Mesfushori i Elfsborgut, Besfort Zeneli, nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij. Zeneli ka thënë se me ekipin e tij synon titullin e kampionit në Suedi.
“Shumë njerëz mendojnë se është e lehtë, se ‘tani ai do të largohet’. Por ka shumë mendime, unë mund ta fitoj titullin me Elfsborgun këtë vit, që do të ishte historike. Do të kishte vlerë të jashtëzakonshme”, ka thënë Zeneli për mediumin suedez “GP”.
22-vjeçari ka qenë prej më të mirëve në pjesën e parë të edicionit aktual.
Elfsborgu është në vendin e katërt me 25 pikë, pesë më pak se Mjallby që zë pozitën e parë.
Besforti është vëllai i vogël i Arbër Zenelit, që po ashtu luan për Elfsborgun.
Besfort Zeneli ka insistuar se është ende herët të flas për të ardhmen.
“Nuk i dihet kurrë. Mund të ndodhin gjëra të paparashikueshme. Kështu që është e vështirë, duhet të ndihem mirë që të lëvizi. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk kam marrë ende vendim. Është ende herët. Afati kalimtar mbyllet në gusht. Nuk do të nxitohem të marr një vendim. E dua Elfsborgun”.
Zeneli ka kontratë deri në fund të vitit 2028 me ekipin suedez. Vlera e tij në tregun e transferimeve është 4 milionë euro. Ai ka luajtur për Suedinë tri ndeshje. Para se t’i bashkohej Suedisë, i luajti gjashtë ndeshje për Kosovën U21.