Filmi “The Land Within” (Toka brenda meje), nën regji të Fisnik Maxville, që është dhënë premierë vendore në ditën e parë të edicionit të sivjetmë të “Prishtina International Film Festival”, e zhyt publikun në histori sa vendore aq edhe universale. Te varrezat masive rihap plagë lufte, fut në lojë edhe dashurinë shqiptaro-serbe, por krejt përplasjet bëhen në kërkim të identitetit. Aty edhe zbërthehet titulli, kontrapunkt i gjetjes së vetvetes. “Për mua ka qenë e vështirë gjatë gjithë kohës ta di se ku e kam vendin në këtë botë”, ka thënë regjisori Maxville
Qysh në fillim ata që janë përballë ekranit të madh e kapin pak idenë e filmit. Këtë e ka mundësuar vetë ekipi. Pak pasi ndizet ekrani, jepet një sqarim me shifra për viktimat e luftërave në Ballkan. Por, kjo informatë fillestare nuk e zbeh aspak rrëfimin brenda projektit prej një orësh e 58 minutash.
Rrëfimi sillet rreth një plage të madhe ballkanike të shkaktuar nga luftërat e viteve ’90. Gjithçka zë vend te varrezat masive. Sikur prej aty buron gjithçka. Realisht është vend që jep shumë sqarime të historisë që pasqyrohet, prej urrejtjes e deri te kërkimi i identitetit. Filmi “The Land Within”, nën regji të Fisnik Maxville, që është dhënë premierë vendore në ditën e parë të edicionit të sivjetmë të “Prishtina International Film Festival”, të martën mbrëma e zhyt publikun në histori sa vendore aq edhe universale.
Remo (Florist Bajgora) është një emigrant i shtetit zviceran. Por lëre më që të tjerët nuk e dinë historinë e tij, por edhe ai vetë ka telashe t’i përgjigjet pyetjes retorike që jepet qysh në titull “Toka brenda meje”. Atij i duhet që pas luftës të kthehet në Kosovë. Sa i përket vetes vetëm një gjë e di: nuk i ka pasur kurrë prindërit e vërtetë e familja që e ka adoptuar e ka llogaritur si të huajin. Kjo sfidë e përshkon publikun gjatë gjithë filmit. Krahas tij, në rol kryesor është Una (Luana Bajrami). Ajo kujdeset për të atin që është i palëvizshëm dhe as nuk mund të flasë. Përderisa varrezat masive janë emëruesi i gjithçkaje, kur nuk të zbërthehet historia e Remos, hapësirat kolektive të të vrarëve veç marrin kuptim edhe më. Del në pah se ato janë produkt i një urrejtjeje ndëretnike që as nuk mund të peshohet.
Mjeshtëria e regjisorit shpesh ia del që pavarësisht se bëhet fjalë për një rrëfim të rëndë e me shumë tema përreth, vëmendjen e publikut në shumicën e rasteve ta mbajë nën tension. Babai i Umas, Skenderi (Luan Jaha) del të jetë daja i Remos. E vetë Remo është fryt i dashurisë midis një shqiptareje dhe një serbi. Të dy prindërit e tij të vrarë shkaku i urrejtjes ndëretnike. Portretet e dy aktorëve kryesorë flasin goxha edhe pa thënë asnjë fjalë. E Arta Muçaj në rolin e Orestinës rrëfen shumë pa folur fare. Gjatë skenave të filmit mozaiku sa vjen e plotësohet. Historia zbërthehet, përderisa të vuajturit kryesorë janë të mbijetuarit e luftës së fundit në Kosovë. Është rrëfim që hedh dritë mbi pasojat e së kaluarës. Por, mbi të gjitha, gërmohet mbi identitetin. Këtë e ka përmendur edhe vetë regjisori Maxville.
“Unë jam i lindur në Kosovë dhe jetoj në Zvicër për 20 vjet. Për mua ka qenë e vështirë gjatë gjithë kohës ta di se ku e kam vendin në këtë botë. Mendoj se ky film e ka temën se ku është vendi i secilit në botë. Jam shumë i lumtur që e kam gjetur vendin tim në botë me njerëz që më kanë ndihmuar ta realizoj këtë temë”, ka thënë ai, derisa ka përshëndetur turnin e parë të publikut të filmit që është dhënë në dy terminë në fillim të edicionit të 15-të të “PriFest”.

