“Ky vendim i rëndësishëm, i bazuar në mendimet e shumë ekspertëve shumë të respektuar, do ta marrë një Qendër të lodhur, të dëmtuar dhe të rrënuar – e cila ka qenë në gjendje të keqe, si financiarisht ashtu edhe strukturalisht, për shumë vjet – dhe do ta shndërrojë në një Bastion Botëror të Arteve, Muzikës dhe Argëtimit”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar një mbyllje 2-vjeçare të Qendrës së Arteve Performuese “Kennedy” në Washington për rinovime.
Qendra do të mbyllet duke filluar më 4 korrik, kur SHBA-ja feston Ditën e Pavarësisë.
“Ky vendim i rëndësishëm, i bazuar në mendimet e shumë ekspertëve shumë të respektuar, do ta marrë një Qendër të lodhur, të dëmtuar dhe të rrënuar – e cila ka qenë në gjendje të keqe, si financiarisht ashtu edhe strukturalisht, për shumë vjet – dhe do ta shndërrojë në një Bastion Botëror të Arteve, Muzikës dhe Argëtimit”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Njoftimi i Trumpit vjen në një kohë kur kjo qendër arti po përballet me një sërë anulimesh aktivitetesh, shumë prej të cilave lidhen me marrjen me forcë të drejtimit të qendrës nga presidenti amerikan pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Trump shkarkoi drejtuesit e mëparshëm, zgjodhi vetë anëtarët e bordit të qendrës, emëroi veten si kryetar dhe shtoi emrin e tij në fasadë, duke e riemërtuar atë “Trump Kennedy Center”.
Trump nuk i komentoi anulimet. Ai tha se qendra do të rifillojë aktivitetin pas dy vitesh “me një Rihapje të Madhe të planifikuar, që do të rivalizojë dhe tejkalojë gjithçka që ka ndodhur më parë në një ambient të tillë.”
Mes artistëve dhe grupeve që kanë anuluar së fundmi shfaqjet në qendër është edhe Philip Glass, i cili hoqi Simfoninë e tij nr. 15 “Lincoln”, duke thënë se vlerat aktuale të qendrës janë në “konflikt të drejtpërdrejtë” me mesazhin e veprës.
Qendra, vendi kryesor i arteve performuese në kryeqytetin amerikan, historikisht ka organizuar mbi dy mijë aktivitete në vit.
Së fundmi, aty u shfaq premiera e një dokumentari për zonjën e parë, “Melania”.