Kulturë

“Udhëtimi në kohë” lidh të kaluarën e të tashmen, parashikon të ardhmen

Jusuf Buxhovi

Për Jusuf Buxhovin, vepra e tij “Udhëtimi në kohë” është çlirim nga të gjitha preokupimet. E në promovim, të enjten, është vlerësuar si lektyrë intelektuale

“Realiteti historik si fakt irevizibil, konceptet filozofike si metaforë artistike, paraqesin metamorfozën e personazhit Artan Rrashta në tri kohë: të djeshmen – mesjetare, të sotmen – fisnore dhe të nesërmen – lakuriqe, pa kujtesë, në formën e një sarkazmi absurd, ku qenia e shpërlarë gjuhën e mendimit e kthen në sinkopë groteske”, është paralajmërimi që ia bën vetë autori Jusuf Buxhovi veprës së tij “Udhëtim në kohë”. Nuk ka të bëjë vetëm me historinë, ai tërheq paralele teksa parashikon të nesërmen dhe godet absurdin

Historiani, shkrimtari e publicisti Jusuf Buxhovi e shëtit lexuesin në tri periudha kohore, por nuk e kanë kuptimin e epokave. E djeshme është mesjetare, e sotmja fisnore dhe e nesërmja, që është lakuriqe. Në romanin më të ri të tij “Udhëtimi në kohë”, distanca kohore është e madhe, por jo zhvillimet e ngjarjet midis tyre. Për autorin, vepra është çlirim nga të gjithë preokupimet. E në promovim, të enjten, është vlerësuar si lektyrë intelektuale. 

Veprat e Buxhovit në përgjithësi mund të konsiderohen tekste historike. Në këtë radhë është edhe libri më i fundit i tij. Por, nuk ndalet te historia. “Udhëtimi në kohë” është i ndarë në tri pjesë si tre kapituj. Kësisoj e paralajmëron edhe nëntitulli i romanit – “E djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e Artan Rrashtës”. 

“Realiteti historik si fakt irevizibil, konceptet filozofike si metaforë artistike, paraqesin metamorfozën e personazhit Artan Rrashta në tri kohë: të djeshmen – mesjetare, të sotmen – fisnore dhe të nesërmen – lakuriqe, pa kujtesë, në formën e një sarkazmi absurd, ku qenia e shpërlarë gjuhën e mendimit e kthen në sinkopë groteske”, është paralajmërimi që ia bën veprës vetë ai. Është libri i 50-të i tij.  
Autori Buxhovi ka folur pak për veprën e tij duke iu referuar maksimës “Të vrasësh apo të vritesh?”, ndonëse është shprehur se autorit nuk i takon të flasë për veprën e tij, ngase nga momenti kur publikohet ajo është e publikut. 

“Kjo është dilema hamletiane, e cila sot shqetëson secilin njeri, veçmas krijuesit, të cilët presupozohet se prezantojnë një dije intelektuale të një kohe. Prandaj kjo vepër ka qenë për mua edhe një çlirim ndër gjithë atë që na preokupon prej vitesh. Është një bredhje në vetmi, një gjykim dhe vetëgjykim, një vlerësim dhe vetëvlerësim, dilemë dhe vetëdilemë, një vrasje dhe vetëvrasje, të cilit autori nuk mund t’i ikë”, është shprehur historiani Buxhovi në promovimin e romanit në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë. 

Ai ka cituar edhe Platonin në fjalimin e tij, duke thënë se krijuesit letrarë nuk duhet të merren me politikë dhe i liston arsyet. 

“Desha ta ndërlidh me atë që ka thënë Platoni para tre mijë e sa vjetësh. E thotë me ironi, por besoj se ka pasur të drejtë në disa rrethana. Thotë se poetëve duhet t’u merret e drejta të merren me politikë, sepse ata kur merren me politikë zakonisht e dëmtojnë politikën për faktin se janë të sinqertë, se mendojnë, se te veprat e krijuesit gjithmonë zhvillohet një luftë e brendshme midis gjakut të dijes dhe dijes së gjakut”, ka theksuar Buxhovi. 

