Lajme

Ura e papërfunduar në Mitrovicë po i rrezikon qytetarët

Projekti për ndërtimin e urës mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, i filluar në tetor të vitit 2022, është ende larg përfundimit. Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës janë arsyetuar se punimet janë zvarritur si shkak i kushteve atmosferike. Por kanë premtuar se ato pritet të përfundojnë brenda këtij viti

Çdo ditë kalon në anën tjetër të Liqenit Artificial të Mitrovicës, ani pse kalimin e ka të vështirë.

Fazli Azemi thotë se si shkak i mospërfundimit të punimeve në urën mbi këtë liqe, kalimi në të bëhet i vështirë, sidomos kur moti është i lig.

“Këtu kemi vendosur mbrojtje në mënyrë vetanake, që përdor për qarkullim këtë urë, pasi që shumë të moshuar, pra shumë qytetarë e përdorin këtë urë për qarkullim. Është mbet kështu tash e disa vjet, por nuk i dimë shkaqet pse ka mbetur”, ka thënë Azemi.

Njësoj si Azemi, kërkesë për rregullimin e kësaj ure, kanë edhe qytetarë të tjerë.

“Duhet që sa ma shpejt e sa ma mirë m’u rregulluar kjo urë, I bëj thirrje komunës e qeverisë për shkak që edhe kalimi në këtë pjesë është i rrezikshëm”, ka thënë Sabit Imeri, qytetar.

Derisa, qytetarët janë të lodhur nga pritja, drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, Granit Tmava, ka premtuar se punimet për përfundimin e kësaj ure pritet të përfundojnë brenda këtij viti.

Ai ka dhënë edhe arsyet se pse projekti nuk ka përfunduar me kohë.

“Ura në Liqenin Artificial është në fazën e përfundimit të punimeve, por si shkak i vërshimeve dhe reshjeve atmosferike, kompania kontraktuese ka ndaluar punimet. Për shkak të përfundimit të afatit kohor, jemi në pritje të Zyrës së Prokurimit për ta zgjatur afatin kohor, për përfundimin e punimeve. Punimet në këtë urë pritet të përfundojnë brenda këtij viti”, ka thënë Tmava.

Punimet në urën mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, kanë filluar në vitin 2022, derisa projekti ka kushtuar rreth 220 mijë euro dhe është financuar nga Komuna e Mitrovicës.