Me interpretimin mahnitës të ruses Sofya Gulyak në piano shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e maestros Peter Valentovič dy vepra të Tchaikovskyt kanë kumbuar në “Sallën e Kuqe” dhe koncerti në bashkëpunim me “Chopin Piano Festin” i ka ngjarë një udhëtimi në universin e tingujve shpirtërorë. Sepse muzika e gjeniut është e tillë. Ka kontraste të fuqishme njashtu sikurse ai midis koncerteve si këto dhe kushteve.
Filharmonia e Kosovës secilën herë më shumë po e zbërthen repertorin më të çmuar të veprave klasike botërore. Një prej kryefjalëve të zhanrit është rusi Tchaikovsky dhe “Koncerti nr.1 për piano” rezonon më së miri emrin e kompozitorit.
Me interpretimin mahnitës të ruses Sofya Gulyak vepra ka kumbuar të premten mbrëma Sallën e Kuqe pa akustikë të duhur dhe e cila, sipas pianistes, në kushte të tilla kërkon përkushtim shtesë.
Një temë e shkurtër e shoqëruar nga akorde të Orkestrës sjellin melodi lirike e pasionante. Pjesa hyrëse ndahet nga tjetra me ndërprerjen e një tingulli të butë. Pasazhet që vijojnë në kohën e parë “Allegro ma non troppo e molto maestoso – Allegro con spiritoso” sjellin ngjyra të ndryshme që variojnë në tonalitete të ndryshme. Harkorët sjellin lojë emocionale ndërsa frymorët janë më të përforcuar. Gradualisht kulmojnë krejt bashkë me një temë autentike të pianos së pavarur nga Orkestra që shkon duke rënë dhe kjo e mbyll kohën e parë, që është më e gjata, prej tri sa ka kjo vepër.

Pas një hyrjeje të shkurtër me piano në kohën e dytë “Andantino semplice – Prestissimo”, flauti ka në dorë temën e parë të pjesës. Pas kësaj, dy violonçela e vazhdojnë temën e cila pastaj pasohet tek oboa. Pianoja është shpesh në qendër, por merr edhe rol shoqërues.
Virtuoziteti në pjesët e solistes është i padiskutueshëm. E tillë është edhe pianistja, njëra prej më të shquarave të muzikës klasike sot.
Gulyak ka thënë se kjo muzikë prek direkt në zemër pasi konsideron se meloditë e Tchaikovskyt janë shpirtërore.
“Ishte bashkëpunim i mirë me dirigjentin dhe muzikantët e Orkestrës. Punuam për dy ditë dhe mendoj se nxorëm më të mirën për këtë koncert. Kam kaluar shumë mirë, ata kanë bërë më të mirën e tyre për të më mbështetur. Është një prej koncerteve më të famshme për piano. Është përplot pasion, ëndrra, ka shumë emocion dhe audiencën e prek direkt në zemër sepse meloditë e Tchaikovskyt janë shumë shpirtërore. Janë të pafiltruara dhe prekin zemrat”, është shprehur ajo në fund të koncertit.
E njeh çdo notë të veprës dhe për të kanë qenë të panevojshme partiturat për të përcjellë ndërhyrjen e komunikimin me Orkestrën.
“Kur më kërkuan të luaj me Orkestër isha shumë e lumtur, pse jo. Pse të mos provoj diçka të re në Prishtinë. Audienca ishte shumë e ngrohtë dhe ishte kënaqësi të kthehem”, ka thënë pianistja e cila në shtator të vitit 2009 bëri histori në muzikë duke qenë gruaja e parë që fitoi çmimin e parë në Garën Ndërkombëtare të Pianos në Leeds. Që atëherë ajo ka mbajtur koncerte në gjithë botën duke marrë vlerësime të mëdha. Është lavdëruar nga kritika për “saktësi dhe ngjyrosje të jashtëzakonshme”, “interpretim të butë e të shkëlqyer” e për interpretim “me delikatesë”. Biografia është jashtëzakonisht e gjatë me emrat e konkurseve në të cilat ka fituar çmime, me emrat e sallave prestigjioze ku ka mbajtur koncerte recitale e si soliste me institucione të shquara muzikore në katër anët e botës si dhe lista e dirigjentëve me të cilët ka punuar. Ka fituar çmime në shumë ngjarje prestigjioze për piano me karakter garues. Është fituese e çmimit të parë të “William Kapell International Piano Competition” në SHBA, në “Maj Lind Helsinki International Piano Competition”, në “Tivoli Piano Competition” në Kopenhagë, “Isang Yun International Piano Competition” në Korenë e Jugut, “San Marino Piano Competition”, fituese e “Busoni Competition” në Itali si dhe e çmimit “Marguerite Long Piano Competition” në Francë.

