Rikthimi i ‘Vargjeve satanike’ në libraritë e Indisë nuk ka të bëjë fare me lirinë e fjalës, por me mungesën e dokumentacionit. Një gjykatë në Nju-Delhi mbylli procedurat bazuar në një peticion të pesë vjetëve më parë, duke sfiduar vendimin e Qeverisë më 1988 për të ndaluar romanin për blasfemi të supozuar
Romani “Vargjet satanike” i Salman Rushdies, nuk është më vepër e ndaluar në Indi. Ndalesa ndaj librit që bëri bujë, është hequr pas 36 vjetësh. Atë e ndaloi Qeveria e Rajiv Gandhit më 1988 kur për shkak të përmbajtjes së tij, shpërthyen trazirat gjithandej.
Libri konsiderohej aq fyes për myslimanët, saqë pos ndalesës së tij në disa vende, lideri i asokohshëm suprem i Iranit, Ajatollah Ruhollah Homeini, lëshoi fatva ndaj Rushdies, duke urdhëruar myslimanët që ta vrasin atë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDy vjet më parë, shumë vite pasi Irani u distancua nga fatvaja dhe Rushdie nuk ruhej, autori u sulmua rëndë dhe humbi njërin sy kur u godit me thikë në një ngjarje në veri të Nju-Jorkut. Hadi Matar, 26-vjeçar, u akuzua për vrasje në tentativë të shkallës së dytë. Një aktakuzë e veçantë federale e akuzon atë për terrorizëm.
Megjithatë, rikthimi i ‘Vargjeve satanike’ në libraritë e Indisë nuk ka të bëjë fare me lirinë e fjalës, por me mungesën e dokumentacionit. Një gjykatë në Nju-Delhi mbylli procedurat, bazuar në një peticion të pesë vjetëve më parë, duke sfiduar vendimin e Qeverisë së atëhershme më 1988 për ta ndaluar romanin për blasfemi të supozuar.
Në vendimin e lëshuar, sipas agjencisë së lajmeve “Press Trust of India”, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Reh Pali citohet të ketë thënë se autoritetet nuk e kishin dhënë njoftimin e ndalimit të veprës.
Parashtruesi i peticionit, Sandipan Khan, ka thënë se ai nuk mund ta blinte librin për shkak të njoftimit të Bordit Qendror të Taksave dhe Doganave Indirekte më 5 tetor 1988 që ndalonte importin e romanit në Indi.
Ka theksuar se nuk ishte në gjendje ta lokalizonte njoftimin në ndonjë faqe zyrtare interneti apo nëpërmjet zyrtarëve.
Avokati i Khanit, Udjam Mukherjee, ka thënë se vendimi i Gjykatës do të thotë se tani e tutje nuk ka asgjë që e bllokon importin e romanit në Indi, por se shitja e “Vargjeve satanike” në librari varet nga botuesit ose shitësit.
Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e Delhit doli me vendim: “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të supozojmë se një njoftim i tillë nuk ekziston”.
“Bahrisons Booksellers”, një librari familjare kaherë në zë në Nju-Delhi, ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se e ka nxjerrë në shitje librin.
Libri ‘Vargjet satanike’ tani është depo”, shkruhet në postim. Menaxheri i dyqanit, i cili nuk ka pranuar të identifikohet, ka thënë se shitja “ka qenë shumë e mirë”, pavarësisht çmimit prej 1,999 rupi (rreth 22 euro), i cili është i lartë për standardet indiane. “Ne po e presim me padurim”, ka thënë ai, ka raportuar të enjten “The Guardian”.
Megjithatë, kthimi i “Vargjeve satanike” ka shkaktuar zemëratë në mesin e disa organizatave myslimane që kanë bërë thirrje për rivendosjen e ndalimit të kësaj vepre, duke pretenduar se romani “fyen” besimet islame dhe kërcënon harmoninë sociale në një vend ku 14 për qind e popullsisë janë myslimanë.
“Asnjë mysliman nuk mund të tolerojë ta shohë këtë libër të urryer në raftet e ndonjë librarie”, kanë thënë ata.
Rushdie, i cili ka nënshtetësi amerikano-britanike dhe mori titullin e kalorësit në vitin 2007, ka pohuar vazhdimisht se “Vargjet satanike” është një vepër fiksioni dhe nuk përmban asgjë fyese.