Çfarëdo cilësimi që do t’i jepej magjisë që sjell Dua Lipa në koncert, do të ishin sinonime. Uragan, mbase do të ishte më i përafërti. Në natën e parë të “Sunny Hill Festivalit” ajo ka qenë dielli në zenit, diku në fillim të koncertit ka pasur një pyetje nëse publiku është gati për të shkuar në hënë, por s’e ka pritur përgjigjen. Ia kanë konfirmuar nja 30 mijë veta, e kapitujt e koncertit janë thjesht detaje të një nate të gjatë që pret edhe agimin e diellit
Trazimi i ujërave bashkë me shushurimën që e shoqëron janë paralajmërim i një stuhie të madhe. Ekranet gjigante e zërimi nisin të marrin me vete publikun bashkë me dallgët. Është “Sea intro” që paralajmëron uraganin. E uragani në këtë rast është Dua Lipa.
Skena gjigante duket e vogël përballë mbi 30 mijë vetave. Por kur dëgjohet zëri i saj me “Are you...”, nga “Training Season”, skena vjen e rritet pasi ndriçohet nga një yll. Nga ylli që kryeson top-listat botërore të pop-muzikës. Ovacionet janë të forta dhe thuajse secili mban telefonin në dorë. Çdokush do ta dokumentojë momentin më të rëndësishëm muzikor të së premtes në kontinentin evropian. Dhe me Dua Lipën në skenë, Prishtina qe kryeqendër e muzikës këtë javë.
Magjia e Dua Lipës vazhdon me “End of an Era”. Potenciali i saj në këndim bashkë me koreografinë që e përcjell bën që kur të këndohet kjo këngë engjëjt të zbresin në skenë. Gjithçka duket madhështore dhe mjeshtëria bën që kryeengjëlli të udhëheqë. Spektakli tashmë është në hov që s’ndalet dhe Lipa sa vjen e hyn në rol. Rolet i ka të shumëfishta. Edhe përtej muzikës. Era e festivalit “Sunny Hill” këto ditë fryn gjithandej kryeqytetit. Shumë gjuhë fliten në Prishtinë dhe është Festivali që i ka sjellë ato bashkë me publik prej shumë vendeve. Dita e parë e Festivalit e dëshmon fuqinë e organizimit. Prej orëve të para të pasdites përreth skenës qendrore në diell qëndrojnë qindra adhurues të Lipës dhe të tjerëve. Shumica me autobusë, disa me taksi e makina private, lumi i njerëzve sa vjen e bëhet më i rrëmbyeshëm.
Janë aso që kanë bërë deri në 30 orë me autobus për ta parë nga afër yllin që është në turne botëror me “Radical Optmism”. Pankartat që mbajnë në dorë tregojnë sakrificat që janë bërë për të qenë në hapësirën e festivalit, 10 kilometra larg Prishtinës. Dhe përplot janë për herë të parë në Kosovë shkaku i festivalit dhe vetë Dua Lipës. Prishtina në këtë rast është në hartën globale të Lipës që s’ka të ndalur.

“A jeni gati për të shkuar në hënë?”
Në orën 22:20 prej kur i dëgjohet zëri dhe më pas shihet me veshje në ngjyrë të argjendtë, Lipa nis udhëtimin e saj muzikor në skenë për ta marrë publikun me vete. Minutat ngjajnë në sekonda dhe shpejtë mbërrin në këngën e radhës “Break My Heart”. Pyetja e saj “A jeni gati për të shkuar në hënë, konfirmomani me pak zhurmë?” merr një përgjigje të fortë konfirmuese dhe pason “Levitating”. Dua Lipa është në gjendje të dërgojë masën në hënë dhe vetë shpejtë zbret me këmbë në tokë.
“Është kënaqësi me pasë mundësi me kriju një festival me familjen time për vendin tim. Çdo herë po bëhet më mirë në festival”, thotë ajo derisa kujton se interpretimin e parë në Prishtinë e kishte më 2016, krejt në fillet e karrierës. Me mikrofon në dorë ofrohet te publiku dhe bashkëbisedon me disa veta. Vushtrri, Turqi, Itali, Belgjikë, Poloni qëllojnë vendet prej nga vijnë bashkëbiseduesit të cilët ngelin pa frymë kur artistja u thotë se a mund të bëjnë nga një foto së bashku. Mysafirët i pyet se si po kalojnë në Prishtinë, e u thotë ta shijojnë kryeqytetin e Kosovës. Këtë e bën njeriu që është arsyeja kryesore e shumë të rinjve evropianë që në këtë fillimgusht ia kanë mësyrë Prishtinës. Shteti më i ri i Evropës i ka rrëfyer shumë botës nëpërmjet filmave, kryesisht të shkurtër. Po ashtu, nëpërmjet festivaleve të filmit, shfaqjeve teatrore e artit pamor. E “Sunny Hill” bashkë me Dua Lipën bëjnë që ngjyrat e këtij vendi të shkëlqejnë me të madhe.

