Kulturë

Tri komuna arbëreshe në Itali – zona të mbrojtura kulturore

arberesh

 

 

 

Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla, ka marrë pjesë në festivalin “Vëllazëria”, që u zhvillua në rajonin e Puglias në Itali.

Festivali është hapur zyrtarisht në prani të ministrit dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore italiane, duke theksuar rolin e kulturës arbëreshe si urë lidhëse mes dy popujve.

Në këtë aktivitet tri komunat arbëreshe, Casalvecchio, Chieuti dhe San Marzano di San Giuseppe, u shpallën zyrtarisht zona të mbrojtura kulturore të Puglias, në një akt simbolik që thekson rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore të komuniteteve arbëreshe, raportojnë mediat në Shqipëri.

Ministri Balla citohet të ketë vlerësuar rolin e arbëreshëve si “shembulli më i bukur i ruajtjes së gjuhës dhe traditave tona kombëtare për më shumë se pesë shekuj”.

Ai ka theksuar se arbëreshët dhe diaspora shqiptare në Itali përbëjnë “një urë të fortë lidhëse mes dy popujve”, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Festivali “Vëllazëria” u zhvillua më 26 dhe 27 korrik në Casalvecchio di Puglia, në edicionin e tij të tetë, duke bashkuar mbi 100 artistë, këngëtarë dhe valltarë nga komunitetet arbëreshe të Italisë dhe nga Shqipëria, veçanërisht nga Vlora. Për dy ditë pjesëmarrësit morën pjesë në aktivitete kulturore, artistike dhe gastronomike.

Ndryshe fundjava ka sjellë në Pazarin e Vjetër të Korçës një udhëtim muzikor nga zemra e Arbërisë, aktivitetin “ArbNight – Ethno Pulse”. Ky aktivitet u organizua nga Qendra e Artit, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me COD-in (Qendra për Hapje dhe Dialog) si dhe me mbështetjen e Bashkisë së Korçës.

Mes tingujve të historisë dhe atmosferës magjike të rrugicave korçare, publiku u magjeps nga interpretimet e veçanta të fizarmonicistit arbëresh Pierpaolo Petta nga Piana degli Albanesi (Sicili), i shoqëruar nga këngëtari Bledi Polena dhe kitaristi Nuçiel Doko.

 

Koncerti pati pjesë të rralla të folklorit arbëresh të Sicilisë, si dhe këngë të dashura të muzikës arbëreshe, duke e bërë këtë mbrëmje të paharrueshme për qytetarët dhe turistët që qëndruan për ta shijuar deri në fund. “ArbNight” solli në çdo hap një kujtim ku çdo tingull fliste arbërisht.

Arbëreshëtm domethënë shqiptarët e Italisë, të quajtur edhe italo-shqiptarë, janë pakica etno-gjuhësore shqiptare të vendosur historikisht në jug të Italisë. Sipas shënimeve, të ardhur nga Shqipëria, nga rajoni historikisht shqiptar i Epirit dhe nga komunitetet e shumta shqiptare të Atikës dhe Moresë, sot në Greqi, ata u vendosën në Itali midis shekujve XV dhe XVIII, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe pushtimi progresiv i Arbërisë dhe në përgjithësi i të gjitha territoreve të dikurshme të Perandorisë Bizantine në Ballkan nga turko-osmanët. Kultura e tyre përcaktohet nga elementë karakterizues, të cilët mund të gjenden në gjuhë, në ritin fetar, në zakonet, traditat, artin dhe gastronominë, të ruajtura me xhelozi edhe sot, me vetëdijen e përkatësisë në një specifikë grup etnik. Sipas shënimeve, arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në Mëmëdhe

Ata jetojnë në rajonet e AbrucosKampaniësApulias, veçanërisht në BazilikatMolizëKalabri dhe Sicili. Janë emërtuar si arbëreshë, pasi në kohën kur u larguan nga Shqipëria, ajo quhej Arbëria. Një nga veçoritë që karakterizon shumë këtë popull është se përveç gjuhën dhe veshjet popullore, që i ruajtën me heroizëm deri sot, ruajtën edhe ritin fetar të krishterë greko-katolik apo bizantin. Për më shumë se pesë shekuj nga diaspora, pjesa më e madhe e komunitetit arbëresh ruan ende ritin fetar e origjinën.