“Ju që s’e keni parë Luftën e Dytë Botërore nuk kishte gjë më të rëndë sesa ajo që bën ushtria serbe sot në Kosovë”, u ishte drejtuar presidenti i Francës, Jacques Chirac, të rinjve më 1999, pak para bombardimeve të caqeve serbe nga NATO-ja. Qarqet intelektuale dhe politike franceze kishin jo pak mëdyshje, tradicionalisht Franca kishte raporte të mira me Serbinë. Por ngjau kthesa e madhe. Por prapaskenat e kësaj, rrallë përmenden. E, njëri prej më meritorëve për këtë kthjellje të Francës ishte akademik Muhamedin Kullashi, i cili u bë zë i së vërtetës së Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të saj në qarqet ndërkombëtare
Në vitin 1991, profesori i filozofisë, Muhamedin Kullashi, sikurse shumica e shqiptarëve përjetoi spastrimin etnik nga institucionet e Kosovës së atëhershme nën regjimin serb. U detyrua të largohej nga vendi i punës, Universiteti i Prishtinës. E, në vitin pasues, më 1992, nisi punën në Departamentin e Filozofisë në universitetin “Paris 8”, në Francë. Në një analizë të thjeshtë, ky ishte momenti kur Kosovës po i hapej një dritare e madhe në raport me Francën dhe botën frankofone. Si studiues i njohur, ai edhe paraprakisht qe pjesë e botimeve dhe qarqeve intelektuale franceze, por zhvendosja në Paris krijoi tjetër gjendje. Si profesor e filozof i njohur depërtoi thellë në qarqet intelektuale franceze duke ndikuar që shoqëria e atjeshme të informohej qartë dhe drejt për atë që po ndodhte në Kosovë. Prania e tij në mediat e mëdha të atjeshme bëri që Kullashi të ishte zë publik për çështjet që trajtonte. Mobilizimi i intelektualëve francezë ndikoi fuqishëm edhe në qëndrimin zyrtar të Francës në raport me krimet serbe në Kosovë.
Dhe Franca ndryshoi kurs: nuk qe më vend i ndikuar nga retorika e politikës serbe, por mori pjesë në bombardimin e Serbisë me 100 avionë ushtarakë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë paraqitjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, “Krijimtaria e akademik Muhamedin Kullashit në gjuhët e huaja”, të martën në ambientet e Akademisë, Kullashi është vlerësuar si zë i rëndësishëm i shkencës, diplomacisë e edukimit.
Akademik Hivzi Islami në fjalën e tij ka thënë se që në vitin 1992 profesor Kullashi mori pjesë aktive në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris së bashku me disa intelektualë të shquar francez. Ka treguar se Komiteti për Kosovën zhvilloi aktivitete të shumta duke luajtur rol të madh në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, veçanërisht në kohën e represionit të regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet ’90. Në promovimin e punës së Kullashit në gjuhët e huaja, akademik Islami ka thënë se shpeshherë Akademia atakohet nga individë dhe qarqe të ndryshme se anëtarët e saj nuk kanë botime në gjuhë të huaja dhe shkojnë aq larg saqë kërkojnë që ky institucion të mbyllet. Sipas tij, vetëm veprimtaria shkencore dhe akademike e profesor Kullashit i demanton të gjitha.
“Profesor Kullashi me shkrimet dhe paraqitjet e tij publike në Francë, kryesisht në qarqet intelektuale dhe akademike ndikoi shumë në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në përhapjen e së vërtetës për Kosovën”, ka thënë ai. Ka veçuar veprën “Humanisme et haine. Les intellectuels et le nationalisme en ex-Yougoslavie” (Humanizmi dhe urrejtja. Intelektualët dhe nacionalizmi në ish-Jugosllavi). Sipas Islamit, ky libër hyn në frymën e analizës kritike të shoqërisë.
“Si filozof, profesor Kullashi theksonte se intelektualët duhet ta kundërshtojnë urrejtjen mbi baza etnike, racore, fetare e të tjera dhe ta mbrojnë të drejtën universale dhe ta kultivojnë kritikën kundër pushtetit dhe ideologjive të tyre nacional-shoviniste”, ka thënë akademik Islami. Në gjuhën frënge akademik Kullashi ka botuar edhe veprën “Effacer l’Autre” (Të heqësh tjetrin). Pos botimeve në anglisht e në gjuhën spanjolle, Kullashi është edhe bashkautor i dhjetëra veprave me intelektualë nga vende të ndryshme të botës si “Vukovar, Sarajevo, Seuil, Paris”, “La République, l’Europe et l’Universel”, “Sur l’ex-Yougoslavie”, “L’Ex-Yougoslavie en Europe”, “Extrémismes en Europe”, “Le Kosovo. Un drame annoncé”, e “De la question albanaise au Kosovo”.
