Artistja italiane Martina Menegon nëpërmjet ekspozitës “You know me so well” merr në shqyrtim trupin njerëzor në përballje me atë kibernetik. Në krejt rastet ajo ka “manipuluar” me trupin e saj. “Ne na duhen trupat tanë fizikë për të pasur qasje në hapësirat virtuale. Por është një realitet që kurrë nuk është trajtuar si realitet megjithëse ishte aty. Virtualja sot është pjesë e reales. Duhet të përqafohet virtualja si një hapësirë e pakufishme lirie”, ka thënë ajo
Ambienti i “Galerisë 17” është shndërruar në njëfarë “internet café” të dikurshme. Por brenda kornizave ekraneve ka trupa të çrregullt. Janë trupa fizikë të manipuluar nga teknologjia. Është lojë që të futë në botën e teknologjisë. Bile, interaktiviteti shkon deri në nivelin sa mund të bëhet një lojë e atypëratyshme nga vetë vizitorët. Shkurt: botë avatarësh.
Artistja italiane Martina Menegon nëpërmjet ekspozitës “You know me so well” merr në shqyrtim trupin njerëzor në përballje me atë kibernetik. Në krejt rastet ajo ka “manipuluar” me trupin e saj. Format e çrregullta çojnë te një lloj përçudnimi. Nganjëherë krijohet përshtypja sikur ironizon rëndë me filtrat që përdoren për t’i publikuar fotografitë në rrjete sociale që shpesh bëjnë që në realitet dhe në botën online njerëzit të dallojnë si nata me ditën. Por Menegon shkon përtej kësaj. Ka tjetër qëllim.
“Kombinimet intime dhe komplekse të autoportreteve interaktive, virtuale dhe të zgjeruara jetojnë në hapësirën e ekspozitës, duke i ftuar shikuesit të mendojnë rrjedhshmërinë e identitetit të realitetit tonë bashkëkohor dhe duke sfiduar përdoruesit të rimendojnë ekzistencën tonë dhe marrëdhëniet me veten tonë virtuale”, shkruhet në atë që është tekst për ekspozitën që nuk ka kurator. Aty tregohet se të dhënat biometrike ndërthuren me avatarët e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, duke nxitur reflektime mbi kujdesin ndaj vetes që shtrihen përtej kufijve të trupit të prekshëm “duke lënë të kuptohet gjithashtu për efektin e privatësisë dhe mbikëqyrjes së të dhënave për trupat e grave”.
“Në të njëjtën kohë, autoportretet me probleme ndërtojnë përvoja çorientuese, por të prekshme, duke nxitur një dialog mbi natyrën e vetes sonë hibride dhe peizazhin në zhvillim të vetëshprehjes”, shkruhet në tekstin e “Galerisë 17” për këtë ekspozitë.
Ekspozita sikur thyen kufijtë midis trupave virtualë e atyre fizikë. Por në anën tjetër pa trupat fizikë nuk funksionojnë as ata virtualë. Është njëfarë ekuacioni që nga një perspektivë i gjendet shpejt e panjohura. Por në ndonjë tjetër rast shkon në infinit. “Galeria 17” në kuadër të serisë së ekspozitave “Techne” përpiqet të përafrojë artistët dhe komunitetin me një diskurs më të gjerë global mbi teknologjinë dhe inovacionin në art dhe krijimtari artistike. Kësaj radhe bashkë me “Ars Electronica” – platformë që punon në kryqëzimin e artit, teknologjisë dhe shoqërisë e themeluar në Linz si festival më 1979 – sjell një tjetër botë në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër”.
“Kur kam filluar të mendoj për ekspozitën më ka shkuar mendja te kujdesi që kemi për trupin virtual. Doja të bëja diçka tejet të qartë këtu. Ajo që shohim këtu është e përbashkëta e dy projekteve. Këtu kemi në njërën anë virtualen si mjet liri dhe në anën tjetër të mendojmë për lidhjen midis virtuales dhe fizikes”, ka thënë artistja Martina Menegon, e cila është edhe kuratore e edukatore që jeton dhe punon midis “Vjenës dhe hapësirës kibernetike”. Menegon në praktikën e saj artistike krijon kombinime intime dhe komplekse të elementeve fizike dhe virtuale që eksplorojnë veten bashkëkohore dhe realitetin trupor hibrid. Duke përdorur korniza lojërash, algoritme dhe virtualen, ajo eksperimenton me forma të reja të autoportreteve performative dhe me defekte, duke eksploruar identitete të reja fluide të simuluara.
“Ne duhet t’ia kujtojmë vetes se jemi trupa fizikë, por njëkohësisht jemi edhe shumë virtualë e digjitalë. Nuk bën të braktiset njëra a tjetra. Duhet të kujdesemi për të dyja njëkohësisht. Për mua është shumë e rëndësishme se sa herë të krijojmë diçka digjitale ajo është gjithnjë pjesë e jotja”, ka thënë artistja. Sipas saj, ana virtuale është njëfarë identiteti që njerëzit e krijojnë dhe e ndryshojnë, manipulojmë dhe e ekspozojnë.
“Është shumë e rëndësishme që ta kemi këtë lidhje. Virtualja apo ajo që paraqitet online është shumë reale. Pra është realitet. Të tillë duhet ta trajtojmë ashtu siç bëjmë me hapësirat fizike. Siç kujdesemi me trupat tanë fizikë duhet të kujdesemi edhe për ata virtualë”, ka thënë ajo. Në botëkuptimin e saj virtualja ka qenë gjithnjë reale. Ka thënë se ajo është bërë edhe më reale që kur njeriu kalon më shumë kohë online sesa në aktivitete të tjera.
“Ne na duhen trupat tanë fizikë për të pasur qasje në hapësirat virtuale. Por është një realitet që kurrë nuk është trajtuar si realitet megjithëse ishte aty. Virtualja sot është pjesë e reales. Duhet të përqafohet virtualja si një hapësirë e pakufishme lirie. Por mesazhi im kryesor është që virtualja të shihet si hapësirë reale”, ka thënë Martina Menegon.
“Galeria 17” që funksionon në kuadër të fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, vazhdimisht provokon me tema që sillen përreth ndryshimeve të mëdha në shoqëri.
Menaxherja e komunikimit në këtë fondacion, Sihana Klisurica, ka thënë se te puna e Menegonit si artiste, qasja e saj me metoda të ndryshme me variacionet që i ofron sot teknologjia u ka bërë shumë përshtypje, sepse duke i përdorur këto elemente ajo vë në fokus trupin.
“Do të thotë eksperimentin me trupin e saj. E vendos trupin fizik në një botë virtuale duke e përçudnuar në njëfarë forme. Mesazhet që ajo i përçon ndryshe quhen edhe feminizëm kibernetik”, ka thënë Klisurica.
Në veprat e Menegonit trupi real manipulohet fort nga teknologjia. Duket sikur trupi fizik dhe ai virtual tashmë bashkëjetojnë. Kështu del të jetë në perspektivën e saj, por edhe në rrethanat e dekadës së tretë të këtij shekulli.