Kur gjendja politike nuk ishte dashamirëse, ajo këndonte shqip. Kur skena muzikore me vështirësi përkapte trendët e rinj, ajo kuturisi më larg sesa të tjerët. Do të krahasohej jo rrallëherë me Siouxsie Sioux për pamjen e saj flokëshpupurishur, por prishtinasja Violeta Rexhepagiqi kishte çarë rrugën përmes vështirësish e paragjykimesh. Me një stil krejtësisht të veçantë, ajo do të linte gjurmën e saj.
Ndonjëherë e pakuptueshme për publikun ende të pamësuar me rrymat e reja muzikore, Violeta plazmoi veçantinë e saj për t’u bërë gjithnjë e më e adhuruar nga brezat që do të vinin. Mëngjesin e së enjtes, ajo është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Prishtinë. Lajmin e ka bërë të ditur kolegia e saj, redaktore në transmetuesin publik, Minire Fetahu.
“Me pikëllim dhe me dhimbje të madhe iu jap një lajm shumë të trishtë. Ndërroi jetë rokerja e madhe dhe gazetarja e njohur, Violeta Rexhepagiqi”, ka njoftuar ajo përmes llogarisë së saj në “Facebook”.
Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN edhe Policia e Kosovës. Sipas zëdhënëses policore për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ndjera është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj.
“Sot rreth orës 09:30 policia ka marrë informatën se në rrugën ‘Ferat Dragaj’ në Prishtinë, saktësisht në një shtëpi, gjendet një person pa shenja jete. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur viktimën grua, e cila ishte pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti. Sipas po të njëjtit njoftim, njësitë policore në bashkërendim me prokurorin e shtetit janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për këtë rast.
Udhërrëfyese për një brez
Avangarde për kohën kur krijoi dhe bartëse e denjë e modernitetit në art, Violeta Rexhepagiqi është vlerësuar edhe për një përmasë tjetër. Muzikën e kishte shndërruar në revoltë politike, guxim që do ta barte në mënyrë të parëndomtë edhe si gazetare në Kosovë e jashtë saj. Me t’u bërë i ditur lajmi për ndarjen e saj nga jeta, miq, kolegë e të afërm kanë pushtuar mediat sociale me kushtime e vlerësime për të ndjerën. Si rebele të paqes dhe të dashur për të gjithë e ka vlerësuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ai e ka krahasuar me bashkëkohaniket e saj në botë në valën e re muzikore të viteve ’80. “Në Nju Jork? Debbie Harry. Në Londër? Siouxsie Sioux. Në Paris? Guesch Patti. Në Berlin? Nena. Në Beograd? Zana Nimani. Në Prishtinë? Violeta Rexhepagiq. Sot u shua vajza jonë e valës së re muzikore nga vitet ’80. Violeta këngëtare ishte rebele e paqes. Violeta gazetare ishte reportere e luftës. E mirë dhe aq e dashur. U prehtë e qetë”, ka shkruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e ka cilësuar “lajm të trishtë” ikjen e hershme të kompozitores, këngëtares dhe gazetares, Violeta Rexhepagiqi.
Sipas Dumoshit, ndarja nga jeta e saj është “humbje e madhe për artin dhe kulturën e vendit tonë, së cilës ajo në periudhat më të vështira i dha shumë”. “Violeta nuk ishte artiste e zakonshme. Të jashtëzakonshme e bënte përpjekja e saj për t’i thyer tabutë, duke sjellë modernitetin në formën më të mirë të tij, në artin e kulturën tonë. Në kohët më të vështira, me
muzikalitetin dhe elegancën e saj skenike, Violeta la gjurmën e pashlyeshme në artin kosovar”, ka shkruar ministrja Dumoshi.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.