Derisa përherë është në improvizime me hapësirat për ta mbajtur gjallë institucionin, Baleti Kombëtar i Kosovës prej kohësh ka edhe një hall tjetër. Nuk ka kuadro. Veç tre kandidatë ia kanë mësyrë një vendi në institucionin më të lartë të baletit. “Është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse kjo tregon që ne përkundër se kemi degët e baletit në shkollat e muzikës, ne nuk kemi kuadro. Po besoj që është dashur të japë llogari dikush. Kemi pedagogë që marrin rrogë çdo muaj, ku janë balerinët, çfarë janë duke bërë këto shkolla? Ku janë kuadrot e baletit të cilët shkollohen, ose nuk po shkollohen, siç po shihet”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi
Në konkurset e fundit për anëtarë të rinj të trupës artistike, institucioni i Baletit Kombëtar i Kosovës veçse e di rezultatin. Edhe numrin e kandidatëve e edhe individët janë emra të njohur për të. Tre, është numri i kandidatëve të interesuar në konkursin që u hap në fillimtetor. Për Sinan Kajtazin, drejtor i BKK-së, kjo gjendje është shqetësuese dhe se konkursi është tregues për mosfunksionimin e degëve të baletit në shkollat e muzikës në vend.
Derisa përherë është në improvizime me hapësirat për ta mbajtur gjallë institucionin, Baleti prej kohësh ka edhe një hall tjetër. Nuk ka kuadro. Veç tre kandidatë janë në dokumentin e raportit për verifikim paraprak të konkursit Ministrisë së Kulturës për një balerin/ë.
Kajtazi, është shprehur i pakënaqur me shifrat nga ky konkurs. Ka thënë se edhe ato pak kuadro që shfaqin interesim, nuk janë të përgatitur.
“Nuk jemi të kënaqur me këtë numër, sigurisht, dihet kjo. Por nuk është që kemi pritur më shumë, sepse nuk ka kuadro të tjerë, për fat të keq, në mungesë të funksionimit të shkollës. Këtë çështje e kam ngritur edhe në inspektorat shkollor dhe të arsimit, sepse degët e Baletit te ne janë duke funksionuar pa kurrikulë, pa planprogram. Edhe ato pak kuadro që na kanë ardhur kanë qenë shumë të papërgatitur praktikisht. Kështu që nuk jam i kënaqur me numrin e balerinëve, por ky është realiteti dhe nuk është që po ndryshon diçka, për fat të keq”, është shprehur ai.
Zakonisht janë të njëjtit kandidatë që synojnë një vend në institucioni. Dy prej tri kandidateve kanë synuar edhe më parë t’i bashkohen BKK-së. Megjithëse edhe në konkurset e kaluara interesimi nuk ishte i kënaqshëm për institucionin, ky numër sa shkon e zvogëlohet nga dy a tre kandidatë që presin të bëhen zyrtarisht pjesë e Baletit.
Kajtazi ka thënë se kjo gjende është shqetësuese për të ardhmen e Baletit.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse kjo tregon që ne përkundër se kemi degët e baletit në shkollat e muzikës, ne nuk kemi kuadro. Po besoj që është dashur të japë llogari dikush. Kemi pedagogë që marrin rrogë çdo muaj, ku janë balerinët, çfarë janë duke bërë këto shkolla? Ku janë kuadrot e baletit të cilët shkollohen, ose nuk po shkollohen, siç po shihet. Në anën tjetër kemi institucione që funksionojnë, shkolla që kanë degë dhe pedagogë që paguhen për këtë punë”, është shprehur ai për KOHËN.
Besjana Bytyqi, Eliza Vitija dhe Nisa Krasniqi, bashkëpunëtore të jashtme të institucionit, ia kanë mësyrë Baletit. Veç njëra prej tyre do të bëjë vend në trupën e tij. Sipas raportit, konstatohet se “të gjithë kandidatët aplikues i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta sipas shpalljes së konkurrimit”.
“Këto balerina janë të angazhuara në projektet e fundit të Baletit Kombëtar të Kosovës sepse institucioni ka hapur dyert në vazhdimësi për të gjithë ata balerinë që kanë shprehur interesimin për të punuar në Balet. Ky fakt më bën të ndihem shumë mirë dhe tash pritet të formohet komisioni vlerësues dhe të bëjë punën e vet”, ka thënë Kajtazi, i cili është shprehur optimist për rezultatet e secilës prej tyre me Baletin.
