LAJMET E MBRËMJES

AAK-ja sheh probleme në draftstatutin e Asociacionit, VV-ja beson në garancitë e QUINT-it

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka probleme madhore që duhen adresuar në Kushtetuese, ndërkohë nga LVV-ja kanë deklaruar se nuk do të ketë nivel të tretë udhëheqjeje në Kosovë dhe se as Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ende përgjigje në komentet që i ka adresuar te ndërmjetësi

Drafti i Asociacionit ka probleme madhore që duhen adresuar në Kushtetuese, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka deklaruar të dielën, se ata ende nuk kanë marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takim për të diskutuar lidhur me draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Derisa kritikoi ekzekutivin se nuk ka sjellë as njohje, as anëtarësime në organizata ndërkombëtare, Tahiri ka kritikuar Kurtin edhe për pranimin e draftit si bazë.

“Në ditën që e kemi marrë zyrtarisht, në të njëjtën ditë e kemi skanuar dhe atë draftstatut ia kemi dërguar të gjithë anëtarëve të kryesisë së partisë për ta lexuar në mënyrë transparente dhe po ashtu e kemi caktuar një mbledhje të kryesisë për të diskutuar, në të cilin takim kanë diskutuar të parët ata që kanë dorëzuar komente me shkrim dhe e kemi dhënë qëndrimin tonë të parët ku kemi thënë se ky statut ka probleme serioze të cilat duhet t’i adresojë gjykata kushtetuese”, ka thënë ai.

Nga Zyra e BE-së në Prishtinë drafti u është dorëzuar edhe dy partive të tjera opozitare në Kuvend, PDK-së e LDK-së, por zyrtarë të tyre ende nuk janë deklaruar.

E kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, është shprehur se me themelimin e Asociacionit nuk do të ketë pushtet të tretë në Kosovë.

“Nuk pritet dhe nuk ka asnjë hapësirë dhe mundësi të ndryshohet. Për mbi tërë këtë janë edhe garancitë e partnerëve, gjegjësisht aleatëve në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ka pasur kërkesa apo insistime se kjo mund të krijojë një sistem të tretë të qeverisjes në Kosovë kam qenë vetë prezent ku ka pasur reagime të përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it, në kundërshti me këtë teori apo presupozim”, ka thënë ajo.

Ka thënë se Qeveria ende nuk ka marrë përgjigje nga ndërmjetësit lidhur me propozimet e veta për draftin.

“Pastaj edhe fazat e zbatimit, prandaj çkado që themi ne, do të mund të ishte e tepër ose jashtë kontekstit me ngjarjet që mund të pasojnë si rezultat i finalizimit të këtij drafti apo plotësimit të tij”, ka shtuar ajo.

Drafti për Asociacionin është prezantuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Kurti e ka pranuar në parim.

Për të presidentja Osmani ka paralajmëruar edhe një takim me partitë parlamentare.