Roli i Gjykatës Kushtetuese në ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend ishin tema kryesore e bisedës mes kryetarit të këtij institucioni, Nexhmi Rexhepi dhe drejtorit për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Fleming.
Siç theksohet në një njoftim të Kushtetueses, Rexhepi falënderoi Flemingun për vlerësimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të Gjykatës Kushtetuese.
E për shkak të deklaratave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti në lidhje me punën e Gjykatës Kushtetës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit, si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë vjetëve”, ishte cekur në njoftimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Kryeministri Kurti, kishte deklaruar se Kushtetuesja po vepron si hije politike e opozitës.