Ka thënë se në këtë kohë vrasin mosdija, injoranca dhe ideali për të cilin është bërë luftë. Është shprehur se vepra e ka ndihmuar dhe e ndihmon të distancohet nga të gjithë ndodhitë, ndonëse vazhdimisht sulmohet. 

“Në situatat aktuale kemi ardhur në një situatë absurde, ashtu e ndiej unë si autor, sepse gjaku i dijes është i dëmshëm. Duhet t’i shtrohemi dijes së gjakut, maksimës ‘të vrasësh apo të vritesh’. Një realitet të cilin duhet ta kemi parasysh. Ironia e Platonit mund të merret në kuptimin e drejtpërdrejtë që krijuesi anatemon në një mënyrë ndër më të rëndat, më të tmerrshmet. Mendoj se Platoni ka pasur të drejtë, sepse krijuesit ia ka bërë të drejtë se nëse merresh me krijimtari, nëse flet për dijen, nëse nuk je hajn, nuk je i korruptuar, nuk je pjesë e një mekanizmi që i shfrytëzon dijen dhe fuqinë e dijes, atëherë do të jesh në shënjestër dhe do të jesh i vrarë”, ka thënë Buxhovi. 

Ka shpjeguar se gjaku i dijes janë dituria e shkenca, ndërsa dija e gjaku janë ato që e preokupojnë njeriun në kuptimin farefisnor. 

Shkrimtari Nazmi Rrahmani ka thënë se autori paraqet edhe psikologjinë e sotme dhe të asaj të kohës së Principatave Arbërore. 

“Është një roman sa historik aq i ndërlidhur me situatën e sotme, sepse simbolizon edhe ngjarjet që zhvillohen momentalisht, por edhe ato që ndodhën dikur në Principatën Arbërore që pushtohej nga të krishterët. Me personazhet që përshkruhen këtu paraqesin psikologjinë e kohës, të ndërlidhur me psikologjinë e kohës së sotme”, ka thënë Rrahmani. 

Vepra hapet me një prolog të shkurtër dhe vazhdon me pjesën e parë “E djeshmja/Principata”. Pjesa e dytë emërtohet si “E sotmja/Fisi” ndërsa e treta “E nesërmja/Thashethemnaja”. Mbyllet me një epilog të shkurtër. 

Studiuesi Begzad Baliu ka thënë se tri pjesët mund të lexohen edhe “si tri kohë (mesjeta, koha e re dhe e sotmja), si tri histori të ndërlidhura njëra me tjetrën, madje si tri jetë të narratorit: për të vazhduar me tri situata, tri ese, tri rrëfime në vetën e parë, në vetën e dytë dhe në vetën e tretë; tri novela që bëjnë një roman; apo një histori, një narratologji dhe një dramë; dhe më tej, një histori tragjike, një tragjedi dhe një tragjikomedi...”. 

“Nëse rrafshi i parë i tekstit Principata përshkohet nga përbërësit historikë, ndërsa i dyti nga përbërësit ideorë e tematikë, rrafshi i tretë i kësaj pjese merr dimensionin tipik artistik, duke e vendosur ngjarjen tërësisht në një teatër të përshkuar nga ironia”, ka thënë Baliu.
Ka konsideruar se teksti i romanit ofron mundësi diskutimi për teknikat e ndërtimit për nga konteksti historiko-letrar, estetiko-letrar e semasiologjik. 

“Brenda tij diskutohen të gjithë përbërësit intelektualë, politikë, kulturorë e qytetarë të një kohe dhe të një e më shumë brezave. Në këtë rrjedhë autori flet për vetminë, si një akt universal i intelektualit; luftën e përfunduar dhe luftën e brendshme që nuk ka fund, paqen me të tjerët dhe mungesën e saj brenda vetes; vrasjen si akt i mbyllur dhe ndërgjegjen e vrarë si dramë e hapur, luftën e të kundërtave si sëmundje e territ (90) dhe mendimin ndryshe – si herezi, dilemën e përjetshme, sikur e quan ai ‘për t’u vrarë apo për të vrarë’”, ka thënë më tej shkrimtari e profesori universitar Begzad Baliu.