Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Terminali” i Baletit në Çeki – mundësi larg improvizimeve në Prishtinë

terminal

“Terminal” nën koreografi të Evgeny Kozlov dhe Romane Petit u dha premierë në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq në nëntor të 2024-tës. Shfaq sfidat e udhëtimeve por nëpërmjet simbolikave edhe ato të rrugëtimit jetësor (Foto: Qëndrim Morina)

Baleti Kombëtar i Kosovës tashmë ka ateruar në Çeki, të martën do të mbajnë provat e fundit që një ditë më pas të dalë në skenën e Trutnovit me “Terminal”. Edhe vetë shfaqja lidhet me simbolikë të këtij udhëtimi, për institucionin është një mundësi bashkëpunimesh të reja, por është edhe një ikje nga përditshmëria pa kushte në Prishtinë. BKK-ja tashmë ka hyrë në vitin e katërt përballë improvizimeve me salla e skena të përkohshme. Në udhëtime si ky balerinët e pranojnë se mbushen me energji e motiv për t’u kthyer në kushtet e vjetruara të skenës kulturore në të cilat e kanë nisur karrierën, e me to janë drejt pensionimit

Midis udhëtimeve të shumta të Baletit Kombëtar të Kosovës si Venecia, Osaka, New Yorku dhe jo vetëm, terminali më i fundit i trupës artistike është ai i një prej aeroporteve të Çekisë. Ka udhëtuar për prezantimin e parë ndërkombëtar për këtë vit. Të mërkurën debuton para publikut çek ashtu sikurse edhe shfaqja “Terminal” nën koreografi të Evgeny Kozlov dhe Romane Petit që del për herë të parë me rrëfim për publik joshqiptar.

Me ftesë nga qendra për kulturë e rajonit të Trutnov, apo në çekisht “Společenské centrum Trutnovska pro kulturu a volný čas”, Baleti Kombëtar i Kosovës shënon paraqitjen e parë në Republikën Çeke. Në qendrën kulturore “UFFO” në qytetin verior Trutnov, Baleti shënon një tjetër kapitull të veçantë që synon thellim në qytetet e tjera çeke.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zëvendësuesi i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, balerini Kreshnik Musolli ka thënë se ftesa ka ardhur vitin e kaluar.

“Është hera e parë që Baleti Kombëtar i Kosovës performon në Republikën e Çekisë. Këtë herë do ta nisim në qytetin Trutnov, që gjendet në veri të Çekisë, afër Polonisë. Është një ftesë që ka ardhur prej vitit të kaluar nga një organizatë kulturore”, ka thënë Musolli për KOHËN, nëpërmjet një bisede nga Trutnovi.  

Edhe në fillim të vitit, Musolli pati bërë me dije për KOHËN se shfaqja “Terminal” do të jepet në këtë qytet e më pas, më 8 e 9 maj, udhëton në El Salvador të Amerikës Qendrore me “Carmina Burana”.

Në qendrën kulturore “UFFO”, trupa e Baletit nis provat të martën që një ditë më pas të dalë para publikut, nën përkujdesjen e koreografit Evgeny Kozlov i cili ka udhëtuar bashkë me ekipin e BKK-së.

“E kemi këtu koreografin që ka ardhur për t’u kujdesur për nivel sa më të lartë të koreografisë, që balerinët të jenë në lëvizjet e duhura dhe më datë 8 prill do të jepet shfaqja. Vlen ta përmend që në shfaqje do të jetë edhe ambasadorja e Kosovës në Republikën e Çekisë”, ka bërë me dije Musolli.

Sipas tij, paraqitja në qytetin çek është derë që i hap institucionit paraqitje edhe në qytete të tjera çeke.

“Është me rëndësi që po fillojmë këtu, që edhe njerëzit që janë të botës së artit ose promovues të ndryshëm të shfaqjeve mund ta shohin këtë shfaqje dhe pastaj edhe të bisedojmë edhe për projekte të tjera që i keni në repertor ose për të cilat jemi duke punuar”, është shprehur ai.

Me koreografi të Evgeny Kozlov dhe Romane Petit me asistent solistin Sead Vuniqi, shfaqja e baletit modern është një përballje simbolike me jetën që sot ka secili. Udhëtimet janë të pashmangshme, përderisa përtej udhëtimeve jeta ka marrë një dinamikë të madhe dhe ndërrimi i terminaleve është bërë njëfarë përditshmërie.

Shfaqja u dha premierë në Shtëpinë e Kulturës në Obiliq në nëntor të 2024-tës. KOHA pati raportuar se baleti modern nuk e shpalos anën dramaturgjike me kronologji, por me përzierje ndjenjash.