“Kosova ka lezet dhe kështu i tregojmë botës”
Max Winlöf mësimdhënës nga Hedemora e Suedisë për të pestën herë është i pranishëm në “Sunny Hill”.
“E dua Dua Lipën, këtë vend e po ashtu ‘Sunny Hillin’. Kam një mik që jeton këtu dhe i dua shqiptarët. Dua të jetoj këtu. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe thjesht një vend shumë i mirë”, thotë ai me plot bindje. Këngët tjera të “Radical Optimism” s’i lënë gjë mangët interpretimeve të Lipës nëpër botë. Në skenën me 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi Lipa bën që Prishtina të frymojë si një qytet me alamet tradite në organizimin e ngjarjeve të mëdha. Ngjarjeve me të cilat identifikohet bota perëndimore. E ka bërë shprehi që në vende të ndryshme të këndojë pak nga ndonjë këngë me nam të asaj ane. E në Kosovë kjo qe madhështore. Ka ftuar në skenë të atin, Dukagjin Lipa dhe bashkë kanë interpretuar “Era” një hit i vjetër i rockut kosovar. Shqiptarët e pranishëm në publik kanë kënduar bashkë me dyshen, përderisa të huajt kanë pasur pak ndjesinë e traditës së këtyre anëve. Me pauza krejt të shkurtra Lipa duket sikur nuk pushon. Ndërron veshjen ku tash dominon e kuqja dhe e zeza dhe trazon gjithçka. “Maria”, “Phisycal”, “Electricity”, “Illusion” bëjnë që energjia e saj të përçohet te gjithsecili. Në secilën këngë hyn në rol dhe e bën publikun pjesë të asaj ndjesie. Kërkon që herë njëra e herë tjetra anë të brohorasin. Secilit i duket se ana e tij është më e zonja. E kur Lipa i jep ritëm ka atë magjinë e sufistëve që “shkëputën” nga realiteti dhe vallëzojnë deri te qiejt. Në një orë e 50 minuta Lipa ndryshon realitetin e masës përballë.

“Është hera e parë për mua. Në këtë festival mjafton të marrësh një pije dhe të kënaqesh. Dua Lipa është e përkryer”, thotë Adrian Steneryd, zhvillues i soufverëve në Suedi. Ana emocionale e Lipës del në pah shpesh.
“Kosova ka lezet dhe kështu i tregojmë botës”, thotë ajo. Në një rast pushon së foluri pasi e provokojnë lotët. Zor të ketë pasur ndonjëherë interpretim më emocional e më të gjatë. Por energjia është diçka që te ajo përtërihet nga minuta në minutë dhe këtë e imponon edhe te publiku.
Kane Klendjian s’di të ndalet së vallëzuari. Koreografi me goxha famë në Londër është pjesë e performancave në “Sunny Hill” në natën e dytë, të shtunën. Shoqërohet me valltaren Demi Rox, e cila është pjesë e stafit të Lipës edhe në “Sunny Hill”. Pasi Klendjian e publikon një video të mikës së tij në koncert, tregon përshtypjet.
“Koncerti ishte madhështor. Jemi duke kaluar shumë mirë. Do të performojmë këtu nesër dhe do të ikim të dielën”, thotë ai. Do të jetë dëshmitar i shumë performancave. Ai e krejt të tjerët në natën e parë panë Art Lokajn që është ngjitur i pari në skenën qendrore. Këngëtaret vendore Kida, Tayna po ashtu kanë elektrizuar deri diku masën. Sienna Spiro ka sjellë prekjet emocionale që bën muzika e saj, përderisa turku Edis ka bërë goxha bujë edhe me tinguj ballkanikë. Bashkëkombasit e tij përballë i kishte goxha në numër.

“Sunny Hill” në krejt afro 17 hektarët që shfrytëzon prej vitit të kaluar ofron shumëçka.
Fatboy Slim i njohur për zhanrin “big beat” në Britaninë e viteve ’90 ka bërë namin në skenën “C4”. Por në natën e parë ngjyrat kryesore i takojnë Dua Lipës. Në qershor ka mbyllur turneun e albumit të tretë në Britani të Madhe e Irlandë. E në shtator do të nisë në Kanada për të vazhduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Amerikën Latine për ta përfunduar në dhjetor. Prishtinës i solli ngjyrat e botës.
“Është një mundësi shumë e mirë për t’u kënaqur. S’ka shumë festivale në Ballkan dhe këtu po kënaqemi. Përse të mos mblidhemi këtu, ka shumë vizitorë të huaj, po kënaqemi dhe ka shumë turizëm”, thotë i riu prishtinas Olti Gërdovci, i cili merret nga pak me muzikë.

Për Alara Akmanm nga Stambolli gjithçka ishte madhështore.
“Për shijen time ishte koncerti më i mirë që kam ndjekur deri me tani”, thotë ajo e rrethuar nga mikeshat bashkë me të cilat ka bërë afro një mijë kilometra rrugë. Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Tommy Gold, Peggy Gou janë disa prej artistëve të tjerë ndërkombëtarë në dy netët pasuese të Festivalit që sivjet është mbështetur nga Komuna e Prishtinës me 200 mijë euro. Por një është që e ka të vështirë të ndalet.

Dua Lipa tregon se para 10 vjetësh ka realizuar këngën “Be the one”. Dikush në publik thotë se sikur Lipa e ka parashikuar fatin e vet me këtë këngë dhe sot është e para në industri. Kur e interpreton atë, krijohet përshtypja se e këndojnë të gjithë dhe s’ka njeri që nuk e di. Këngëtarja luan me këtë dhe bën spektakël të vërtetë. Përshëndet për të ikur, masa nis të lëvizë dhe uragani kthehet prapë pas “Disco Interlude” me elemente të “Glue” të Bicep dhe të “New Rules”. Është pikërisht “New Rules” që e kthen Lipën me energji të përtërirë. Vazhdon me “Dance the Night” e “Don’t Start Now” për t’ia vënë pikën me “Houdini”. Uragani i Dua Lipës s’lë kënd pa e prekur. Efektin e drejtpërdrejtë e ka tronditës: zhvendos publikun në botë paralele. E shenjat që i lë prapa janë të pashlyeshme. Janë ndjesia e gjurmët e stuhisë muzikore që po bën namin gjithandej. Dhe quhet Dua Lipa.