionit. Qëndrimin e shprehu pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, në kuadër të nismës për të siguruar mbështetje për ndërtimin e masës kritike dhe zërit alternativ.
Shtatë pika për rrugën përpara pa Kurtin i ka prezantuar Lidhja Demokratike, në takimin me përfaqësues të shoqërisë civile që e ka mbajtur të martën.
Ajo ka kërkuar që sa më parë të organizohen zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Krahas kësaj, ka kërkuar edhe krijimin e një ekipi profesionistësh për ta hartuar draftstatutin e Asociacionit.
Qëndrimet i bëri të ditura kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit që u mbajt me dyer të mbyllura.
“Për LDK-në gjendja e tanishme kërkon shtensionim, zgjedhje të reja sa më parë që të jetë e mundshme me qëllim të kthimit të legjitimitetit tek institucionet lokale në katër komunat veriore, i dëmtuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Duhet të organizohen nëpërmjet një marrëveshjeje politike të pjesëmarrësve në zgjedhje, VV-së, PDK-së dhe katër kryetarëve aktualë për dorëheqjet e tyre dhe shkaktim të zgjedhjeve për 45 ditë”, tha ai.
Takimi i Abdixhikut me përfaqësues të shoqërisë civile është i dyti, prejse ka ndërmarrë nismën për të siguruar mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ. Takimin e parë e ka zhvilluar me gazetarë e opinionistë.
Kryetari i LDK-së ka përsëritur se zgjidhjen e situatës synon ta bëjë pa kryeministrin e Kosovës.
“Nuk shoh rrugë përpara me këtë qeveri, prandaj rruga jonë s’ka të bëjë me bashkëpunim me këto institucione që i kanë sjellë vendit tension, përplasje dhe s’janë të afta të dalin nga kjo. Po flas për rrugë të tretë, në të cilën rrugë të tretë kryeministri i Kosovës s’ka vend”, theksoi Abdixhiku.
Abdixhiku ka shtruar nevojën për krijimin e ekipeve me profesionistë e diplomatë, që të dërgohen me mision në kryeqendrat botërore për të kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.