Beyoncé theu një rekord, Megan Thee Stallion dhe H.E.R. u shpërblyen. Dua Lipa triumfoi për albumin më të mirë pop, Taylor Swift mori Çmimin për albumin e vitit e Billie Eilish atë për incizimin më të mirë me “Everything I Wanted”. Edicioni i 63-të i “Gramyes” ishte një kombinim mes glamurit dhe fuqisë së artistëve për t’iu përshtatur pandemisë. Një manifestim i denjë për të nderuar prurjet muzikore gjatë vitit që u karakterizua nga koronavirusi, pa lënë pas edhe ngjarjet e tjera që zgjuan në një formë apo tjetrën shoqërinë dhe nxitën edhe artivizëm
Ka shekuj që dihet se muzika është një lloj reflektim i shoqërisë. E tillë ishte edhe nata më e madhe e muzikës “Grammy Awards”, ku u shpërblyen artistët më të mirë të 2020-s. Edicioni i 63-të ishte një kombinim në mes të glamurit dhe fuqisë së artistëve për t’iu përshtatur pandemisë. Një manifestim i denjë për të nderuar prurjet muzikore gjatë vitit që u karakterizua nga koronavirusi, pa lënë pas edhe ngjarjet e tjera që zgjuan në një formë apo tjetrën shoqërinë dhe nxitën edhe artivizëm. Televizioni amerikan “CBS” dhe producenti Ben Winston bënë një shfaqje spektakolare, të tillë që të kujtonte se përmes muzikës mund të lidhesh me botën e jashtme, por njëkohësisht edhe të tërhiqesh larg botës reale. “Grammy” bëri një balancë në mes të këtyre dy aspekteve përmes çmimeve, por edhe përmes performancave që solli në spektaklin që zgjati gati 4 orë. Dua Lipa me çmimin e sivjetmë është bërë fituese e trefishtë e çmimeve prestigjioze.
Muzika dhe vetëkritika si shpëtim
Edicioni i 63-të i “Grammy Awards” për shkak të pandemisë u mbajt me numër të limituar të pjesëmarrësve, pa publik dhe vetëm me artistë, që pak a shumë këndonin dhe brohorisnin për njëri-tjetrin. Komediani dhe moderatori, Trevor Noah, e hapi edicionin me një monolog. Ai bëri shaka për mënyrën e mbajtjes së një ceremonie me rëndësi gjatë pandemisë. Theksoi fuqinë e muzikës dhe ofroi një fjalim shpresëdhënës për vitin në vazhdim.
“Sonte do të festojmë për muzikën më të mirë e që na ka prekur dhe që ka shpëtuar jetët tona gjatë këtij viti të pashembullt”, ka thënë Noah, i cili vitin e kaluar ishte i nominuar për “Best comedy album”.
E fjalimi i detyrueshëm nga drejtuesi i “Recording Academy” e solli në skenë Harvey Mason Jr., i cili mori detyrën e presidentit të përkohshëm pasi që Akademia e pushoi Doborah Dugan pak para çmimeve “Grammy” të vitit të kaluar. Ai ofroi për herë të parë një pranim modest të gabimeve të bëra më parë.
“Ne i dëgjojmë thirrjet për diversitet, përfaqësim dhe transparencë. Sonte jam këtu për t’i kërkuar të gjithë komunitetit të muzikës që të na bashkohen, të punojnë me ne dhe jo kundër nesh, në ndërtimin e një ‘Recording Academy’ me të cilën të gjithë mund të jemi krenarë”, ka thënë ai. Shtoi se ky nuk është një vizion për të ardhmen, por një detyrë për të sotmen. Një rrugë e duhur drejt këtij ndryshimi ishte përzgjedhja e njerëzve që punojnë nëpër klube dhe teatro për të shpallur fituesit. Ata biseduan nga sallat e tyre boshe - “Station Inn” në Nashville, “Troubadour” dhe “Hotel Cafe” në Los Angeles, “Teatri Apollo” në Harlem - nga ku shpallën fituesit. Një dëshmi që muzika ndryshon edhe jetën jashtë skenës. Të gjithë patën mesazhin e njëjtë.
