Kulturë

Urnat gjigante nga Amazona zbulojnë ritualet e harruara të varrimit

Urnat gjigante nga Amazona zbulojnë ritualet e harruara të varrimit

Shtatë urna gjigante varrimi që datojnë që nga kohërat parakolumbiane janë gjetur thellë në pyllin tropikal të Amazonës braziliane. Dy nga urnat më të mëdha prej qeramike, me diametër deri në 89 centimetra, përmbanin kocka njeriu

Në thellësitë e pyjeve tropikale të Amazonës, arkeologët kanë zbuluar urna masive qeramike që dëshmojnë për ritet komplekse të varrimit dhe besimet shpirtërore të komuniteteve të lashta indigjene.

Shtatë urna gjigante varrimi që datojnë që nga kohët parakolumbiane janë gjetur thellë në pyllin tropikal të Amazonës braziliane. Një peshkatar që punonte në këtë zonë pak të njohur dhe të përmbytur të rajonit qendror Solimoes, përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Amazon, zbuloi urnat pasi një pemë 15 metra e lartë ra, duke zbuluar urnat e varrosura poshtë saj.

Vjetërsia e urnave është aktualisht e panjohur, thuhet në deklaratë. Ato dihet se janë me origjinë parakolumbiane, që do të thotë se janë ose shekuj ose mijëvjeçarë të vjetra. Por sipas arkeologëve nga Instituti për Zhvillim të Qëndrueshëm të Mamiraus në Brazil, vendi i varrimit të tyre, një ishull i krijuar nga njeriu, është i jashtëzakonshëm. Mbetet e panjohur se cila kulturë krijoi ishujt dhe ndërtoi urnat që u varrosën më pas në ishullin artificial. 

Dy nga urnat më të mëdha prej qeramike, me diametër deri në 89 centimetra, përmbanin kocka njeriu, ndërsa të tjerat kishin brenda një përzierje farash dhe mbetje peshqish, bretkosash dhe breshkash, ka thënë Geórgea Layla Holanda, arkeologe në Institutin për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila udhëhoqi gërmimet. Këto fara dhe mbetje kafshësh ka të ngjarë të kenë qenë pjesë e një rituali funeral.

Gjetjet janë “të pashembullta”, ka thënë ajo, cituar nga Ministria e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Brazilit. Urnat e mëdha nuk kanë kapakë qeramike, sepse ka të ngjarë të kenë qenë të mbyllura “me materiale organike që janë dekompozuar”. 

Megjithatë, gjetje të ngjashme qeramike janë zbuluar edhe diku tjetër në rajonin qendror të Solimoes. Në këto raste, urnat duhet të kenë pasur kapakë “që paraqesin kokën, me struktura anash që imitojnë gjymtyrët”. 

“Qeramika prej argjile të gjelbër është e rrallë, por është parë në vende të tjera në rajon”, ka thënë arkeologia. “Ne gjithashtu gjetëm fragmente me shtresa argjile të aplikuara në pjesën e jashtme dhe shirita të lyer me të kuqe, megjithëse ende nuk është e mundur t’i lidhim ato me ndonjë stil të njohur qeramike”. 

Arkeologët e dinë tashmë se varrimet që përfshinin urna në përgjithësi kishin faza të shumëfishta.

“Pas vdekjes, trupi lihej në një shportë në lumë që peshqit të konsumonin indet e buta ose varrosej në tokë”, ka thënë Holanda. Pas kësaj, kockat e copëtuara digjeshin dhe vendoseshin në urna funerale, të cilat simbolizonin një trup të ri, një lëkurë të re. Shumë kultura në Amazonë i varrosnin këto enë nën shtëpitë e tyre.