Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Turizmi kulturor në Shqipëri me 1.5 milionë vizitorë

Shifra prej 1.5 milionë vizitorësh për dhjetë muaj është 56 për qind më e lartë se ajo e vizitorëve të së njëjtës periudhë në vitin 2023

Shifra prej 1.5 milionë vizitorësh për dhjetë muaj është 56 për qind më e lartë se ajo e vizitorëve të së njëjtës periudhë në vitin 2023

Lokalitetet kulturore të Shqipërisë, nga fillimit të vitit e deri në fund të tetorit, janë vizituar prej afro 1.5 milionë turistë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka shkruar në rrjetet sociale se 1 milion e 431 mijë e 726 vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë sitet kulturore gjatë periudhës janar–tetor 2025.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo shifër është 56 për qind më e lartë se ajo e vizitorëve të së njëjtës periudhë në vitin 2023.

Muzetë kombëtarë kanë mirëpritur 421 mijë e 661 vizitorë, parqet arkeologjike 602 mijë 059 vizitorë, ndërsa kalatë e monumentet e tjera të kulturës mirëpritën 408 mijë e 6 vizitorë, duke bërë që ky vit të dëshmojë rritje dhe interes të shtuar për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Me përfundimin e sezonit turistik në tetor, duke nisur nga nëntori, institucionet e trashëgimisë kulturore do të vijojnë të mirëpresin publikun nga e marta në të dielën, ku e diela e fundit e çdo muaji mbetet ditë me hyrje falas për vizitorët vendas.

Turistët e huaj preferojnë kryesisht turizmin kulturor, ndërkohë që në vitet e fundit po rritet interesi edhe tek ata vendas. Parku më i vizituar mbetet Butrinti.

Në verën e këtij viti Banka Botërore, në një artikull të publikuar në faqen e saj zyrtare, kishte vlerësuar se investimet dhe projektet e ndryshme kanë sjellë nxitjen e turizmit, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik, teksa ky realitet i ri po tërheq ish-banorët të kthehen në vendlindjet e tyre dhe po nxit mundësi të reja biznesi dhe zhvillimi.

“Sot gjithçka ka ndryshuar, pasi bashkitë kanë ndërmarrë hapa për të vlerësuar historinë e pasur dhe bukuritë natyrore të zonës, qytete të shpallura Trashëgimi Botërore nga UNESCO-ja, kala antike, arkitekturë osmane, bregdet piktoresk dhe shumë të tjera. Nëpërmjet Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe të Turizmit (PIUTD), Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë ndihmuar në restaurimin e zonave historike, përmirësimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e shërbimeve turistike, duke sjellë mundësi të reja ekonomike dhe vende të reja pune në qytetet e Beratit, Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës dhe zonave përreth”, shkruhej në artikull.