Mban ligjërata në universitete në Kinë, Itali, Australi, Zelandën e Re, Filipine, Meksikë, SHBA dhe Gjermani.
“Salla e Kuqe” në Pallatin e Rinisë në Prishtinë ka qenë kontrasti me “Teatro La Scala” e “Sala Verdi” në Milano, “Salle Gaveau” në Paris, “Konzerthaus” në Berlin, “Walt Disney Hall” në Los Angeles, sallat në Tokio, Washington, Rio de Janeiro e shumë të tjera në të cilat ajo ka luajtur.
Koha e tretë “Allegro con fuoco – Molto meno mosso” hapet me një hyrje të shkurtër si marsh fillimisht nga pianoja e më pas arrin tek Orkestra. Rritjet e menjëhershme të tonit dhe përplasjet e papritura vijnë si situatë urgjente. Komplet vepra ka zgjatur rreth 40 minuta.
Pianistja Gulyak e ka shkelur skenën e Prishtinës për të dytën herë. Në edicionin e kaluar qe në programin e “Chopin Fest” me koncert recital. Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, midis tjerash pati interpretuar veprën virtuoze “Chaconne” të gjermanit Johann Sebastian Bach dhe italianit Ferruccio Busoni. Salla ka qenë e mbushur të premten dhe ata që kanë qenë në këtë koncert, sikurse edhe në Amfiteatër vitin e kaluar, kanë pasur fatin ta ndjekin interpretimin e saj.
Për një artiste të rangut të saj, kushtet në sallë e kualiteti i pianos, mund të krahasohen me dallimet midis së bardhës e së zezës.
“Shpresoj që në të ardhmen Prishtina do të ketë një sallë koncertale të vërtetë me një piano shumë të mirë. Mendoj se shumë njerëz e duan muzikën klasike dhe herët a vonë do të bëhet. Kërkon menaxhim shtesë kur interpreton në këto kushte”, është shprehur pianistja me nam në botën e muzikës klasike.

Në pjesën e dytë të koncertit është luajtur “Simfonia nr.6” e rusit Pyotr Ilyich Tchaikovsky. Ndryshe kjo vepër njihet edhe si “Simfonia pasionante” dhe siç vjen nga titulli, pasioni është elementi parësor.
Koha e parë “Adagio – Allegro non troppo” alternohet me shpejtësi bashkë me gjendjen shpirtërore. Tema fillestare vjen e përsëritur dhe akordet synojnë të bëhen dominuese secilën herë, por nuk arrijnë.
Koha e dytë “Allegro con grazia” vjen si vals. Pjesa solo e violonçelave bie ndesh me një pjesë të errtë të pjesës tjetër të formacionit. Furishëm vjen loja e instrumenteve të tunxhit që shkrihet në një mbyllje të qetë.
“Allegro molto vivace” nis si vajtim. Harkorët luajnë shpejt dhe pa ndaluar. Vëmendje tërheq loja intensive e kontrabasëve që përcjell tension të përbrendshëm derisa vijon loja po aq dramatike e pjesës tjetër të instrumenteve. Klarineta është në shoqërim të vazhdueshëm të harkorëve. Përsëritet tema e hapjes dhe vjen kësaj here shumë më e guximshme.
“Adagio lamentoso” karakterizohet me harmoni gjysmake si formë e ngadaltë me tema të qeta që transformohen në kthina dramatike.
Dirigjenti sllovak Peter Valentovič i ka konsideruar veprat si të mahnitshme, por edhe shumë sfiduese për t’u luajtur.
“Kërkojnë shumë përkushtim, sidomos ‘Simfonia’. Të martën kur erdha, anëtarët e Orkestrës thanë se është shumë e vështirë, por e dimë se do të bëjmë prova dhe do t’ia arrijmë. Në anën tjetër, mendoj se është vepër shumë e vështirë sepse është simfonia e fundit e Tchaikovskyt. Është e shkruar shumë mirë dhe shumë emocionale, me shumë kontraste”, është shprehur ai.