“Besoj se kanë potencial të tria. E kanë dëshirën për të punuar, kështu që, ta shohim. Uroj që do të kemi mundësinë shpejt që t’i akomodojmë në Baletin Kombëtar të Kosovës të gjithë këta bashkëpunëtorë të jashtëm”, ka thënë ai më tej.
Konkursi i fundit i BKK-së për një pozitë ishte i hapur deri në fund të tetorit si rrjedhojë e lirimit të një pozite. Mërgime Morina, njëra prej balerinave kryesore që i takon gjeneratës së re, është larguar, arsye zyrtare qe “për shkaqe personale”.
Në konkursin e janarit të këtij viti ishin pranuar katër balerinë: Isa Gjocaj, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi dhe Erza Limani. Eliza Vitija dhe Nisa Krasniqi kanë qenë dy konkurrentet e tjera.
Ka raste kur Baleti Kombëtar i Kosovës i angazhon anëtarët e rinj të trupës në programe për zhvillim profesional jashtë vendit. Kjo ngase sipas tij, ata janë të papërgatitur për nga aspekti profesional në shkollat ku kanë ndjekur mësimet për balet.
“Një prej problemeve kryesore që kam identifikuar është mungesa e kurrikulës, e planprogramit, sepse edhe këta pak balerinë, në aspektin profesional janë shumë të papërgatitur, për fat të keq, sepse nuk i kanë mësuar asgjë nëpër shkolla. Është gjynah sepse tek e fundit janë fëmijë të cilët duhet t’u mësojë dikush balet”, është shprehur ai.
Ka thënë se degët e baletit nuk kanë qenë të angazhuar në përfshirjen e nxënësve të tyre në projektet e institucionit si ai kur Baleti Kombëtar pati organizuar klasa baleti falas në gjysmën e parë të vitit 2023.
Balerinët Jeta Musolli dhe Fatmir Smani ishin në krye të këtyre klasave që ishin hapur për të rinjtë nga mosha 14 deri 18 vjeç. Ishte thirrja e radhës për shkollë baleti, kërkesa të kahershme të institucionit shtetëror të baletit.
“Si drejtor i Baletit pata ftuar të gjitha shkollat dhe për fat të keq përgjigja nuk ka qenë pozitive prej shumicës. Nuk e kanë shfrytëzuar dhe kjo besoj se është edhe si pasojë e mos inkurajimit nga ana e pedagogëve të baletit sepse është dashur të inkurajohen. Ne kemi ofruar mësim ekstra falas, i kemi ofruar kapacitetet tona artistike, pra solistët tanë të Baletit, që këta nxënës të marrin sa më shumë dije përgjatë shkollimit të tyre”, ka bërë me dije drejtori Kajtazi.
Madje, ai ka treguar se shkollat kërcënonin balerinët e vegjël me mos arsyetim të mungesave si rrjedhojë e angazhimit në prova të shfaqjes “Peter Pan” me koreografi të Olga Pangos, që qe dhënë premierë më 1 qershor të vitit të kaluar, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.
“Ne kemi pasur rast te shfaqja ‘Peter Pan’, nga vetë prindërit e fëmijëve të angazhuar jam njoftuar që nëpër shkolla u kanë thënë që nuk do t’ua arsyetojnë mungesat, në ndërkohë që ata kanë qenë të angazhuar në një shfaqje profesionale baleti, me koreograf profesional. Kjo është absurde, është krim i llojit të vet. Në vend se të stimulohen ata të punojnë me profesionistë, përkundër kësaj kërcënohen me mosarsyetim të mungesave. Këtu dikush është duke bërë njëfarë trysnie për një arsye. Cili institucion shkollor do ta refuzonte bashkëpunimin me një institucion tjetër në interes të nxënësve?Nuk ndodh kjo askund”, ka thënë ai më tej.
Për produksione më të mëdha – siç ngjan tash me “Arrëthyesin” e Tchaikovskyt të cilën shfaqje Baleti Kombëtar i Kosovës e ka bërë traditë ta shfaqë çdo fundvit – institucionit i duhet përherë ta plotësojë trupën me balerinë shtesë nga shtetet e rajonit.