Kulturë

Vdiq regjisori i njohur shqiptar, Piro Milkani

Piro Milkani

Ka vdekur në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur shqiptar, Piro Milkani. Lajmi u bë i ditur nga familjarë të tij.

“Iku babai, shoku dhe kolegu im”, ka shkruar në rrjete sociale Eno Milkani, i biri i regjisorit Piro.

Milkani konsiderohet një prej figurave më të shquara të kinematografisë shqiptare.

I lindur më 5 janar 1939 në Drenovë të Korçës, Milkani ishte një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare.

Filmat e tij si “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti” u bënë pjesë e identitetit kulturor shqiptar.

Pas mbarimit të shkollës së mesme në qytetin e tij, ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua si operator filmi.

Gjatë viteve të studimeve, ai realizoi filmin e tij të diplomës, Nenavist (Mosmirënjohja), i cili shënoi fillimin e një karriere të suksesshme në kinematografi. Pas kthimit në Shqipëri, Milkani filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si operator dhe më pas si regjisor ku realizoi mbi 20 filma artistikë. 

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinematografinë shqiptare, Milkani ka marrë edhe çmime të shumta, përfshirë titullin “Artist i Popullit” (1987) dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë .

Arkivi Shtetëror i Filmit në Shqipëri ka shkruar se humbja e Milkanit është plagë e madhe për kulturën shqiptare.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhnja, e ka cilësuar Milkanin si aset të kinematografisë shqiptare.

“Piro Milkani do të mbetet përjetë mes nesh me filmat e shumtë që ai ka realizuar! Pusho i qetë mjeshtër”, ka shkruar ai.