Koncertin për piano e vlerëson me natyrë krejt ndryshe.
“Është vepër që shfaq lumturi, është shumë e famshme dhe u soll me lojë të mrekullueshme nga Sofya Gulyak. Jam shumë i lumtur për rezultatin sepse mendoj se dhamë më të mirën tonë dhe jam i kënaqur me atë që sollëm së bashku”, është shprehur Peter Valentovič, i cili njihet në gjithë botën si dirigjent operistik e orkestral dhe si pianist e përcjellës i këngëtarëve të shquar botërorë.
Valentovič ka drejtuar operën e parë për të – “Le Nozze di Figaro” në moshën 21-vjeçare në Universitetin e Muzikës në Vjenë, ku ka drejtuar edhe “Don Pasquale” të Donizettit, “Die Kluge” të Carl Orff dhe “The Cunning Little Vixen” të Leoš Janáček. Ka qenë mjeshtër kori dhe dirigjent rezident në “Cape Town Opera” në Afrikën e Jugut, ku ka zgjeruar repertorin e tij me “Nabucco” të Verdit, “Cavalleria Rusticana” të Mascagnit, “Gianni Schicchi” të Puccinit, “Rusalka” të Dvorak si dhe me shumë koncerte simfonike. Ka mbajtur edhe postin e dirigjentit në Operën Shtetërore Turke në Stamboll.
Ai është gjithashtu mysafir i rregullt në Operën Kombëtare Sllovake. Bashkëpunimet e tij me këngëtarë të shquar përfshijnë shfaqje mbresëlënëse në pranverën e vitit 2017 në “La Scala” në Milano dhe Operën Shtetërore të Vjenës me “Norma” dhe “Gruberova” të Bellinit.
Edhe mjeshtri Valentovič ka qenë në edicionin e kaluar të “Chopin Piano Fest”. Pati luajtur në piano në përcjellje të sopranos Ulpiana Aliaj ku iu patën rrëfyer publikut nëpërmjet libretit e tingujve.
Pos si përcjellës në këndimin e sopranos Aliaj, pianisti Valentovič pati shpalosur mjeshtërinë e tij në instrumentin me taste me interpretimin e veprës “Bugatti step” të çekut Jaroslav Ježek. Pos kësaj vepre pati interpretuar edhe një pjesë improvizimi nga një temë e Sergei Rachmaninoff të përgatitur nga vetë ai.
Krejt në fillim të koncertit, drejtoresha artistike e “Chopin Fest”, profesoresha Lejla Pula ka bërë të ditur se për 15 vjet bashkëpunim midis Filharmonisë e Festivalit, janë interpretuar 22 koncerte për piano dhe orkestër.
“Sonte me kënaqësinë më të madhe festojmë bashkëpunimin 15-vjeçar midis festivalit ‘Chopin Piano Fest’ dhe Filharmonisë së Kosovës. Gjatë këtij bashkëpunimi të çmuar janë interpretuar gjithsej 22 koncerte për piano dhe orkestër nga pianistë nga bota dhe pianistë vendorë. 15 vjet me përjetime muzikore të mrekullueshme dhe të paharruara artistike. Sonte jemi të privilegjuar ta mirëpresim në skenë pianisten e famshme, zonjën Sofya Gulyak”, ka thënë ajo.
Ka ndarë mirënjohje për Filharmoninë e Kosovës.
“Kjo u përket instrumentistëve, kështu që faleminderit. Pa ta nuk mundemi të realizojmë asgjë dhe dirigjentit Baki Jashari për ato 14 vjet të shkuara që ka qenë në bashkëpunim me ‘Chopin Piano Fest’ në realizimin e koncerteve. Sivjet është përvjetor i veçantë për Filharmoninë. Ne përmes një cikli të koncerteve jemi në shënim të një përvjetori i cili do të kulmojë më 26 shtator”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.
Natyra e muzikës së interpretuar të premten i shkon për shtati institucionit. Ajo është plot mrekulli, gëzim e pasion e në anën tjetër tragjikja e kompleksiteti. Pikërisht si pasqyrim i diferencës midis asaj çfarë Filharmonia shfaq te publiku dhe hapësirave ku atyre u jepet shpirt.