“Kur të mund të hapen dyert, do të jetë gjithçka: ‘Në rregull, unë mund të marr frymë përsëri”, ka thënë Rachelle Erratchu, nga klubi legjendar i Los Angeles, “Troubador club”.
Fantazia më e mirë pop
Lipa interpretoi dy këngë gjatë ceremonisë: "Levitating", bashkëpunimin simpatik me DaBaby, dhe super hitin e saj “Don’t Start Now”. Doli në skenë me një fustan ngjyrë rozë me një sfond surreal me re ngjyrë trëndafili për të interpretuar "Levitating"
Emri i Dua Lipës nuk ka munguar në listën e fituesve në “Grammy”. Albumi “Future Nostalgia” që i dha Duas epitetin “Alfa e discos”, i solli edhe “Grammyn” e radhës. Në orët e hershme të mëngjesit, (sipas kohës sonë) albumi i lansuar gjatë pandemisë u shpërblye si më i miri pop.
“Zot i madh. Wow, faleminderit shumë! Kjo është një çmenduri e vërtetë. Albumi ‘Future Nostalgia’ është shumë i rëndësishëm për mua dhe ma ka ndryshuar jetën në shumë mënyra. Por një gjë të cilën e kam kuptuar gjatë realizimit të tij, është se sa e rëndësishme është ndjenja e lumturisë për të gjithë ne”, ka thënë ajo. Ka treguar se në fund të albumit të saj të parë kishte menduar se duhet bërë muzikë të trishtë për ta ndier se ajo ka rëndësi. “Prandaj jam mirënjohëse dhe e nderuar për këtë çmim, pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë e që na duhet në jetën tonë”, ka vazhduar ajo.
Secila nga njëmbëdhjetë këngët e albumit “Future Nostalgia” shpërndan një ndjenjë euforike që rritet nga tingujt e parezistueshëm. Sigurisht, albumi për suksesin e vet i ka borxh të madh të kaluarës nostalgjike dhe shkëlqimit që kanë këngët nëpërmjet ritimit disco dhe aludimeve përmes melodive në muzikën e viteve ’80. Këngët e Lipës të lansuara në mars të vitit të kaluar janë të paturpshme në dëshirat e tyre, qoftë për të dalë me ish-të dashurin apo për të takuar dikë të ri.
Situata me koronavirusin i kishte shkaktuar pasiguri për gjithçka këngëtares. Kishte dilemë edhe nëse duhej ta lansonte albumin e saj. Me shpresë që albumi i saj i dytë t’u japë njerëzve pak lumturi, kishte vendosur që ta lansonte. Lipa ishte e nominuar edhe në pesë kategori të tjera, përfshirë albumin e vitit, këngën dhe incizimin e vitit, performancën më të mirë pop për “Don’t Start Now”, performancën më të mirë pop si duo a grup për bashkëpunimin e saj me Balvin, Bad Bunny dhe Tainy, për këngën “Un Dia”.
Lipa, ani pse triumfoi vetëm në njërën kategori, i dhuroi publikut një nga performancat më të mira në “Grammy”. “Fantazinë më të mirë pop”, siç e cilësuan shumë kritikë. Performanca e saj shpërfaqte një nostalgji për t’u kthyer në pistën e vallëzimit.
Lipa interpretoi dy këngë: "Levitating", bashkëpunimin simpatik me DaBaby, dhe super hitin e saj “Don’t Start Now”. Doli në skenë me një fustan ngjyrë rozë me një sfond surreal me re ngjyrë trëndafili për të interpretuar "Levitating". DaBaby u ngjit në skenë menjëherë më pas për të interpretuar vargun e tij për remiksin e këngës e Lipa iu bashkua në skenë më vonë për të vazhduar interpretimin e këngës “Don’t Start Now”. Ani pse Lipa nuk u largua me ndonjë trofe tjetër përveç atij për albumin më të mirë pop, koreografia e saj e gjallë dhe muzika pushtuan zemrat e shikuesve, tek të cilët u ngjall dëshira për të vallëzuar.
