Kulturë

“Vendi im” me ngjyra që ngjallin kujtimet e vendlindjes

Kujtimet e vendlindjes janë asocimet që zgjasin gjatë tërë jetës. Te shkrimtarë si Nikos Kazantzakis dhe Ohran Pamuk, zallamahia e botës fëmijërore përbën fillin e rrëfimit të shkrimtarit nga naiviteti rinor e deri te maturia. Pragu i shtëpisë, vatra familjare, kopshti dhe lagjja e dendur, janë nostalgjia e gjithëkohshme e individit për një botë të dikurshme në kontrast me të tashmen, shkruan sot Koha Ditore.

Peizazhe të fiksuara nga përditshmëria, shtëpi, lagje e elemente të tjera kanë gjetur shprehje në 40 piktura e grafika të piktores Zana Ramadani. E hapur të enjten në hapësirat e “Shtëpisë së Evropës”, ekspozita e titulluar “Vendi im” paraqet dromca nga përditshmëria, të jetuarit, lëvizjen, gjallërinë e dashurinë e mjedisit shqiptar.

Me një vulë nga përvoja personale, siç e ka thënë edhe vetë piktorja Ramadani, veprat mbizotërohen theksueshëm nga ngjyrat e ndezura.

Në një prononcim për gazetën, ajo ka thënë se nga të gjitha punimet i ndien më së shumti pikturat me shtëpi të vogla.

“Çdo punim e ka sublimen, mundin e vet, pa marrë parasysh formatin e vogël apo të madh. Por më së shumti i ndiej pikturat me shtëpi të vogla të cilat paraqesin ngrohtësinë familjare ose ato me shumë shtëpi që paraqesin kujtimet e lagjes. Janë ndjenja më të kapshme e më të afërta”, ka thënë ajo.

Ramadani ka theksuar se ngjyrat e forta të përdorura i kanë mundësuar të paraqesë më mirë dashurinë që ka për vendin.

“Ndryshe nga ekspozitat e tjera të mia që trajtonin probleme të ndryshme, paraqitjet e kësaj ekspozite reflektojnë përditshmërinë time duke filluar prej vendit ku jetoj, prej momenteve e gjithë çka më rrethon e me të cilën ballafaqohem”, ka thënë ajo teksa ka falënderuar “Shtëpinë e Evropës” për ftesën e bërë për ekspozitë.

Ndërkohë shtatori për piktoren Ramadani do të jetë fillimi i angazhimeve të ngjeshura. Në fund të muajit ajo do të marrë pjesë në një ekspozitë kolektive në Festivalin e Artit në Plovdiv, për të vazhduar më pas me paraqitje në ekspozita në Ankara dhe Paris.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)