Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vjena e elegancës mbretërore tingëllon shqip me Filharmoninë

“Çdo note, një rrëfim”, është motoja e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës. E rrëfime nga tradita e muzikës shqipe, të martën mbrëma ka shpalosur edhe në Vjenë (Foto: Arben Llapashtica)

“Çdo note, një rrëfim”, është motoja e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës. E rrëfime nga tradita e muzikës shqipe, të martën mbrëma ka shpalosur edhe në Vjenë (Foto: Arben Llapashtica)

Salla mbretërore e ndërtesës ikonike “Haus der Industrie” në Vjenë, të martën mbrëma, ka jehuar edhe me tinguj shqip me koncertin e Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës. Nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe me soliste sopranot Arta Jashari e Zana Abazi-Ramadani, institucioni ka shpalosur pak nga tradita e krijimtarisë vendore. Është një uverturë e mirë para koncertit që planifikojmë ta organizojmë vitin e ardhëm me Orkestrën Simfonike. Ftesa për koncertin e sotëm ka ardhur kur ishim duke u përgatitur për koncertin në Varshavë dhe e mirëpritëm ftesën”, ka thënë Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë

Filharmonia e Kosovës ka debutuar në Vjenë me Orkestrën Harkore. Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në kryeqytetin austriak, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë, Filharmonia është prezantuar me vepra vendore e një ndërkombëtare.

Nëpërmjet Orkestrës Harkore nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe me soliste sopranot Arta Jashari e Zana Abazi-Ramadani, institucioni ka shpalosur pak nga tradita e krijimtarisë vendore para audiencës austriake, asaj shqiptare e korit diplomatik që ishin mysafirë në nderim të 18-vjetorit të Pavarësisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Koncerti në Sallën Mbretërore, kryesorja e ndërtesës ikonike “Haus der Industrie”, është hapur me  “Simfoninë për harqe, nr.10” nga Felix Mendelssohn. Vepra me atmosferë dinamike e tension emocional sjell kontraste e dialog specifik midis harqeve. “Sinfonieta” e kompozitorit Drinor Zymberi qe e dyta me radhë në program duke sjellë para të pranishmëve pak nga krijimtaria e gjeneratës së re të kompozitorëve vendorë. Më pas ka qenë radha e këngëve “N’at zaman” dhe “Kroi i fshatit tonë”, që janë interpretuar nga solistja Arta Jashari.

Programi ka vazhduar me “Suitën për harqe” të kompozitorit Valton Beqiri. Kjo vepër e Beqirit nuk qe e vetmja e interpretuar në Vjenë. Pas këngëve “Agimet shqiptare” dhe “Unë, biti yt Kosovë”, të interpretuara nga sopranoja Zana Abazi-Ramadani, Orkestra ka interpretuar edhe pak nga krijimtaria e Beqirit. Qenë koha e tretë dhe e katërt e veprës “Shpirti i traditës”, saktësisht “Ndikimi” dhe “Loja” ato që përmbyllën ngjarjen.

 
Sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi-Ramadani kanë sjellë këngë nga tradita shqiptare (Foto: Arben Llapashtica)

Paraprakisht të pranishmëve u janë drejtuar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, dhe ambasadorja Dr. Elisabeth Kornfeind, përfaqësuese e Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filhramonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, pas koncertit nëpërmjet lidhjes telefonike i ka thënë KOHËS se audienca përbëhej nga muzikantë austriakë, qytetarë të tjerë austriakë, përfaqësues diplomatikë në Vjenë e qytetarë shqiptarë.

“Për Filharmoninë është një uverturë e mirë para koncertit që planifikojmë ta organizojmë vitin e ardhëm me Orkestrën Simfonike. Ftesa për koncertin e sotëm ka ardhur kur ishim duke u përgatitur për koncertin në Varshavë dhe e mirëpritëm ftesën”, ka thënë ai. Hapësira ku Orkestra Harkore e Filharmonisë ka interpretuar, ka një histori të veçantë.

Si një nga ndërtesat më madhështore në “Ringstrasse” të Vjenës, “Haus der Industrie” shkëlqen me jehonën e së kaluarës. Koncertet e Orkestrës Mbretërore të Vjenës zhvillohen në këtë ndërtesë me akustikë të veçantë, që po ashtu ka karakter multifunksional. E inauguruar nga perandori Franz Josef në fund të dekadës së parë të shekullit të kaluar, kjo kryevepër e projektuar nga Karl König mbart një histori që s’haset diku tjetër. Brendësia e stilit barok kthen kohën perandorake dhe ndërthur në mënyrën më të bukur elegancën vjenezë të kohëve të moçme. E aty Filharmonia prezantoi pak nga eleganca e krijimtarisë dhe interpretimit të artistëve nga Kosova.

Nga Vjena, Orkestra Simfonike e Filharmonisë udhëton drejt Varshavës ku programi do të hapet me “Forsaken” nga Mendi Mengjiqi për të vazhduar me “Sinfonietën” e Drinor Zymberit si vazhdim i shkollës së kompozitorit Mengjiqi, i cili në Poloni gëzon reputacion si krijues e ish-student i kompozitorit polak me alamet emri siç ishte Krzysztof Penderecki, i cili jetoi midis shekullit të kaluar dhe dy dekadave të para të këtij shekulli. Këngët e kënduara në Vjenë, në Varshavë do të interpretohen nga sopranoja Adelina Paloja. Në kryeqytetin polak, Filharmonia do të prekë edhe traditën e atij shteti duke interpretuar “Koncertin për piano dhe harqe” të kompozitorit Henryk Górecki. Solist në piano do të jetë Andi Duraku. Pak a shumë është program të cilin Filharmonia e ka interpretuar edhe të dielën mbrëma në Prishtinë. Koncerti do të finalizohet me “Shpirtin e traditës” të Valton Beqirit, por në Varshavë do të interpretohet versioni për piano, harqe dhe perkusione e në piano do të luajë vetë kompozitori Beqiri.