Para ceremonisë, Lipa u shpreh se mundësia e performimit ishte diçka e jashtëzakonshme në kohët e vështira për shkak të pandemisë. La përshtypje edhe për veshjen e saj në tepihun e kuq. Lipa kishte veshur një fustan ngjyrë rozë të markës “Versace” në formën e një fluture të lakuar përpara. Fustani përmbante një pëlhurë vezulluese me rrjetë argjendi, që i tregonte këmbët e saj. Dua ishte kombinuar me fustanin duke lyer sytë e saj me një rozë të lehtë dhe ngjyrë livandë. Sidoqoftë, mostriumfi i saj edhe në kategori të tjera u kritikua. Triumfin e Harry Stylesit para Dua Lips dhe Taylor Swiftit për performancën më të mirë pop, mediumi prestigjioz “NYTimes” e ka cilësuar si “zhgënjimin e parë të mbrëmjes”. Më 2019 kishte fituar dy çmimet e para “Grammy” në karrierë, atë për artisten më të mirë të re të vitit 2018 dhe për incizimin më të mirë dance.
Ana tjetër brenda “Grammyes”
“Future Nostalgia” ishte aq e nevojshme sa edhe albumi “Folklore” dhe performanca e Taylor Swift që definitivisht ishte ikja më e madhe nga realiteti. Swift me “Folklore” fitoi albumin e vitit, duke u bërë këngëtarja dhe tekstshkruesja e parë që fitoi këtë çmim tri herë, pas fitoreve të saj për "Fearless" në 2010 dhe "1989" në vitin 2016. Sidoqoftë, edicionit të sivjetmë, një shije krejtësisht tjetër – nga Dua Lipa dhe Taylor Swift - si estetikisht ashtu edhe për nga tematika ia dhanë Lil Baby, Beyonce dhe H.E.R. Ata e sollën lëvizjen “Black Lives Matter” në “Grammy”.
Reperi nga Lil Baby lansoi këngën e tij “The Bigger Picture” pa u bërë tri javë nga vrasje e George Floyd, që ngjalli protesta. Ai solli energjinë që ishte në rrugë edhe në “Grammy” duke e hapur performancën e tij me zërin e James Baldwin që dëgjohej në sfond. Ai u shoqërua në skenë edhe nga aktivistja Tamika Malloru, reperi Killer Mike dhe aktori Kendrick Sampson.
“President Biden ne kërkojmë drejtësi, barazi dhe rregull”, ka thënë Mallory gjatë pjesës së saj të performancë, duke shtuar: “Gjithçka tjetër që nënkupton liri”.
Killer Mike, në pjesën e tij nga kënga “Walking in the Snow”, ka thënë: “Të gjithë ne i shërbejmë të njëjtit mjeshtër, të gjithë ne jemi asgjë veçse sllavë. Kurrë mos e harroni rrëfimin e Jezusit, heroi u vra nga shteti”.
Performanca e Lil Babys ishte vetëm një nga momentet në “Grammy” ku në qendër ishin artistët me ngjyrë të cilët vinin në pikëpyetje diversitetin e spektaklit dhe manovrimin e tij me hip-hop.
DaBaby dhe Ricch performuan këngën “Rockstar” – remiksin dedikuar “Black Lives Matter” – bashkë me një kor të përbërë nga njerëz të bardhë e të moshuar të veshur me kostume që u ngjanin veshjeve të gjyqtarëve, DaBaby gjatë interpretimi ka thënë: “Tani jam duke performuar në ‘Grmmy’ me shumë mundësi do të bëhem target me të dalë”.
Mickey Guyton, gruaja e parë me ngjyrë që është nominuar në kategorinë “Country”, interpretoi këngën “Black Like Me”, duke u bërë kështu edhe gruaja e parë me ngjyrë e këtij zhanri që performoi në skenën e kësaj ceremonie prestigjioze. “Black Like Me” humbi çmimin pasi që triumfoi “When My Amy Prays” nga Vince Gill.
Tri çmime gjithashtu u dhanë për këngë protestash: "Lockdown" e Anderson, pak e frymëzuar nga demonstrimet e “Black Lives Matter”, u shpërblye për performancën më të mirë melodike të repit. “I Can’t Breath” nga H.E.R., u shpërblye si kënga e viti dhe “Black Parade” e Beyonce fitoi çmimin si performanca më e mirë R&B.
