Kritika të shumta i janë drejtuar Qeverisë nga përfaqësues të sindikatave të punëtorëve të sektorit publik, në takim me përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas sindikalistëve, dorëheqjet janë shpeshtuar nga pakënaqësia që sipas tyre, ka sjellë ligji i pagave. E AAK-ja ka kërkuar që koeficienti të rritet nga 105 euro në 129, si dhe është zotuar për hartimin e një ligji të ri
Të pakënaqur me Ligjin e Pagave janë shprehur përfaqësues të disa sindikatave në takimin e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të martën.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, pas dëgjimit të ankesave të sindikalistëve, paralajmëroi se do të nisë procedurën e konsultimit ndërpartiak për rritjen e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro.
Po ashtu, tha se AAK-ja do të iniciojë hartimin e një ligji, ku siç tha, do të adresohen të gjitha padrejtësitë.
“Grupi ynë parlamentar do të nisë procedurën e konsultimit ndërpartiak në Kuvend për vendosjen e koeficientit. Grupi parlamentar i yni do ta marrë nismën ligjore për hartimin e Ligjit të Pagave mbi atë që ne besojmë që është e drejtë”, tha Tahiri.
Sindikalistë të Policisë dhe Arsimit thanë se shkaku i Ligjit të pagave, janë shpeshtuar dorëheqjet.
“Përpos ankesave që vijnë tek në si Sindikatë, kemi edhe ankesa individuale që ka sjellë një trend të dorëheqjeve vullnetare në Polici. Jemi në shkatërrim e sipër të institucionit të Policisë me këtë trajtim, e dikush nuk po e çan kokën. Nga themelimi kemi 2000 dorëheqje vullnetare në Polici e vetëm për këtë vit 40”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se Ligji i pagave ka krijuar një zhgënjim në arsim.
Në tryezë, Qeveria u kritikua edhe për shkëputje të tërësishme nga dialogu me sindikatat.
“Të shkëputet në tërësi dialogu social dhe të provohet shtetëzimi i sindikatave nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”, tha Mursel Zymberi nga Sindikata e shërbyesve civilë.
Ligji i pagave, që ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit pas pranimit të 104 ankesave.