Kulturë

“The Sister Solution” – filmi i familjes nga realiteti në izolim

Një projekt kryekëput familjar është filmi “The Sister Solution” me skenar dhe regji të regjisores kosovare Antoneta Kastrati dhe bashkëshortit të saj, Casey Cooper Johnson. Dyshja, për ta realizuar filmin, gjatë karantinës kishte bërë tok anëtarët e familjes. Si aktore kishin zgjedhur dy vajzat e tyre, Jeta dhe Jana Cooper Johnson. Punën e drejtoreshës së fotografisë ia kishin motrës së regjisores, kinematografes Sevdije Kastrati e bashkëshorti i saj, që me profesion është kineast, ishte inkuadruar në rolin e ndriçuesit dhe si asistent i kamerës. Ishin bërë bashkë për të tejkaluar më lehtë situatën e krijuar, për shkak të pandemisë dhe në të njëjtën kohë për të realizuar diçka që do t’u mbeste si kujtim nga kjo periudhë.

Filmi i shkurtër “The Sister Solution”, flet për dy motra të cilat kanë problem për shkak të dhomës së vogël të cilën e ndajnë. Karantina bën që ky problem të dalë në pah edhe më. Motra e vogël, duke e përdorur paranojën dhe frikën për COVID-19, e sajon një plan se si ta largojë motrën e saj të madhe. Ia mësyn që ta zhvendosë atë në garazh, e kështu që dhoma t’i mbetet vetëm për të.

Regjisorja Antoneta Kastrati – e njohur sidomos për filmin e saj “Zana” të vitit (2019) – ka thënë se ideja ka qenë që të krijojnë diçka të lehtë, një komedi, në mënyrë që të sjellin pak argëtim dhe buzëqeshje te njerëzit në këtë kohë të vështirë.

“Normalisht filmi ka edhe mesazhin e vet për lidhjen e fortë që ekziston mes dy motrave, pa marrë parasysh mosmarrëveshjet që mund t’i kenë”, ka thënë ajo. Ka treguar se qëkur kishte nisur karantinimi, kishin menduar disa herë se sa mirë do të ishte që të realizonin ndonjë projekt të vogël filmik e njëkohësisht familjar për kohën e pazakontë në të cilën gjendeshin.

“Ideja ishte të përdorim inspirimin nga realiteti në izolim me të cilin përballeshim dhe ta shndërrojmë në një tregim fiktiv të realizuar brenda familjes. Nga kjo lindi tregimi i dy motrave adoleshente se si përballen me stresin, tensionin e izolimit në apartament, duke e ndarë një dhomë gjumi të vogël”, ka thënë ajo. Kuptohet, rregullat e xhirimit gjatë karantinës që ishin të vlefshme në Kaliforni, ua kishin vështirësuar punët. Mirëpo, ata ia kishin dalë mbanë. U ishte dashur të merrnin vetëm një person tjetër jashtë familjes.