“Ka qenë një kohë shumë e vështirë”, ka thënë Beyonce gjatë pranimit të këtij çmimi. “Kështu që unë doja të nxisja, inkurajoja dhe të festoja për të gjithë mbretëreshat dhe mbretërit e bukur me ngjyrë që më frymëzojnë", ka shtuar ajo. Ajo mori katër çmime “Grammy” në këtë edicion, duke bërë kështu histori. “Quuen Bey” u bë artistja më me së shumti çmime “Grammy”, gjithsej 28. E vajza e saj, nëntëvjeçare hyri në mesin e fituesve më të rinj në moshë në ceremoninë prestigjioze. Vajza e Beyonce dhe Jay-Z fitoi çmimin e parë “Grammy” për videon më të mirë muzikor për "Brown Skin Girl”. Ajo do të ishte bërë fituesja më e re që merr një “Grammy”, por ky rekord mbahet nga Leah Peasall, e cila u shpërblye në vitin 2001, kur ishte 8-vjeçare.
Balancimi
Edicioni i 63-të i “Grammy Awards” për shkak të pandemisë u mbajt me numër të limituar të pjesëmarrësve, pa publik dhe vetëm me artistë, që pak a shumë këndonin dhe brohorisnin për njëri-tjetrin (Foto: AP)
“Grammy” nuk la pa i nderuar artistët që vdiqën këtë vit. Bota humbi disa nga titanët e muzikës dhe “Grammy” nderoi disa prej tyre gjatë ceremonisë, e pjesën tjetër përmes një publikimi në ueb-faqen e tyre ku u shënuan emrat e gjithë atyre që nuk janë më mes nesh. Por pjesa më prekëse e këtij segmenti ishte kur Lionel Richie kujtoi mikun e tij Kenny Rogers me këngën “Lady”. Po ashtu, mbrëmjes i dhanë sharm edhe Anderson, Paak dhe Bruno Mars.
Billie Eilish fitoi Çmimin për incizimin e vitit për herë të dytë, por kur doli në skenë ajo tha se Megan Thee Stallion do ishte dashur që ta fitonte atë. I kërkoi audiencës që të brohorisnin për reperen në vend të saj. Ajo doli në skenë për të pranuar çmimin me vëllanë e saj, Finnes. “Kjo është shumë e turpshme. Unë isha duke përgatitur një shkrim pse Megan e meriton këtë çmimin, por pastaj isha e sigurt që unë nuk do ta fitoja. Ajo e meriton. Ti je një mbretëreshë”, ka thënë Ellish.
Pikë kulmore e ceremonisë ishte edhe triumfi i Megan Thee Stallion. Ajo fitoi tri çmime. U shpërblye si artistja më e mirë e re dhe reperja e parë grua që fitoi këtë çmim pas shpërblimit të Lauryn Hill në vitin 1999. Po ashtu “Savage” (Remix) me Beyonce fitoi Çmimin për këngën me të mirë rep dhe performancën më të mirë rep.
Në fund, ishte pikërisht Megan Thee Stallion e cila e përmblodhi më së miri natën.
“Muzika na ka ndihmuar të gjithëve që ta kalojmë këtë pandemi”, ka thënë ajo kur e ka pranuar trofeun për këngën më të mirë rep. “Një dolli për të gjithë që ishin këtu – sepse shumë nga këto këngë më të vërtetë na ndihmuan të gjithëve gjatë kësaj udhe”. Por gjithmonë ka hapësirë për kritika, si mosnominimi i Weeknd-it, yllit kanadez të popit, ani pse “Blinding Lights” mbizotëroi në toplista. Weeknd përfundoi duke bojkotuar ceremoninë me arsyen se ajo po nxit grindje të vazhdueshme me artistë.
Sidoqoftë, “Grammy” në themel mbetet një shtëpi balancuese, një strehë e madhe që synon t’i kënaqë të gjithë, ani pse nuk e plotëson krejtësisht askënd.