LAJMET E MBRËMJES

AAK-ja dërgon në Kushtetuese çështjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrahur nga deputetë të PDK-së dhe LDK-së ka dorëzuar në Kushtetuese vlerësimin e propozimit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Po ashtu kërkon edhe pezullim të përkohshëm të seancave deri në shqyrtim të lëndës.

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar të hënën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kërkesa është nënshkruar nga 11 deputetë që vijnë nga AAK-ja, LDK-ja dhe PDK-ja.

Përmes saj është kërkuar edhe pezullimi i përkohshëm  i seancave deri në shqyrtim të lëndës.

“Raporti është hartuar nga ekspertë të AAK-së, dhe ne kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që kjo të trajtohet me prioritet, duke konsideruar që është shkelje ligjore, po mendojmë që po zhvlerësohet edhe vlera e Kuvendit duke mbajtur seanca plenare çdo 48 orë dhe seanca të cilat i konsiderojmë që po shkelet Kushtetuta e Kosovës. I lutem akterët që ta trajtojnë me prioritet, ndoshta edhe me një pezullim të përkohshëm, me një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa gjykata me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta merr një vendim”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj ka përmendur faktin se kryesuesi i seancës konstituive më 5 maj ka ndryshuar formën e votimit për kryeparlamentaren.

“Kjo qeveri nuk ka reflektuar, ka pasur parti që kanë dhënë edhe opsione të tjera, që ndoshta ndonjë kandidat tjetër që është më konsensual do t’i kishte votat e opozitës, mirëpo këta po vazhdojnë me kandidatin e njëjtë. Është detyrë e tyre me gjet zgjidhje, nuk është detyrë e partive që kanë qenë në opozitë”, tha ajo.

Edhe lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se seancat e përsëritura çdo 48 orë, pa asnjë vendim janë bërë model i papjekurisë shtetërore.

“Dëmet nga bllokada që po i bëhet konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendosjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës”, shkroi Haradinaj.

Në kërkesën e AAK-së dërguar në Kushtetuese thuhet se arsyeja e kalimit të kryesuesit, Avni Dehari, nga një agjendë e rendit të ditës në një tjetër është arbitrare dhe jokushtetuese.

Të martën pritet vazhdimi i seancës konstituive për herë të 15-n.

Lëvizja Vetëvendosje pritet që sërish të propozojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, e cila deri tash nuk ka arritur që të sigurojë votat e mjaftueshme për këtë post.