Vetë akademik Kullashi në ditën kur është shënuar 27-vjetori i fillimit të intervenimit të NATO-s në Kosovë ka thënë se themelimi i Komitetit të Kosovës në Paris më 1992 ka pasur një peshë të rëndësishme.
“Materialet që i janë dërguar presidentit Jacques Chirac kanë pasur efekt. Presidenti Jacques Chirac na e bëri të mundur një takim pas nisjes së intervenimit të NATO-s”, ka kujtuar ai. Ka thënë se presidenti Jacques Chirac shënoi një kthesë dhe kjo hetohet në fjalimet e tij të para se çfarë po ndodhte në Kosovë. Ka përmendur se gazetat e mëdha si “Le Monde” botonin studime të thelluara për krimet që kishin ndodhur në Kroaci, Bosnjë e më vonë në Kosovë.
“Spastrimet etnike në institucionet e Kosovës para luftës e më vonë erdhi te spastrimet etnike të territorit, u shfaqën në disa artikuj që nisën të botohen në gazetat franceze duke vënë në pah dukurinë e spastrimeve etnike në institucione. Kjo për opinionin francez ishte tronditëse”, ka thënë ai. Kullashi, i cili më pas qe ambasador i Kosovës në Paris prej vitit viti 2008 deri më 2016 ka thënë se botimet në gazetat e mëdha dhe paraqitjet në kanalet kryesore televizive kanë pasur efekt të madh.
“Për mua ishte kënaqësi e veçantë pjesëmarrja në konferencën për praktikat gjenociadale që u mbaj në Sorbonë. U botua libri me mbi 600 faqe. Me t’u lexuar analizat e situatës në Kosovë dhe krahasimet në Kroaci e Bosnjë, komisioni vendosi të më autorizojë që të shkruaj edhe për në Kroaci e Bosnjë”, ka kujtuar ai. Sa i përket presidentit francez, Jacques Chirac, ka thënë se ai është presidenti i parë që është hapur për studimet dhe analizat për atë që po ndodhte.
“Ai i ka përvetësuar këto analiza. Në fjalimet e presidentit mund të shihen termat që ai përdor për të vlerësuar atë që ka ndodhur në Kroaci, Bosnjë e Kosovë”, ka kujtuar Kullashi. Ka përshkruar dy takimet me presidentin francez gjatë bombardimeve të caqeve serbe dhe pyetjet precize që i ishin bërë nga ana e tij.
“Ne hetuam se kur ai fliste për krime nga një pozicion etik e politik, kishte gjuhë tjetër. Ai mori vendim për ndërhyrje dhe në fjalimin e vet publik, e dinte se do të kishte kritika, ai tregoi se përse e kishin obligim të ndërhyhet. Fjalët e tij e justifikojnë këtë intervenim. Termat që i përdorte ai bënte krahasimin me viktimat hebraike të Luftës së Dytë Botërore. Ai thotë se: ‘Nuk mund të shikojmë dhe do të marrim pjesë me 100 aeroplanë në bombardimin e Serbisë’”, ka thënë ai. Sipas akademik Kullashit, kjo ka qenë një ngjarje e rëndësishme, një moment kthese.
“Të rinjve u drejtohej: ‘Ju që s’e keni parë Luftën e Dytë Botërore, nuk kishte gjë më të rëndë sesa ajo që bën ushtria serbe sot në Kosovë’”, ka thënë Kullashi.
Muhamedin Kullashi u lind në Pejë, më 29 nëntor 1949. Në Fakultetin Filozofik të Zagrebit studioi filozofinë dhe letërsinë franceze. Është përkthyes i disa veprave të filozofëve francezë në shqip. Akademiku, i cili më 1983 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit mbrojti disertacionin e doktoratës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë të Henri Lefebvreit, kishte rol kyç në anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Bashkë me intelektualët e shquar francezë, Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Bruckner, André Glucksmann, Véronique Nahoum-Grapp gjatë viteve ’90, çështjen e Kosovës e bënë temë në Francë dhe në politikën e jashtme të atij shteti. Përtej Francës në konferenca shkencore në Belgjikë, Zvicër, Itali, Bullgari, Hungari, Kanada, Turqi, Tunizi, Argjentinë, Uruguai e vende të tjera, pos paraqitjeve si studiues i filozofisë, bëri që intelektualë të shumtë të ndryshonin kursin sa i përket çështjes së Kosovës. Veprimtaria e tij shkencore dhe diplomatike ngelet si kontribut i një intelektuali humanist.