Një leksikon akademik mbi gjeografinë rurale të Kosovës do të jetë i qasshëm për studiues e lexues të interesuar. Rezultat i një angazhimi të gjerë prej 36 bashkëpunëtorësh profesionalë, leksikoni “Vendbanimet e Kosovës – Tabloja fizike-hapësinore, demografike dhe funksionale, Vëllimi II – vendbanimet rurale A-LL” është vazhdim i projektit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës i nisur një vit më parë.
Ky vëllim, që përmban të dhëna të larmishme mbi 736 vendbanime rurale brenda zërave të veçantë, është përuruar të martën në ASHAK.
Siç thuhet në fillim të leksikonit, lënda është miratuar për botim në mbledhjen e Seksionit të Shkencave Shoqërore më 3 qershor të vitit 2019, në bazë të recensioneve të akademik Anton K. Berishajt dhe Qerim Kastratit, shkruan sot Koha Ditore.
“Botimi përmban të dhëna, fakte dhe informata relevante nga terreni për dimensionin fizik-hapësinor, demografik, funksional, historik, kulturor, ekonomik, gjeopolitik, pastaj të dhënat për dhunën, krimet dhe dëmet materiale që i shkaktoi regjimi fashisoid e gjenocidial i Serbisë“, është thënë në njoftimin e afishuar në faqen e ASHAK-ut.
Të pranishmit kanë vlerësuar se ky botim i radhës do të përmbushë një nevojë të kahershme për gjeoshkencat, shkencat sociale dhe opinionin e gjerë lexues.
Të dhënat e shpërfaqura janë vjelë nga terreni përmes pyetësorëve që përmbanin mbi 40 pyetje, ndërkaq puna është kryer me autorë nga vendbanimet që u përkasin.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)