Kulturë

Varri neolitik në Sllovaki fsheh misterin 7 mijë vjet të vjetër

Varri neolitik në Sllovaki fsheh misterin 7 mijë vjet të vjetër

Në lokalitetin Vráble në Sllovaki arkeologët kanë zbuluar më shumë se 120 skelete, shumicës prej të cilëve u mungojnë kafkat

Në lokalitetin e madh neolitik Vráble rreth 80 kilometra në lindje të Bratislavës në Sllovaki, arkeologët kanë zbuluar më shumë se 120 skelete, shumicës prej të cilëve u mungojnë kafkat. Pse njerëzit para 7 mijë vjetësh ua hiqnin kokat të vdekurve, ky mbetet ende një mister. 

Hulumtimet në lokalitetin Vráble në Sllovaki, që daton nga periudha e kulturës së qeramikës prej 5 mijë e 250 deri në 4 mijë e 950 para erës sonë, kanë zbuluar një sistem të ndërlikuar vendbanimi, struktura mbrojtëse dhe – më tronditësen – një varr masiv ku më shumë se 120 persona janë varrosur pa koka.

Ky zbulim që ndryshon mënyrën e të kuptuarit të neolitit të hershëm, vjen nga ekipi ndërkombëtar i “Vráble Neolithic Project”, i udhëhequr nga arkeologët dr. Martin Furholt, dr. Nils Müller-Scheeßel dhe dr. Katharina Fuchs, bioarkeologe nga Universiteti i Kielit në Gjermani. Studimet tregojnë se bashkësitë neolitike ishin shumë më komplekse dhe ndonjëherë më të dhunshme sesa është menduar më parë.

“Projekti filloi në vitin 2012 kur synuam të kuptonim se si funksiononte një nga vendbanimet më të mëdha të neoliti të hershëm në Evropën Qendrore. A përbënte ajo një bashkësi të bashkuar me vlera të përbashkëta, apo ishte vetëm një grumbull shtëpish të pavarura?”, ka thënë dr. Martin Furholt. 
Rezultatet treguan kontraste: ekonomitë familjare ishin të pavarura, por mes tyre ekzistonin dallime shoqërore dhe tensione. Dëshmi për këtë është fortifikimi i madh, i gjatë rreth 1,4 kilometra, që rrethonte vetëm një pjesë të vendbanimit – sikur banorët të ishin ndarë apo mbrojtur nga fqinjët e tyre.

“Është interesante se lokaliteti u zbulua përmes një skenimi të madh gjeomagnetik të kryer gjatë viteve 2008–2012. U skanuan 150 hektarë – ndoshta një nga skenimet më të mëdha të asaj kohe në botë. Edhe pse synimi ishte një vend më i madh nga epoka e bronzit aty pranë, u zbuluan edhe shtëpi neolitike, kampe romake dhe gjurmë nga periudha të tjera”, ka thënë dr. Müller-Scheeßel.

Vetëm në vitin 2017, kur arkeologët filluan gërmimet përgjatë hendekëve mbrojtës, filluan të shfaqeshin skeletet. Pamja u bë më e qartë në vitin 2022, kur u zbulua një varr masiv me dhjetëra skelete pa koka një zbulim i paprecedentë në neolitin e Evropës Qendrore.

Deri tani janë identifikuar të paktën 120 individë, dhe numri mund të jetë edhe më i madh, pasi shumë skelete janë ende në proces analizimi. “Vetëm dhjetë persona janë varrosur në varre ‘standarde’, ndërsa të tjerët janë vendosur ose hedhur në hendekët që rrethonin vendbanimin”, ka thënë Müller-Scheeßel.

Pozicionet e trupave ndryshojnë: disa janë shtrirë në shpinë, disa në bark, disa të përkulur, dhe shumë janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. “Pozicionet e skeleteve tregojnë se trupat ndoshta janë hedhur ose rrokullisur në hendek, më shumë sesa të jenë vendosur me kujdes. Do të jetë interesante të kuptojmë si ka ndodhur saktësisht kjo”, ka thënë dr. Katharina Fuchs.

Por enigma më e madhe janë kokat – ku janë kafkat? Në shumicën e rasteve ato mungojnë plotësisht. “Pyetja më intriguese!”, ka thënë Fuchs. “Ndoshta kokat janë marrë me vete, ndoshta janë vendosur diku tjetër si gjest simbolik”, ka thënë dr. Müller-Scheeßel. “Për momentin, thjesht nuk e dimë ku janë”.