Kulturë

Udhëtimi me veprat e Beethovenit – historik për Filarmoninë

Prishtinë, 4 shkurt – Dirigjenti Maxim Vengerov u rikthye pas njëzet e një vjetësh në Kosovë.

Dirigjoi koncertin që shënoi 20-vjetorin e themelimit të Filarmonisë dhe 250-vjetorin e kompozitorit Ludwing Van Beethoven. Në qendër të Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë, me shkopin e dirigjentit në orën e djathtë me lëvizje të lehtë me dorën tjetër, u dha urdhër instrumentistëve që të fillonin “Koncertin për violinë, violonçel dhe piano” në C-dur, Op.56 të Beethovenit. Qe vepra e parë që u luajt në mbrëmjen e së dielës e që u cilësua si koncert, i cili solli artistë të kalibrit botërorë. Solistë ishin instrumentistët nga Turqia, Özcan Ulucan në violinë e Birsen Ulucan në piano dhe violonçelisti hungarez, László Fenyő. Pjesa e dytë e mbrëmjes vuri në pah anëtarët e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Nën dirigjimin e Vangerovit – i cili pas luftës e vizitoi vendin si ambasador i vullnetit të mirë i UNICEF-it, duke performuar për fëmijët e Kosovës – luajtën “Simfoninë nr.7”. Vepra, po ashtu, e kompozuar nga Beethoveni, sipas dirigjentit është një moment historik për çdo dirigjent dhe një sfidë e mirë për orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

Anëtarët e orkestrës qysh në ditët e para të janarit kishin nisur përgatitjet për koncertin e së dielës. Kishin bërë gjithçka gati që të mos dalin keq para dirigjentit me nam. Nga duartrokitjet që morën pas përfundimit të koncertit sikur u dëshmua puna e tyre, e u shpërblye mundi. Për pjesën tjetër, përfshirë këtu hapësirën e papërshtatshme ku u mbajt koncerti, sipas kompozitorit Ylber Asllanaj, instrumentistët nuk duhet të merakosen. Sipas tij, ato nuk varen nga artistët e as nga Filarmonia.

Sipas violinistit e dirigjentit me nam – fitues i çmimit “Grammy” më 2003 i lindur më 1974 në qytetin e Novosibirski të Siberisë – për muzikantët një sallë e mirë koncertale është si një instrument i mirë.

“Njëzet vjet më parë kam ardhur si ambasador i vullnetit të mirë dhe kam mbajtur masterklasë për disa fëmijë, disa prej tyre sot luajnë në orkestër. Prandaj, për mua ishte shumë e rëndësishme që t’i shoh që janë rritur e bërë muzikantë të mrekullueshëm të Filarmonisë së Kosovës. Është një orkestër e mrekullueshme dhe e meritojnë që të kenë një sallë koncertale po ashtu. Për muzikantët një sallë e mirë koncertale është si një instrument i mirë kështu që i inkurajoj që të realizojnë një të tillë”, ka thënë ai. Sipas tij, ishte e mrekullueshme që gjatë këtij koncerti janë luajtur dy vepra legjendare të kompozitorit Ludwing Van Beethoven.

Përmes këtij koncerti Kosova ka hyrë në mesin e vendeve që shënojnë 250-vjetorin e Beethovenit.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)