Komuna e Prishtinës është në tentimin e radhës për të gjetur zgjidhje në raport me marrjen e lejes nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për ta implementuar projektin prej mbi 18 milionë eurosh përreth disa monumenteve dhe brenda zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Ka kërkuar takim me institucionet e trashëgimisë kulturore dhe ky është hapi i parë pasi nuk i është miratuar projekti ndërhyrës. “Deri më tash s’ka ndryshuar as ligji dhe asgjë tjetër. Kriteret mbesin të njëjta”, është përgjigjja e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve
Historia e punimeve për projektin në sheshin “Xhorxh Bush” është prej atyre ku punohet pak ditë e s’ka punime me muaj të tërë. Punimet mund të bëhen në një zonë krejt të vogël të raport me atë që parashihet me projektin për të cilin janë kontraktuar punë në vlerë mbi 18 milionë euro.
Por Komuna e Prishtinës është në tentimin e radhës për të gjetur zgjidhje në raport me marrjen e lejes nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për ta implementuar projektin përreth disa monumenteve dhe brenda zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars vitit të kaluar, kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore.
Pas përplasjeve të vazhdueshme që janë bërë tash e gati një vit, Komuna e Prishtinës ka kërkuar takim me institucionet e trashëgimisë kulturore. Ky është hapi i parë pasi Komunës nuk i është miratuar projekti ndërhyrës.
“Zyrtarët komunalë kanë kërkuar takim në fund të vitit të kaluar, por do të takohemi këto ditë”, kanë bërë të ditur në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por situata mbetet e njëjtë sa i përket mundësisë për t’u pajisur me leje.
“Ne kemi dhënë rekomandimet tona pasi Komuna ka sjellë projektin. Deri më tash s’ka ndryshuar as ligji dhe asgjë tjetër. Kriteret mbesin të njëjta”, kanë treguar në IKMM.
Komuna pa leje kishte nisur punimet në mars për të zbatuar projektin që, sipas kontratës, ka kosto 18.1 milionë eurosh. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje. Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i ishte miratuar.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.
Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio-Kosova, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.
Drejtori i Drejtorisë së transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati, ka thënë se festat, zgjedhjet e moti i ligë kanë ndikuar që të mos zhvillohen punime. I është referuar pjesës ku lejohen ndërhyrjet. Por sipas tij, do të ketë lëvizje.
“Por ka lëvizje të punës”, ka thënë ai pa komentuar kërkesën për takim me institucionet e trashëgimisë kulturore.
Komuna lëndën e kishte dërguar në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e më pas edhe shqyrtim të ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Gjykata e ka refuzuar pezullimin dy herë radhazi. Edhe pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim.
Në arsyetim, Gjykata ka cituar pikën e 8-të të nenit të 3-të të Ligjit për trashëgimi kulturore, i cili përcakton se “dhënia e lejes (lejimi) për ndërtim ose veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bëhet vetëm me miratimin me shkrim të institucionit kompetent”. Komuna nuk ishte pajisur me leje nga IKMM-ja.
Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë euro e edhe në rrugën “Qamil Hoxha”.
Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet draft-planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende s’është miratuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draft-dokument. Por, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Kurse sipas draftit të Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës, kufijtë e zonës së mbrojtur shkojnë edhe më tej. Prekin edhe katedralen “Nënë Tereza”.