Kulturë

Valdet Gashi – pionieri i skenës së stripit në Kosovë

Ishte koha kur ata të cilët me çdo kusht po i jepnin hov artit të nëntë, në Kosovë numëroheshin në gishta. Pak çonte peshë se sa ishin. Me rëndësi ishte pasioni. Plot pasion ishte Valdet Gashi, skenaristi e strip-artisti kosovar. I tillë do të mbahet në mend nga ata që e njohën e me veprat që la pas. Pionier i strip-skenës kosovare, i pakompromis në përpjekjet për t’i legjitimuar stripin dhe romanin grafik si formë artistike, janë disa prej vlerësimeve që ia bëjnë shokët e tij, ata që bashkë me të përbënin “armatën” e këtij komuniteti artistësh që s’hiqnin dorë edhe kur nuk gjenin përkrahje. Me vdekjen e tij, arti ka humbur krijuesin unik e të zellshëm.

Valdet Gashi vdiq të premten në Prishtinë. Ai ishte 58-vjeçar. U varros të shtunën në Prishtinë.

Qysh në fillim të viteve ‘90 do të bënte hapat e parë konkret me veprat që lanë gjurmë në art. “Cullët” – me skenar e skicuar me laps prej tij, botuar më 1994 në revistën “Hareja”, për t’u ribotuar në vitin 2000 në “Koha Ditore”, realizuar me tush nga Binjamen Haxha – është një prej novelave të para grafike, me të cilën e njohu më së shumti publiku.

i Gashit, si skenarist në vizatimet e para, gjendet edhe te seria “Arta fantastike” super-heroina e parë në stripin e Kosovës e botuar më 1993 në revistën “Hapi alternativ” e ribotuar vite më vonë edhe në shtojcën “Tung” të “Kohës Ditore”, realizuar prej tij në bashkëpunim me Shpend Kadën, Binjamen Haxhën dhe Edmond Agagjyshin.

I lindur më 5 korrik 1961 në Klinë dhe duke qenë student i gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, Gashi kombinoi pasionet e tij për vizatim dhe shkrim kryesisht përmes stripit. Me anë të humorit e satirës ai kryesisht përshkruante kohën, sfidat dhe vlerat shoqërore. Stripat e tij gjetën hapësirë në botime të veçanta të “Rilindjes” si “Zëri i Rinisë”, “Thumbi”, “Rilindja për fëmijë” e shumë të tjera. Nuk hoqi dorë prej këtij zhanri as kur ai nuk çmohej shumë. Gashi si skenarist është bashkautor i librit për fëmijë "Magula-Magula" i botuar në vitin 2014 nga Botimet KOHA. Por jo vetëm kaq. Planet e Gashit – i cili për gati tri dekada punoi si mësimdhënës i gjuhës angleze në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë – nuk ndaleshin. Novela grafike “Të nëmurit”, e realizuar bashkë me Kadën, e përfunduar tashmë, ende pret dritën e botimit. 

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)