Është shndërruar në ritual që sapo të përfundojë një edicion i “Anibarit” të nisin përgatitjet për atë që pason. Por ky i vitit 2020, i 11-ti me radhë, do të vijë me ndryshime edhe në udhëheqje, shkruan sot Koha Ditore.
Arba Hatashi tashmë ka marrë detyrën e drejtoreshës së festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, që mbahet çdo verë në Pejë, qytetin jugor të cilin ka vite që e ka futur në hartën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore në rajon e më gjerë.
Hatashi ka thënë se në zemër të festivalit të vetëm të filmit të animuar në vend, edhe gjatë drejtimit të saj, do të vazhdojnë të mbeten animacioni dhe aktivizmi. Por synon që ai të zgjerohet e fuqizohet në segmente të caktuara. Edukimi në fushën e animacionit është një prej tyre.
Deri më tash, pozitën e drejtorit të “Anibarit” e ka mbajtur Vullnet Sanaja, i cili do të vazhdojë të jetë drejtor ekzekutiv i organizatës me të njëjtin emër, përderisa Petrit Gora do të vazhdojë të jetë drejtor artistik.
Arba Hatashi ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së festivalit prej tetorit të vitit 2019 përderisa para një jave është zyrtarizuar në këtë pozitë. Ka shtatë vjet që është angazhuar në organizim e për po kaq kohë ajo ishte e përkushtuar në transformimin e kinemasë së vetme në Pejë – kinema “Jusuf Gërvalla” – në një hapësirë kulturore multifunksionale.
Hatashi gjatë këtyre viteve ka qenë e angazhuar në festival në role të ndryshme, përfshirë koordinimin e programit, titrimin dhe përkthimin e filmave, menaxhimin e ngjarjeve, komunikimin me media dhe partnerë. Hatashi ka përfunduar në Prishtinë studimet për Menaxhimin e Sistemeve të Informacionit. Në nivel të organizatës ka mbajtur pozitën e koordinatores së akademisë së animacionit “Anibar”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)