Mbetje njerëzore u zbuluan gjatë punimeve të gërmimit pas Kishës në Onze-Lieve-Vrouw-Waver, duke zbuluar mbetjet e një varreze të vjetër.
Sipas raportimeve, nuk ishte e papritur që të gjendeshin mbetje të tilla, duke marrë parasysh rëndësinë historike të vendit.
Për shkak të zbulimit të mbetjeve njerëzore arkeologët do të jenë të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe do të mbikëqyrin gërmimet e mëtejshme, dhe do të jetë e nevojshme të ketë aktivitet shtesë arkeologjik. Agjencia Flamane për Trashëgimi të Paluajtshme e ka vlerësuar situatën.
“Sipas të gjitha gjasave, ndryshe nga sa është supozuar gjithmonë, varreza e vjetër nuk është pastruar rreth vitit 1900. Vetëm gurët e varreve janë hequr për të ndërtuar rrugën dhe sheshin në atë kohë. Ka gjasa të hasim disa shtresa të varrezës së vjetër”, shpjegoi kryetari i Bashkisë, Ronny Slootmans. Nën drejtimin e Agjencisë i gjithë territori pas Kishës do të gërmohet gjatë javëve në vijim.
“Në një sipërfaqe të vogël janë gjetur tashmë 16 skelete. Gjithashtu, është zbuluar një arkivol prej zinku pothuajse i paprekur, gjë mjaft e rrallë”, deklaroi Slootmans. Agjencia ka angazhuar një kompani të specializuar për gërmimet.
“Specialistët do të kenë rreth pesë javë punë, edhe pse në raste të tilla gjithmonë mund të dalë diçka e papritur. Ata do t’i zbulojnë të gjitha gjetjet, do të gërmojnë edhe më shumë, nëse është e mundur, do t’i marrin me vete për t’i ekzaminuar diku tjetër. Kërkimi dhe dokumentimi i gjetjeve do të zgjasib disa muaj më pas”, shtoi ai.
Gjetjet arkeologjike po ndikojnë në punimet aktuale të kanalizimeve.
“Tani duhet t’i ndalojmë përkohësisht”, shpjegoi Slootmans. “Shpresojmë t’i rifillojmë para pushimeve, që kanalizimi i ri të vendoset nën tokë. Pas pushimeve të ndërtimit, mund të vazhdohet me ndërtimin e rrugës dhe hapësirave për parkim”.
“Deri në fillim të shekullit të kaluar, këtu ka qenë një varrezë”, komentoi këshilltari për punët publike, Tom Ongena. Ai shtoi: “Në javët e fundit, ishin gjetur disa eshtra, por tani punëtorët kanë hasur në arkivole të plota, dhe puna nuk mund të vazhdojë për momentin”.
“Hapësira tani do të gërmohet me kujdes të madh, dhe mbetjet njerëzore do të ruhen me respekt”, theksoi Ongena, ndërsa arkeologët dyshojnë se do të gjejnë edhe më shumë mbetje. “Kjo është e detyrueshme, por ne e konsiderojmë tërësisht të natyrshme që të trajtojmë këta të ndjerë me respekt”, theksoi ai. Sipas Ongenas, “bëhet fjalë për njerëz që janë varrosur në këtë vend rreth vitit 1900”.
Duke pranuar ndikimin në afatet e projektit, Ongena theksoi: “Kjo shkakton një vonesë në afatin fillestar. Sa e madhe do të jetë kjo vonesë, për momentin është e pamundur të thuhet, por shpresojmë ta kufizojmë në disa javë”. Pavarësisht vonesave, disa punime të tjera për rinovimin e qendrës së fshatit Waver po vazhdojnë pa ndërprerje.
“Për shembull, lidhja me rrugën Leemstraat po zgjerohet”, përmendi ai. “Si rezultat nuk do të mund të qarkullohet përkohësisht nëpërmjet Leemstraat drejt Dorp”.
Kryetari i Bashkisë, Slootmans, theksoi se shqetësimet për banorët dhe tregtarët s’janë të vogla.
“Tregtarët në zonën e ndërtimit mbeten të arritshëm. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, por veçanërisht për ata dhe për banorët e Waver. Në zonën përpara bashkisë, kontraktori do të vazhdojë punën në javët në vijim”, tregoi ai.
“Për sa kohë që kërkimi arkeologjik është në proces dhe kanalizimi nuk është vendosur ende, trotuaret për bizneset do të mbeten funksionale,” deklaroi Slootmans. / The Jerusalem Post