“Në raste të tilla fuqia ekspresive e balerinëve nuk lidhet shumë me rregullat e baletit, sidomos me ato të baletit klasik ku zotësia e kërcimit ka norma fikse. Shfaqjet moderne mund të konsiderohen si më të lehta për shumë arsye, por kanë edhe barrën e përçimit tek audienca të asaj që koreografët kanë menduar ta thonë. Në këtë rast, balerinët ia kanë dalë, bile edhe të shmangin mangësitë në skenografi e krejt telashet e tjera”, shkruhet në tekst.

Musolli ka thënë se shfaqja ka metafora jetësore.

“Gjithsecili e ka destinacionin e vet, gjithsecili ka diçka brenda që të tjerët nuk e dinë. Secili ka një histori ose do të mbërrijë diku për një qëllim të caktuar. Aty bëhen ballafaqimet midis personazheve të ndryshme të shfaqjes”, është shprehur ai.

Ka thënë se pret interesim të madh të publikut çek për këtë shfaqje pasi nga organizatorët e ngjarjes është njoftuar se biletat po shiten shpejt. Shfaqja është rezervuar të jepet prej orës 19:00.

“Terminal” që në kast ka një numër më të vogël balerinësh konsiderohet produksion që lehtë mund të bartet si rrëfim në një vend jashtë Kosovës.

“Në një anë është më e lehtë kur ka numër më të vogël të balerinëve, sepse kuptohet nga ana logjistike i lehtëson gjërat. Por, në anën tjetër, çdo paraqitje jashtë vendit, për ne është shumë me rëndësi dhe ato gjithmonë sjellin bashkëpunime e promovime të reja të institucionit tonë nëpër botë. E kemi fatin që deri më tash kemi performuar gati në çdo shtet të Evropës, në Kore të Jugut, në Japoni, në New Jork. Edhe sivjet na presin edhe disa turne”, ka thënë balerini Kreshnik Musolli, njëherësh ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit.

Hapësira shumëfunksionale që shërben për ngjarje kulturore e sociale ka kapacitet prej 774 vendesh. Ka gjithashtu edhe një sallë provash që mund të akomodojë 90 persona. Ndërsa organizata, siç shkruhet, ka për mision të “pasurojë jetën e banorëve të Trutnovit dhe të përfaqësojë qytetin brenda Republikës Çeke dhe jashtë saj”.

Për Musollin, mundësi të tilla të prezantimeve jashtë vendit janë ideale për t’u shfaqur në kushte dinjitoze, larg improvizimeve në Prishtinë.

“Pavarësisht që nuk është teatër standard qysh jemi mësuar të jenë teatrot, kjo skenë është shumë e mirë dhe shumëfunksionale, jo vetëm për shfaqje të baletit, por edhe të formave të ndryshme teatrale sepse mund të modifikohet në bazë të kërkesave të shfaqjes. Për ne si balerinë dhe si institucion patjetër që është me rëndësi, sepse jemi ballafaquar gjatë gjithë historisë sonë me mungesë të kushteve. Edhe tashmë që nga viti 2022 që është mbyllur Teatri Kombëtar jemi nëpër salla të improvizuara ndonjëherë edhe i ndërtojmë skenat aty në salla private kur ka nevojë për shfaqje të mëdha”, është shprehur ai.

Ka thënë se në të tilla aktivitete mbushen energji e motiv për t’u kthyer në kushtet e vjetruara të skenës kulturore në të cilat e kanë nisur karrierën, e me to edhe janë drejt pensionimit.

“Amfiteatri është një skenë që vetëm disa shfaqje mundesh t’i performosh, të tjerat nuk adaptohen, nuk ka shans për të adaptuar. Kështu që për ne çdo herë që dalim jashtë është një motiv shtesë edhe na mbush pak me atë energjinë brenda që ta shtyjmë sa më gjatë në Kosovë, sepse me të vërtetë në një anë është edhe dëshpëruese. Karriera e një balerini është goxha e shkurtër dhe te ne mosha mesatare veçse ka mbërritur një nivel goxha të lartë. Jemi duke afruar nga pensionimi, për fat të keq. Kështu që, çdo paraqitje, diku që është me kushte të mira, po e quaj, pavarësisht a është salla më e madhe a teatër. Për ne është e mirëseardhur”, është shprehur Musolli.

“Terminal” shfaq edhe para publikut çek sfidat e udhëtimeve por nëpërmjet simbolikave edhe ato të rrugëtimit jetësor.

“Është një shfaqje që nuk ka një ngjarje të saktë që njerëzit të kufizohen se a po kuptohen apo jo. Është diçka universale, diçka që na ndodh të gjithëve dhe mendoj që do t’i pëlqejë publikut”, është shprehur Musolli më tej.

Rrëfim i ri dhe deri tash i panjohur me Baletin Kombëtar të Kosovës është publiku çek. Por institucioni shtetëror i kërcimit flet me gjuhë universale. Për përjetimet në terminal e në jetë.