Aktori Florist Bajgora, derisa ka folur për rolin e tij në bashkëprodhimin zvicerano-kosovar, ka thënë se e ka të vështirë t’i përshkruajë emocionet e tij.
“Nuk di t’i përshkruaj saktë ndjenjat dhe emocionet që më kanë përshkuar gjatë xhirimeve pasi kanë qenë shumë të përziera me gjithçka që është sot në produktin final që po e shihni. Këto emocione shumë të rralla, që janë pjesë e filmit, kanë qenë detyrimisht pjesë e imja gjatë xhirimeve. Besoj që filmi e shpjegon shumë mirë atë nëpër të cilin kam kaluar”, ka thënë ai. Ka përmendur se filmi e trajton temën se në cilin vend përkasin njerëzit.
“Besoj që kjo është tema e përgjithshme dhe universale e filmit midis shumë temave të tjera që filmi ka”, ka thënë ai.
Sa u përket temave të tjera “Pri Fest” është kujdesur që edhe sivjet në nëntë kategori rrëfimet të jenë të ndryshme.
Festivali kryesor i filmave të gjatë artistikë në vend ka nisur me shkëlqimin që e shoqëron tash e një dekadë e gjysmë. Para “Kino Armatës” është krijuar hapësira e ndejave dhe diskutimeve. E krahas saj në muret e hotelit “Grand” qëndron portreti i themelueses së “PriFestit”, producentes Vjosa Berisha. Ngjarja edhe është një lloj homazhi për të. Por, ngjan më shumë si mirënjohje nëpërmjet motove “Vjosa.Ferever” dhe “For Her”. Në nderim të saj edhe ka nisur edicioni i sivjetmë me performancën e Alban Nimanit dhe Dren Abazit. Koncepti i Vjosa Berishës, e cila vdiq në qershorin e vjetëm, tashmë vazhdohet nga bashkëshorti i saj, regjisori Fatos Berisha. “PriFest” pos filmave e festës është edhe hapësirë bashkëpunimesh.
“Mezi presim të shohim bashkëprodhimet e tjera që do të dalin nga njohjet e lidhjet që krijohen gjatë këtij festivali”, ka thënë para të pranishmëve, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri.
Kurse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se “PriFilm” shkon përtej shfaqjes së filmave.
“Ai eksploron fuqinë e rrëfimtarisë, feston diversitetin, avokon për të drejtat e njeriut dhe për tolerancën, krijon mundësi për kineastët, lidh miqësi të reja dhe po ashtu shfaq para publikut tonë e miqve ndërkombëtarë më të mirën e krijimtarisë sonë në artin kinematografik”, ka thënë ai.
Sipas Ramës, pas 15 edicionesh “PriFest” vazhdon të jetë një dritare e begatshme për kineastët e rinj që ende përballen me kufizime të udhëtimit në Evropë e përtej saj, duke u ofruar atyre një shans që të lidhen me profesionistët e industrisë dhe të realizojnë bashkëprodhime filmash. Është ndalur edhe te programi i veçantë që sivjet ka në fokus kinematogrfinë e Izraelit.
“Tema e festivalit kësaj radhe, me fokus Izraelin, është një hap i madh përpara. Falë përkrahjes së Ambasadës së Izraelit në Kosovë, kinemaja izraelite zë qendrën e vëmendjes në ekranin e madh të festivalit sivjet. Do të shohim filma, do të takojmë regjisorë dhe kineastë izraelitë, me çka do t’i thellojmë lidhjet tona kulturore përmes një marrëveshjeje historike bashkëprodhimi me Izraelin”, ka thënë ai. Sipas tij, kësisoj, nuk kapërcehen veç distancat gjeografike, por edhe ndërtohen ura midis kulturave përmes gjuhës universale të kinemasë.
E rrëfime universale në “PriFest” do të shfaqen deri më 17 shtator.